Arbitrimi në udhëkryq, reformimi një domosdoshmëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2020 | 21:09

Arbitrimi në udhëkryq, reformimi një domosdoshmëri

YLLI AGA

ylli aga

Kori kundër arbitrave e ka ngritur zërin në pikën më të lartë, i motivuar nga gabimet trashanike në pjesën më të madhe të ndeshjeve të luajtura në fillimin e këtij viti kalendarik. Në vijimësi të një tradite që përsëritet në çdo edicion, ku protagonistët akuzat ndaj arbitrave i përdorin si alibinë perfekte të dështimeve të tyre dhe në formën e një kasete ua japin në përdorim të penalizuarve të radhës. Për çudi, të njëjtët nuk flasin kurrë kur vendimet e arbitrave janë në favor të tyre ose të marrin në konsideratë teorinë e peshores, sipas së cilës në vazhdimësinë e garës do të kenë edhe favore, edhe ndëshkime prej bluzave të zeza.

 

Megjithatë, në një situatë kubesueshmërie ndaj klasës së arbitrave ka prekur pikën më të ulët, do të ishte e nevojshme një strategji për të minimizuar akuzat dhe për të përcjellë mesazhin se organizatorët e garës janë të parët të interesuar për mbarëvajtjen e aktivitetit.

RIDIMENSIONIM I ROLIT TË ARBITRAVE

Në kushtet kur nga protagonistët e fushës, stafet teknike dhe nga drejtues të lartë vijnë akuza nga më të rëndat, është e domosdoshme ruajtja e statusit të arbitrave, si përfaqësues të mbrojtjes së rregullave të lojës, por edhe të figurës së tyre. Koha kur protestohet dhe sulmohen verbalisht qoftë edhe për vendim të gabuar në një goditje dënimi apo ndëshkimi me karton, meriton të marrë një përgjigje institucionale, nëpërmjet pezullimeve dhe ndëshkimeve financiare. Duke huazuar eksperiencat më të mira në kontinent, arbitrat meritojnë mbrojtjen e organizatorëve të garës, qoftë kjo edhe me ndryshime të mundshme në Kodin e Disiplinës Sportive, ku të sanksionohen në mënyrë të paekuivok gjobat dhe pezullimet për cilindo që proteston, ofendon apo sulmon arbitrat para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjeve. Vetëm duke evituar këtë klimë presioni, arbitrat do të jenë më të mirë për të ushtruar detyrën e tyre dhe me shumë mundësi do të ndikojë për të marrë vendime të drejta.

auto_arbitraT1559493747

REDUKTIM I NUMRIT TË ARBITRAVE NË KATEGORINË SUPERIORE

Në sezonin e kaluar, konfirmuar edhe nëpërmjet tabelës, 180 ndeshjet e kampionatit u gjykuan nga 21 arbitra. Më i aktivizuari ndër ta ishte Enea Jorgji me 18 ndeshje. Ndërkohë që i njëjti trend vijon edhe në kampionatin aktual. Për krahasim shikoni tabelën e ndeshjeve në Premier League, ku në këtë sezon janë luajtur Arbitrimi në udhëkryq, reformimi një domosdoshmëri OPINION Nga YLLI AGA vetëm 25 javë dhe janë aktivizuar po 21 arbitra, me të veçantën se me të mirët janë pothuajse çdo javë në fushën e lojës. Tabelat krahasuese na shërbejnë për të kuptuar sa e rëndësishme është për arbitrat që të jenë çdo javë të aktivizuar për të fituar eksperiencën e domosdoshme, për të fituar vetëbesim dhe për të krijuar profilin e zyrtarit, aq e domosdoshme për këtë profesion. Pasi, në mënyrë të njëjtë si futbollistët me statusin e rezervave e kanë të pamundur për të dhënë më të mirën e tyre në ato pak ndeshje që hidhen në fushë, edhe arbitrat janë maksimalisht të penalizuar nga ndeshjet e pakta që marrin të gjykojnë në harkun e një kampionati. Për ta realizuar një gjë të tillë, nevojitet ulja e numrit të arbitrave për Kategorinë Superiore nga 18 që është aktualisht në 10-12 ose përdorimin e 6 arbitrave në çdo ndeshje.

NDESHJET E ARBITRAVE NË KAMPIONATIN 80:

1-ENEA JORGJI (18 NDESHJE)

2-ELDORIAN HAMITI(17 NDESHJE)

3-JUXHIN XHAJA(17 NDESHJE)

4-KRIDENS META (16 NDESHJE)

5-ANDI KOÇI (12 NDESHJE)

6-LAVER ALLA (11 NDESHJE)

7-ARDIAN BEQIRI 8-KLAJDI KOLA (10NDESHJE)

9-KLODIAN SHAHINI (9 NDESHJE)

10-KRESHNIK CJAPI (8 NDESHJE)

11-OLSI SOKOLI(7 NDESHJE)

12-INDRIT MYRTJA

13-EMIRJON SINO (6NDESHJE)

