Shembja e idhujve

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 26, 2018 | 23:17

Shembja e idhujve

YLLI AGA

ylli aga

Këto rreshta janë ekskluzivisht për të gjithë ata që e kanë jetuar dhe ndier në detaje epokën e para viteve ’90 dhe veçanërisht dhjetëvjeçarin e fundit të tij. Ishte koha e izolimit total, mohimit të shumë të drejtave dhe mizerjes ekonomike. Uniformiteti dhe ngjyrat e errëta rrethonin realitetin e gjithsecilit. Pa ngjyra ishin edhe TV në shtëpitë e shumicës prej shqiptarëve.

Në të, të rralla ishin rastet, kur shiheshin ndeshjet e mëdha të futbollit europian, kryesisht ato ndërkombëtare. Ishte koha kur Rumenige, Platini, Maradona apo Van Basten ngjanin si jashtëtokësorë dhe i ndanin sportdashësit shqiptarë në “parti” të ndryshme. Në këtë zbrazëtirë të madhe, pjesa më e madhe e jetës së tifozëve, mbushej me futbollin vendës. Orë pa fund duke ndjekur skuadrat e zemrës në seanca stërvitore, ndjekje këmba-këmbës në çdo skutë të qytetit të futbollistëve të preferuar, sakrifica për të siguruar një biletë për ndeshjen e fundjavës, për të hyrë në stadium dhe për të gjetur vendin në tribunën, ku “nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës”.

Josa Kola

Dhe të gjitha këto, sepse në fushë ishin Tirana, Partizani dhe Dinamo. Sfidat më të rëndësishme të atyre viteve. Pa harruar ato me Vllazninë dhe Flamurtarin. Ishte koha kur shumë tifozë “linin kokën” apo “bënin be” për shumë emra futbollistësh. Praktikisht, ata ishin idhujt e shumicës së shqiptarëve. Është pikërisht kjo arsyeja që shumica e futbollistëve të asaj periudhe ndeshin gjithmonë në çdo vend respektin dhe mirënjohjen e bashkëkohësve të tyre. Në sytë e të gjithëve, marrëdhëniet mes futbollistëve të atij brezi do të duhet të ishin si në festën e 60-vjetorit të Halit Gegës, ish-lojtari i famshëm i Dinamos, por me siguri, “idhujtaria” e fanatikëve të asaj periudhe është “plasaritur” kur ka parë dhe lexuar debatet dhe akuzat e ndërsjella mes disa ish-futbollistëve, duke kulmuar me ato StarovaDuro dy vite më parë dhe ato të këtyre ditëve KolaJosa.

“Vëllezërit” në kampin e kuq dhe atë “bardheblu” kanë harruar me kryeneçësinë tipike shqiptare, shumicën e kohës së kaluar së bashku, stërmundimet mbinjerëzore, sukseset e njëpasnjëshme, gëzimin e trofeve, ringritjen pas dështimeve, orët, ditët, javët e shpenzuara në bare, restorante apo grumbullime të ndryshme. Tavolinat e shtruara me familjet dhe çdo detaj tjetër janë përmbysur në një moment të vetëm me opinione dhe etiketime të pabesueshme, duke mos kursyer as të gjallë dhe as të vdekur. Keqardhja më e madhe pasi lexon këto polemika është për kapërcimet me shpejtësi nga parimet dhe elementët profesionalë të punës së gjithsecilit te prekja e shumë ndjeshmërive individuale. Dhe në këtë pikë më të prekur dhe të dëmtuar, më shumë se vetë protagonistët, do të jenë ndier të gjithë ata që tanimë për shumë dekada, i ka parë këta emra si heronjtë e një pjese të jetës së tyre, praktikisht si idhuj, të cilët herën tjetër, para se të flasin në publik, me këtë gjuhë, ndoshta do të duhet të kujtojnë se i detyrohen shumë më tepër atyre që i kanë ndjekur dhe adhuruar për vite të tëra. Kjo pasi, me shumë mundësi, respekti për ta nuk do të jetë më kurrë i njëjti. Për fat të keq.





www.minuta90.com