Dua më shumë Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2017 | 16:19

Dua më shumë Shqipërinë

YLLI AGA

Kristian Panuçi nuk duket nga ata trajnerë që dëshirojnë të qëndrojnë nën hijen e të tjerëve. Nuk dëshiron të bëjë zgjedhje rutinë ylli_agaapo të krijojë raporte vetëm nga sugjerimet e të tjerëve.

Kuptohet qartë dhe italiani nuk përpiqet ta fshehë se ka marrë një përgjegjësi të madhe dhe se gjatë të gjithë kohës në drejtimin e kuqezinjve do ta ndjekë nga pas “hija” e De Biazit.

Pikërisht për të vendosur autoritetin e tij po nxiton të prekë gjithçka me dorën e tij dhe ka marrë vendime që konfirmojnë se kokëfortësia është një element i karakterit të tij.

XHAKA? TË GJITHË DO TA KENË NJË MUNDËSI

Shqipëria vështirë se do të ketë ndonjëherë futbollistë që të jenë të aftë të bëjnë gjithçka dhe të jenë të pazëvendësueshëm. Për më tepër që një profil i tillë është gjithnjë e më i rrallë në futbollin e sotëm. E sigurtë është që edhe Xhaka nuk do ta bëjë ndonjëherë këtë rol.

Xhaka

Megjithatë është po aq e vërtetë, që ky futbollist, sikur të mos luajë qoftë edhe një ndeshje të vetme më me ngjyrat kuqezi, vendin e tij në historinë e Kombëtares sonë nuk do t’ia marrë askush. Dhe për këtë mjafton, përtej të gjithë të tjerave, ajo foto epike në ndeshjen e luajtur në Beograd.

Por ama, nga ana tjetër, një trajneri më shumë vëmendje i tërheqin pamjet e reagimit të tij, pas zëvendësimit në Europian në ndeshjen me Zvicrën, kërcënimi për t’u larguar nga Kombëtarja para ndeshjes me Francën dhe e fundit braktisja e ekipit pas ndeshjes me Italinë në Palermo.

itali shqiperi

Diku tjetër, siç ka ndodhur edhe me yje të futbollit botëror, kujtoni Schuster, Effenberg apo Arshavin, situatat e krijuara do të mjaftonin që dyert e Kombëtares të mbylleshin përfundimisht, por Panuçi ka dashur të bëjë një zgjedhje të tijën, si për të dëshmuar se me të në drejtim gjithkush do ta ketë një mundësi.

Siç duket, raundi i parë mes tyre dështoi dhe me shumë mundësi do të ketë një raund të dytë, kur palët do të shkojnë me mendime të qarta, ku Shqipëria do të jetë mbi gjithç- ka dhe rregullat e trajnerit të padiskutueshme.

CIKALLESHI? NJË PARALAJMËRIM PËR TË GJITHË

Dënimi për Cikalleshin ishte surpriza më e madhe në grumbullimin e parë të kuqezinjve nën drejtimin e trajnerit Panuçi. Madje, nëse nuk do të ishte lajmëruar nga italiani në konferencën për shtyp, vështirë se do të kuptohej se çfarë kishte ndodhur me sulmuesin kuqezi, pasi për gjithkënd është e pamundur të dijë axhendën e secilit futbollist në veçanti. Aq më pak linjën e avionëve që do të ndjekë, apo orarin që duhet të jetë në grumbullim.

Sokol Cikalleshi

Megjithatë, duket se ndryshimi i bërë nga Cikalleshi nuk i ka lënë shije të mirë trajnerit, që ka marrë vendimin ekstrem, i pamotivuar nga ana njerë- zore duke ditur profilin e kavajasit, si dhe teknikisht të rrezikshëm, duke qenë se në mungesë edhe të Balajt, në dy ndeshjet zyrtare Sadiku mbetet alternativa e vetme për sulmin.

Dhe veçanërisht për sfidën decizive me Maqedoninë mungesa e tij mund të jetë një problem. Por trajneri italian, më shumë se për zgjedhje teknike, po kërkon të identifikohet fillimisht me disiplinën dhe dënimi i Cikalleshit është një paralajmërim për të gjithë, se në këtë pikë nuk do të ketë asnjë tolerim.

panuci_konf_2

Kombëtarja prej vitesh simbolizon realitetin e vërtetë të shqiptarëve, streha ku janë mbledhur më të mirët e këtij sporti, pavarësisht ku janë lindur dhe ku janë të formuar nga ana profesionale. Secili prej tyre ka sjellë diçka të re dhe ka kontribuar që Shqipëria të jetë një skuadër e respektuar në arenën ndërkombëtare dhe ku pritshmëritë janë gjithmonë të larta.

E sigurtë është që edhe vetë futbollistët kanë marrë nga kjo Kombëtare dhe tanimë janë të shumtë ata që kanë përfituar kontrata të kënaqshme në kampionatet elitare të kontinentit.

Kombetarja

Por në këtë pikë ruajtja e ekuilibrave do të vendosë jo pak për sa u takon rezultateve teknike dhe për kuqezinjtë tanë, më shumë se kurrë, në këtë moment vlen një nga parimet e kësaj loje: “gjithkush është i nevojshëm, askush nuk është i domosdoshëm”, sepse edhe për opinionin sportiv pak rëndësi kanë kontratat individuale të gjithsecilit apo skuadrat me të cilët aktivizohen, pasi të gjitha interesat përputhen kur kontribuojnë për Shqipërinë.

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"