14-KRESHNIK BAJRAMAJ

15-OLSID FERATAJ(5 NDESHJE)

16-ORLANDO KUKA (4 NDESHJE)

17-HERMAL LLAPRA

18-BLERIM ZIRI(2 NDESHJE)

19-GLEN TONNA (MALTA)

20-F.BECKER (LUKSEMBURG)(1 NDESHJE)

21-D.MECHKAROVSKI

NDESHJET E ARBITRAVE NË KAMPIONATIN 81:

1-E.HAMITI, K.META 10 NDESHJE

2-E.JORGJI 9 NDESHJE

3-A.KOÇI 7 NDESHJE

2-J.XHAJA, K.BARJAMAJ, E.SINO, A.BEQIRI, K.KOLA, L.ALLA, O.FERATAJ 6 NDESHJE

3-K.CJAPI, O.KUKA 5 NDESHJE

4-B.ZIRI 4 NDESHJE

4-K.SHAHINI 3 NDESHJE

5-R.MUSKA, E.BASTARI 2 NDESHJE

6-P.FARRUGHIA 1 NDESHJE

NDESHJET E ARBITRAVE NË PREMIER LEAGUE:

1-M.ATKINSON 21 2- A.TAYLOR 20, M.OLIVER 20 3-P.TIERNEY 19, M. DEAN 19 4- C.KAVANAGH 18 5-J.MOSS 17 6- K.FRIEND 16 7-A.MARRINER 15 8- G.SCOTT 13, C.PAWSON 13 9- S.ATTWELL 12 10-L.MASSON 12 11-D.COTTE 10 12- A.MADLEY 8, 13- S. HOOPER 7 14-P.BANKES 5 15-T.ROBINSON 2 16-O.LANGFORD 1, R.JONES 1, D.ENGLAND 1

UNIFIKIM I STANDARDIT TË ARBITRIMIT

Përdorimi i teknologjisë në futboll, përtej të gjitha të mirave që ka sjellë,për momentin ka prekur në thelb vetë rregulloren e këtij sporti dhe që është e unifikuar për të gjitha vendet e botës. Kjo, pasi në një mazhorancë vendesh përdorimi i saj, kryesisht për arsye financiare, është i pamundur duke krijuar në sytë e të gjithë një standard të dyfishtë për arbitrimin e një ndeshje futbolli. Me dëshirën që përdorimi i saj të jetë sa më i afërt në futbollin tonë dhe në kushtet kur akuzat ndaj arbitrave janë shtuar në maksimum, organizatorët e garës duhet edhe një herë të marrin në konsideratë unifikimin e standartit të arbitrimit, ku të shmanget përdorimi në vetëm një ndeshje me gjashtë arbitra, por në të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore. Një gjë e tillë mund të bëhet e mundur nëse fondit aktual prej 19 milionë lekësh t’i shtohen 22.5 milionë lekë të rinj. Një diferencë që mund të mbulohet nga buxheti i FSHF ose nga vetë klubet pjesëmarrëse, të cilat të çliruar nga të gjitha detyrimet e mëparshme mund dhe duhet ta bëjnë një sforco të tillë. Do të mjaftonte vetëm të kujtonim rolin e arbitrave të linjës siç ishte prezent në takimin Kukësi-Partizani për rastin e golit të Abazajt apo në mungesë në penalltinë e pretenduar nga ballshiotët në takimin TeutaBylis për t’u bindur për rëndësinë e tyre. Aktivizimi i gjashtë arbitrave në çdo ndeshje të Superiores do të bënte që pothuajse të gjithë arbitrat e elitës së futbollit tonë të aktivizoheshin pothuajse në çdo javë, qoftë si kryesorë apo gjyqtarë të linjës, duke i dhënë kuptim profesionit të tyre të dytë.

MARRËVESHJE SHKËMBIMI ME FEDERATAT FQINJE

Prej disa sezonesh FSHF ka aplikuar marrëveshje shkëmbimi me federata homologe, si Luksemburgu dhe Malta, por në raste specifike nuk ka ngurruar të sjellë arbitra nga Maqedonia dhe Sllovenia për të gjykuar ndeshje të kampionatit tonë, të cilat kanë ndikuar për të ulur presionin në ndeshjet e përzgjedhura. Por ndërsa të gjitha zgjidhjet e përdorura kërkojnë kohë dhe programime ekstra, një marrëveshje shkëmbimi me federatat fqinje, si Kosova dhe Maqedonia, mund të ishin shume më të efektshme, pasi afërsia gjeografike do të mundësonte që të përzgjidheshin arbitra për ndeshje të caktuara që mbartin tension edhe vetëm pak ditë para zhvillimit të tyre. E sigurt që çdo vendimmarrje apo përmirësim nuk do t’i shuajë gabimet e arbitrave, pasi një gjë të tillë nuk po e eviton as teknologjia, por e sigurt që do t’i minimizojë ato dhe mbi të gjitha do të ndalë edhe histerinë e opinionit sportiv ndaj tyre.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"