Stadiume të bukura, një tjetër sfidë që duhet fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2020 | 20:28

Stadiume të bukura, një tjetër sfidë që duhet fituar

 UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Impakti, para, gjatë e pas takimit që shoqëroi derbin e njohur, të rivalizuar e të polemikave tradicionale Partizani-SK Tirana ishte shumë impresionues. Një spektakël i vërtetë, me vlera më të mëdha e më të rëndësishme se taktikat, golat, arbitrat, të ardhurat financiare e mjaft argumente, diskutime, pretendime, justifikime shpesh të panevojshme, të përsëritura, me atë çfarë përcolli “live” atë mbrëmje “Air Albania Stadium”.

Diçka e jashtëzakonshme, e mrekullueshme, gati e pabesueshme. Ndonëse të ndarë nga përkatësia e ngjyrave, por të gjithë të bashkuar në një ndjesi unike, ai ka qenë jo vetëm një 90- minutësh dinamik, plot ankth dhe emocione. Falë teknologjisë bashkëkohore, në shkëlqimin spektakolar të botës fantastike të tij, mijëra shqiptarë harruan problemet ekonomike, familjare, të paktën në ato orë qëndrimi aty. Nuk ishim mësuar të shihnim një stadium të tejmbushur, tifozëri pasionante, një spektator që ta përjetojë në ekstrem një sfidë të kampionateve kombëtare, sidomos në vitet e fundit. Këtë na e ofroi mbrëmja festive e “Air Albania Stadium”.

AIR

Një strukturë e admirueshme, një impiant që të befason, për nga komoditeti, atmosfera, siguria, garancia dhe kënaqësia që të jep për të shijuar një ndeshje futbolli. Të dukej si një derbi apo një takim ndërkombëtar, sepse duke nisur që nga vajtja, qëndrimi e në fund argëtimi, ishin sa emocionuese, aq edhe sociale. Asgjë nuk të lodh, përkundrazi janë minuta dhe një kohë që kalon shumë shpejt. Aq shpejt, sa të vjen keq kur ndeshja ka mbaruar dhe ti largohesh nga ajo infrastrukturë e bukur, tërheqëse. Atmosfera elektrizuese që krijohet dhe ndien brenda tij është unike.

Një stadium që shpreh edhe mënyrën apo mundësinë për të kuptuar se sa vlerë ka një projekt modern, avangardë në raport me klubet, skuadrat dhe tifozëritë. Një lidhje harmonike, një ndërthurje sportive, kulturore me vetë qytetin, strukturën, jetën dhe banorët e tij. Sigurisht, nuk është e lehtë që të bëhej një hap i madh si ky. Por, “Air Albania” po tregon se në një mjedis të tillë, po lind një stil dhe mënyrë e re e qëndrimit, frekuentimit, ambientimit, respektimit dhe më kryesorja me shpresën e një forme të re të sjelljes së grupeve të tifozëve. Dikur, një biletë anësore 10-lekëshe, një përballë 20 lekë apo tribunë ose partative 30 lekë, me apo pa autorizim, deri dhe një stol më vete që shërbente për të qëndruar në këmbë… Aq mjaftonin për të ndjekur një ndeshje futbolli në mesditën e nxehtë me diell apo të ftohtin me shi në stadiumet e periudhës së betonit. Ishin pa ndenjëse, pa mbulesë, pa reflektorë, pa ndriçim dhe pa ekrane gjigante.

air-albania-1

Pa harruar Ali Pazarin me parkingun e tij, ku në mungesë të automjeteve, ishte njeriu që i dorëzoheshin dhe sistemonte e garantonte biçikletat e mijëra tifozëve. Sot në Tiranë kemi një mjedis ndryshe, modern, për veten tonë, tifozërinë, futbollin kombëtar, klubet, lojtarët, arbitrat e mediat. Është për familjet, fëmijët, gratë dhe vajzat, forcat e rendit, stjuardët dhe deri te të huaj. Një strukturë që të përball e të imponon një spektator korrekt e civil, që krijon rivalitet e respekt reciprok sportiv në fushë, në shkallë e tribuna, që duhet reflektuar një tjetër edukatë, traditë, kulturë, të domosdoshme për të qenë edhe në këtë drejtim pjesë e formateve sportive europiane.

Një stadium që të detyron të ndahesh nga dhuna, veprimet e vjetruara, anakronike e aspak sportive, duke nxitur e ofruar gjithmonë e më shumë qytetërim, për të cilin kemi aq nevojë të gjithë. Bashkëkohorë sigurisht janë edhe “Loro Boriçi” apo “Elbasan Arena”, por me madhështinë e tij, “Air Albania Stadium” është diçka tjetër. Është një model ndryshe, për t’u imituar në çdo drejtim, si një tjetër sfidë që duhet fituar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"