Shqipëria ç’ka qenë, çfarë është dhe çka mund të jetë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2019 | 23:30

Shqipëria ç’ka qenë, çfarë është dhe çka mund të jetë…

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Ia mora titullin Sami Frashërit, për ne madhështor, ndonëse fjala nuk është për Shqipërinë, por thjesht për Shqipërinë e Kombëtares së futbollit të saj. Shemsedin Sami Bey, siç njihet në Turqi, nuk ka punë me futbollin, ndonëse një herë ai pati punë me futbollin. Në muajt e fundit të jetës së tij, ai u mor me të birin, Ali Samiun e famshëm të sportit e të futbollit, i cili me shokët e tij po themelonte shoqërinë futbollistike ose klubin Galatasaray.

shqiperia kombetarja

Sami Bey shkoi në Ministrinë e Brendshme të Perandorisë për të nxitur njohjen zyrtare të Galatasary-t. Mandej e gjithë historia shkoi në të mirë të birit të tij, Ali Samiut, i cili çka nuk u bë: president i Galatasaray-t, futbollist i saj, president i Komitetit Olimpik të Turqisë, trajner i kombëtares së Turqisë. Të gjitha këto të ruajtura te kujtimi i stadiumit me emrin e tij: “Ali Sami Yen”, si dhe te busti i tij përjetësues.

Duke iu kthyer Kombëtares së Shqipërisë, ajo është ndër të rrallat prej 32 shteteve të Europës të pararënies së Murit të Berlinit, e cila për ndeshjet ndërkombëtare luajti për herë të parë vetëm mbas Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse në fushën e lojës, si themelim, kishte dalë për herë të parë më 5 mars 1936 në Shallvaren e Tiranës. Dhe mbas plot 10 vjetëve, qysh në ndeshjen e parë të saj ndërkombëtare, fitonte 5-0 me Malin e Zi me një trajner të huaj: jugosllavi Ljubisa Brocic.

shqipe

Ai që e ndërtoi Kombëtaren brenda një jave të vetme, pa e njohur aspak. Në të vërtetë, nuk e ndërtoi vetëm ai, por më fort, bashkë me te e ndërtuan edhe shqiptarët Adem Karrapici dhe Bik Jakova. Ljubisa e drejtoi. Dhe mbas pak ditëve ai e bëri kampione të Ballkanit. Një sensacion botëror! Kishte mposhtur dy kombëtare, të cilat para Luftës kishin qenë pjesëmarrëse të turneut final të Kupës së Botës: Jugosllavia dhe Rumania.

Shqipëria e fillimit të viteve ’40, në të vërtetë, deri diku kishte qenë edhe një skuadër paksa “e huaj”. Kështu, ngaqë Loro Boriçi kishte luajtur me Lazio-n e Romës dhe Sllave Llambi me Fanfulla-n, ndonëse kishte veshur pa luajtur edhe fanellën e Interit. Natyrisht jo aq italiane sa sot, teksa në fitoren me Islandën italiani Reja pati 6 djem shqiptarë të cilët luajnë në kampionatet e Italisë. Kujtojmë, ndërkaq, se drejtimi italianizues i Kombëtares nisi qysh me ndeshjen e 12 tetorit 2002, atë Shqipëria – Zvicra 1-1, me premierën e trajnerit italian Giuseppe Dossena. Janë plot 17 vjet pa një trajner shqiptar! Rekord europian i futbolli kombëtaresh për një shtet europian!…

Festa e golit te shqiperise

Qysh nga tetori 1946 kjo kampione e Ballkanit ka qenë një ndër kombëtaret më të paqëndrueshme në Europë. Humbëse, sidomos me fillimin e viteve ’50, duke qenë në duart e një regjimi, me gjithë përparimin, ajo herë dukej e herë zhdukej, ndonëse ndonjëherë bënte deri dhe ndonjë sensacion europian. Mandej prapë humbte. Kombëtarja e Shqipërisë ka qenë një Kombëtare gjithnjë me lojtarë të kampionatit të Shqipërisë, i cili ashtu siç ishte, i vogël e pa ndonjë peshë europiane, për çudi prodhonte talente të nivelit europian, të cilët pa dyshim që mund të luanin me sukses me klube të Europës nëse regjimi do t’i lejonte.

E drejtuar nga trajnerë shqiptarë, Kombëtarja e Shqipërisë përpiqej të mësonte sadopak nga Europa. Në rrjedhën, që po e quajmë edhe “taktike” të saj, thuajse të gjithë trajnerët i kishin sytë te mbrojtja, sepse duheshin mënjanuar katastrofat, që siç dihet, nuk kanë qenë të rralla. Regjimi nuk i duronte ato. Dhe taktika e sulmit gjithnjë qe spontane, ndonëse ky sulm shpesh nuk mund të komandohej prej trajnerëve, edhe ngaqë bie fjala, një Panajot Pano apo një Medin Zhega e kishin mendjen veç te porta kundërshtare.

