Këshilla për derbin nga kampionët e 50-vjetorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2019 | 23:23

Këshilla për derbin nga kampionët e 50-vjetorit

EDUARD ZALOSHNJA

Zaloshnja2

Në vitin 1970, Tirana festoi 50-vjetorin e krijimit të klubit dhe futbollistët e saj i bënë një dhuratë të bukur klubit dhe të gjithë tifozëve të tij në atë vit – fituan kampionatin për të 5-ën herë në një periudhë 6-vjeçare (një kampionat ia hoqi federata e ia dha Dinamos, pas një sherri masiv në derbin Tirana-Partizani).

Dje pata fatin të pija kafe me dy nga ata kampionë legjendarë – fantazistin Luigj Bytyçi dhe portierin Bujar Tafai. Të dy ishin në ethe përpara derbit të kësaj jave – vazhdojnë të shkojnë në stadium rregullisht. “Si shpjegohet suksesi i tyre i mahnitshëm ndaj ‘armiqve’ të Partizanit për 6 vite rresht?”, i pyeta.

Luigji Bytyci

Duke plotësuar njëri-tjetrin, më dhanë pak a shumë panoramën e mëposhtme për derbin me Partizanin. Partizani grumbullonte futbollistët më të mirë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, përmes shërbimit të detyruar ushtarak të asaj kohe. Ndërsa futbollistët e Tiranës ishin të gjithë shokë të ngushtë, që kishin luajtur bashkë që në fëmijëri. “Ne ishim të gjithë si vëllezër, që nuk donim ta turpëronim ‘babain’ tonë (trajnerin) e ‘familjen’ tonë (tifozërinë)”, tha Tafai.

Tirana 50 vjet

“Për ne nuk kishte rëndësi kush luante në formacion e kush mbetej në stol, kush shënonte apo kush shpëtonte portën – ne luanin të gjithë për një e një për të gjithë”, tha Bytyçi (Në këtë moment ndërhyn Tafai: “Luigji më ka shpëtuar disa herë portën në vijë fatale, megjithëse ishte fantazist i avancuar”). Siç u kujtohej atyre, në javën para derbit, ata e vazhdonin vetë stërvitjen, edhe pasi mbaronin seancat stërvitore.

Tirana-Partizani-770x470

Madje, diskutonin mes vetit edhe taktikat që u kishte sugjeruar trajneri gjatë seancës. Ata mbanin një regjim të vetëdetyruar gjatë javës së derbit (pa ia imponuar kush). Në atë javë nuk bënin gjë tjetër veçse stërvitje dhe çlodhje në shtëpi (po të dilnin në rrugë, nuk kishte shans të mos i ndalonte ndonjë tifoz e t’i ofronte me zor një gotë). Te Tirana e sotme ata nuk shohin të njëjtën frymë grupi. Sidoqoftë, kanë shpresë se disa nga lojtarët që kanë dalë nga akademia e Tiranës, si dhe trajneri që është me gjak “bardheblu” (bir i legjendës Ali Mema), mund të transmetojnë sadopak traditën e Tiranës.

Para derbit të paktën, ata presin që lojtarët të stërviten më seriozisht dhe të mbajnë regjim pas stërvitjes. Gjithashtu, Bytyçi e Tafai kanë një këshillë edhe për tifozërinë. Ata kujtuan se para ndeshjeve me Partizanin, qendra e stërvitjes mbushej plot me tifozë, që ndiqnin stërvitjen. Përkrahja e tifozëve fillonte që në stërvitje, lëre pastaj ç’bënin në stadium ditën e derbit…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"