Ky Emanuel Egbo, trajner portierësh apo… misionar nga qielli?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2019 | 19:41

Ky Emanuel Egbo, trajner portierësh apo… misionar nga qielli?

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Emanuel Egbo do të thotë bekim, do të thotë fat, pra, do të thotë edhe… titull kampion! Në një intervistë në ekran, trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, ka zbuluar se ai nuk është thjesht një trajner i zakonshëm portierësh dhe kthesa e Tiranës nuk është një hardallosje pa shkak.

Egbo, vetëm Egbo e ditka se triumfi në derbi, triumfi ndaj krizës dhe paqja në shpirtin bardheblu kanë ardhur më shumë nga qielli sesa nga toka. Egbo paska “folur” me Zotin para ndeshjes derbi dhe Ai i ka thënë se gjërat do të ndryshojnë kryekëput, madje në fund do të jetë i lumtur.

Emanuel Egbo Tirana derbi

Kur dikush e ka ngacmuar Egbonë se përse Zoti në këto 5 vite, ku Tirana ka provuar trajnerë me emër nga jashtë dhe nga brenda, nuk i ka dëgjuar thirrjet e tyre, nigeriani jep një shpjegim bindës, që lind nga besimi… “Unë e kam emrin Emanuel dhe në Nigeri, në vendin tim, ky emër është shumë i lidhur me Zotin. Lum ata që mbajnë një emër të tillë, sepse janë të zgjedhur…”.

Siç duket, edhe presidenti Halili, nëse do të kujtoni fjalët e tij pas fitores në derbi, më në fund ka besuar se mrekullia do të vinte nga qielli, pasi nga toka derbi kishte qenë një betejë e humbur ende pa filluar.

Dhe në qoftë se besojmë te kjo mrekulli, cili president, sidomos kur është besimtar, do ta këmbente fatin e bekuar që vjen nga një Emanuel i zgjedhur, krejt ndryshe nga gjithë trajnerët e tjerë, që edhe pse kanë zotësi profesionale më të shquara se Egbo, u mungon diçka supreme, që nuk duket, por është dhuratë nga… lart!

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"