Shqiperia goli

Kombëtarja e Shqipërisë megjithëse përvetësoi jo pak taktikën e kohës, në tërësi ajo ishte një skuadër pa disiplinë të qëndrueshme taktike, sado që dy trajnerë të dëgjuar sovjetikë, Boris Apuhtin dhe Nikollai Ljukshinov, u përpoqën t’ia mësonin taktikën. Çka u pasuan nga taktiku më i madh i Kombëtares që ishte mjeshtri Loro Boriçi. Kombëtarja e Shqipërisë pati mandej fatin e keq që nuk mori pjesë rregullisht në garat euro-botërore për shkak të një regjimi i cili kujtonte se i binte autoriteti po t’i mundej Kombëtarja e futbollit.

Vetëm duke filluar nga viti 1980 e deri më sot, Kombëtarja e Shqipërisë luajti rregullisht në këto gara, duke siguruar kështu një jetë pa ndërprerje. Kjo mund të themi se solli edhe rritjen graduale të saj, jo rritjen e vrullshme, natyrisht. Deri më 21 janar 1998, Kombëtarja e Shqipërisë kishte luajtur vetëm me futbollistë të cilët i kishte lindur e formuar vetë Shqipëria. Në këtë ditë të 21 janarit 1998, Shqipëria nën drejtimin e trajnerit Astrit Hafizi, ka luajtur në Antalia të Turqisë një ndeshje miqësore me kombëtaren e këtij shteti dhe ka fituar 4-1, duke pasur në 19 minutat e fundit një lojtar nga Kosova.

Ishte hera e parë në histori që Kombëtarja shqiptare kishte nën fanellën e saj një lojtar të cilin nuk e kishte formuar Shqipëria. Quhej Arian Beqaj dhe ishte portier i skuadrës OFI të Kretës së Greqisë. Ai kishte lindur në Prizren dhe për herë të parë, kishte luajtur me klubin Liria të këtij qyteti. Mandej ai do të bëhej edhe portier i Partizanit të Tiranës. Kjo ditë janari ’98 shënon ditën kur në Kombëtaren e Shqipërisë luante për herë të parë një shqiptar jo i Shqipërisë. Sigurisht nuk harrojmë italianin Giacomino Poselli – kampion i Ballkanit me Shqipërinë 1946, por ai duhet konsideruar një lojtar i formuar në Shqipëri me fillimet e tij te Flamurtari i Vlorës.

Ndërkaq, historia na çon te dita e 15 nëntorit 2000, kur në Tiranë, Shqipëria fiton 3- 0 me Maltën, një miqësore pa shumë peshë kjo, dhe trajneri i paharrueshëm Medin Zhega në 45 minutat e dyta do të përfshinte në 11-shen e tij futbollistin e parë “joshqiptar” të rangut të lartë europian, Besnik Hasin e Anderlechtit të Belgjikës. Në 28 minuta do të luante edhe Beqaj dhe kjo është dita e parë e dy shqiptarëve të Kosovës te Shqipëria. Unë gëzohesha fort, sepse isha i pari që përmes një shkrimi në “Sporti Shqiptar” që drejtoja, kisha propozuar se edhe shqiptarë të Kosovës mund të luanin në Kombëtaren e Shqipërisë.

Kisha përmendur Kujtim Shalën e Lirisë së Prizrenit, Partizanit të Beogradit, Prishtinës, Dinamos së Zagrebit, të Rennes të Francës, Stuttgarter Kicker, Fortuna Dusseldorf e Leipzig të Gjermanisë, madje edhe të 1 ndeshjeje me kombëtaren e Kroacisë. Atë çast të dyshes Hasi – Beqaj po e quaj “pikë kufiri” i një epoke të re, ndonëse asokohe nuk e merrja me mend se shumë shpejt Kombëtarja, më fort se “shqiptaro-republikane” ajo do të ishte “kosovaro-shqiptare” mbarëkombëtare.

Dhe është pikërisht ky 15 nëntor 2000 që na shtyn të kalojmë vetvetiu te “Shqipëria çfarë është”. Qysh nga kjo ditë, thuajse në mënyrë galopante Shqipëria tjetërsohet dhe çdo vit mbas viti ajo do të jetë një Shqipëri e përbërë në shumicë prej djemsh të cilët nuk i kishte lindur e formuar futbolli i saj, por ai europian. Sot lista është bërë kaq e gjatë, saqë na duhet një faqe e tërë gazete për t’i rreshtuar. Duke qenë këta “europianë” baza e Kombëtares, do të mbërrijmë te finalet e “Euro 2016” ku nga 20 lojtarë të cilët luajtën, plot 11 ishin djem europianë të Kosovës. Kjo është ajo pra, ajo: Shqipëria “çfarë është”.

A duhet quajtur e gjitha kjo një “revolucion permanent”? Pa dyshim! Madje, një revolucion që tani për tani duket se do të përpiqet të mos ndalë. Nga 27 lojtarët që ka nxjerrë në fushë trajneri i sapoardhur Edy Reja, ai aktivizoi plot 13 djem europianë të Kosovës: Berisha, Dermaku, Ismajli, Grezda, Ajeti, Veseli, Abrashi, T.Xhaka, M.Basha, Lenjani, Mavraj, Ramadani dhe Gjimshiti. Gjashtë prej të cilëve, madje, as që kanë lindur në Kosovë, por në Zvicër, Gjermani e Itali. