Vllaznia-Besa, në vijim të një replike…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2019 | 20:51

Vllaznia-Besa, në vijim të një replike…

NAMIK MEHMETI

Namik Mehmeti2

Për më shumë se 40 vite kam qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt me gazetën “Sporti Popullor” më pas “Sporti” se fundi “Sporti Shqiptar”. Kam njohur e bashkëpunuar me kryeredaktorët e kësaj gazete të dashur për rininë shqiptare si O.Palushi, S.Tupja, A.Korbi, B.Dizdari etj., si dhe me gazetarët e nderuar të kësaj gazete si I.Bellova, K.Grillo, N.Gjuzi, B.Tufa, A.Golemi etj.

Nuk kam munguar të pasqyroj disa nga aktivitetet më të rëndësishme sportive në qytetin tim të lindjes, Shkodrës, ku futbolli pa dyshim që zinte ngjarjet më emocionuese dhe më të preferuara nga lexuesi.

Duke ndjekur edhe sot këtu në Firence, ku jetoj familjarisht, ngjarjet sportive nëpërmjet gazetës “Panorama Sport”, një gazetë e larmishme dhe tërheqëse, artikujt e ngjarjeve që kanë bërë bujë për kohën dhe që më shumë i ka marrë përsipër Uvil Zajmi, nuk munda të mos ndërhyja në replikën që ky gazetar po ndërmerr me shumë pasion goditjen e ishgjyqtarit të njohur shqiptar Arsen Hoxha, madje më shumë se një herë.

Namik Mehmeti

E kam njohur Arsenin po aq sa dhe Zajmin, pasi pas përfundimit të ndeshjeve përpiqeshim të mësonim nga goja e tyre për ndonjë veprim të pakontrolluar siç është rasti i pozicionit jashtë loje apo dhënia e 11-metërshit. Mos harrojmë se deri në fund të viteve ’80, intervistat me gjyqtarët ishin të papranueshme në shtypin e kontrolluar nga partia në fuqi, megjithëse shkëndijën e një kthese e kishte dhënë gazetari i mirënjohur Besnik Dizdari, më parë në gazetën “Bashkimi” e më me guxim në “Sportin Shqiptar”.

Nuk marr iniciativën që të jem ndërmjetës në mes dy ish-gjyqtarëve të lartpërmendur, pasi Arseni me një pjekuri profesionale ka argumentuar se çfarë ka ndodhur 38 vite më parë në ishstadiumin “Vojo Kushi”, në rastin e golit të dytë nga Besa e Kavajës në finalen e 14 qershorit 1981.

Kam qenë i pranishëm në këtë finale, përkrah kolegut tim B.Tufa. Artikulli i shkruar për këtë ndeshje nuk mban firmën e autorit, pasi orientimi ishte i tillë që kur ngjarjet lidheshin me ndonjë vendim të gjyqtarit dhe në fushë krijoheshin debate dhe artikulli mbante firmën e redaksisë.

Vllaznia Besa

Më ka ndodhur edhe një herë tjetër, kur në Shkodër në ndeshjen Vllaznia-Dinamo 2-2, gjyqtari i njohur R.Pregja nuk sinjalizoi për një 11-m për Vllazninë bëri që ceremonia e dhënies së titullit kampion të mos zhvillohej, pasi tifozëria shkodrane në prani të ish-ministrit të Brendshëm të diktaturës komuniste, F.Shehu, goditi me gurë ekipin kampion për një rezultat të favorizuar haptas.

Nëse Uvil Zajmi ka marrë përsipër të mbajë në këmbë rubrikën: “Kur kanë gabuar e nuk kanë gabuar arbitrat”, duhet të jetë më i informuar, jo vetëm duke shpalosur pakënaqësitë e njërës palë, në rastin konkret të Besës, por të dëgjojë edhe palën tjetër. Mbas 38 viteve unë në rolin gazetarit, nuk i shikoj me atë sy ato episode që nga kolegu Efica dhe ish-futbollisti Kazazi, dramatizohen deri në ekstrem dhe Zajmi i bën të mirëqena.

gfg6f6

Aty në Tiranë ka fare pranë protagonistët e këtij dueli, si Hafizi, ku goli i tij i dytë sot interpretohet vetëm nga Mesi, apo Dedja, Luci, Jera e me anë të telefonit deri në Amerikë te Vukatana. Nuk mund të fshihet nga e vërteta se Vllaznia e të ndjerëve Zhega e Rakiqi ka seleksionuar një kupë të pamerituar.

Kam konstatuar se Zajmi në specialet apo opinionet që shkruan ka nganjëherë fakte të pakontrolluara deri sa atje që një volejbollist të mirënjohur në Shkodër ta bëjë të vdekur, kur ai, edhe pse po afron te të 80-at, gëzon shëndet të plotë. Për një speciale për treshen Bizi-Rragami-Zhega e kam telefonuar për disa gabime që një gazetari profesionist nuk i falen.

Unë nuk kam asgjë të ndaj me Zajmin, por dua t’i them se të merresh dy herë me Arsen Hoxhën është tendecioze dhe të shfletojë faqet e “Sportit” se ka emra të tillë si Ramiz Pregja apo Tomson Neziri (me sa kujtoj u ka kërkuar të falur shkodranëve) në dy ndeshje të Vllaznisë me Dinamon në Shkodër janë kthyer në manifestime të hapura ndaj sistemit diktatorial. Pse gjithnjë në orbitën e Zajmit episode ndaj skuadrave të rretheve, kur në Shkodër qarkullonte batuta: “Dinamo e Partizani janë monumente kulture…”, e thënë ndryshe të pacenuara.


Me gjithë vlerësimin dhe respektin që kam për të vetmen gazetë sportive në Shqipëri, dua të tërheq vëmendjen e redaktoreve përkatës se në të tilla shkrime, ata duhet të mos nxitohen në botimin e tyre pa u shfletuar edhe koleksionet e gazetës “Sporti” apo librat sportivë të botuar nga historiani i sportit shqiptar, Besnik Dizdari.

Firence, 2 korrik 2019

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"