Hipokrizia bardheblu: Mema fiton meritë vetëm kur… shkarkohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2019 | 21:18

Hipokrizia bardheblu: Mema fiton meritë vetëm kur… shkarkohet

GËZIM SINEMATI

gezim sinemati

Në kohën e të madhit Ali Mema, kur loja ishte shpirtërore dhe s’kishte perëndi që ta ndrynte brenda një skedine, trajnerët ishin zotat e vetëm të futbollit, ata që përcaktonin se si do të vazhdonte fati i futbollistit.

Në kohën e djalit të tij, trajnerit Ardi Mema, graviteti moral i futbollit ka ndryshuar aq ndjeshëm, sa mund të thuhet pa frikë se, tani, janë futbollistët që përcaktojnë fatin e trajnerit. Dhe për këtë rokadë pushteti, as nuk vihet në dyshim, kanë meritë të padiskutueshme presidentët e klubeve.

ardian memaa

Ata, të cilët kur zbarkuan në fillim, pa mësuar akoma marifetet e zanatit, e shikonin trajnerin si një shenjt, si një magjistar që me skemat e tij taktike mund të ndryshonte ngjarjet në fushë. Kjo kohë ka vdekur tashmë dhe Ardi Mema është viktima e fundit, për shkarkimin e të cilit kombinuan me marifet presidenti dhe futbollistët.

Kishte javë që thuhej se koka e Memës ishte prerë në gijotinën e gazetave, kishte javë që presidenti Halili falte mëshirë për njeriun e stolit, gjersa erdhi një ditë, nga ato që tregojmë zotësinë për të tradhtuar… për të mirën e klubit. Dhe hipokrizia vishet bardheblu, kur, fill pas fitores së bujshme në Gjirokastër, merita ndahet si me porosi midis trajnerit të ri, Ahmataj, dhe trajnerit të larguar, Mema.

ardian mema refik halili

A është për të thënë haleluja? E hoqën për një humbje, kur ishte në stol dhe i falin meritë për fitoren kur… kur kishte ikur në shtëpi! Një qokë tamam sipas zakonit tonë, kur je gjallë s’të duan, të lëvdojnë me overdozë hipokrizie kur nuk je më.

Kështu ndodhi me Josën, me lot përcollëm edhe brazilianin Ze Maria, që i lamë të kuptonte se “samba” jonë nuk ka lidhje me topin më shumë sesa me njerëzit. Dhe në listën e madhe të trajnerëve të shkarkuar, kuptohet te të gjitha klubet dhe jo vetëm te Tirana, Ardi Mema do të kujtohet edhe për një deklaratë që kapërceu orbitën e kurajës klasike të trajnerëve: “Ju nuk i doni ekipet që kanë bërë histori. Atëherë, le të argëtohen provincialët”.

Dhe në këto momente, kur predikohet se edhe Tirana është pretendente për titull, duke e shpërfillur faktin se një vit më parë shpëtuan për qime, si mund të jetë në stol një trajner që fshikullon mëkatet e sistemit? Një sistem uzurpues, tek i cili duhet të marrësh leje edhe kur të thuash nëpër intervista se… këtë vit jemi pretendentë për titull!

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"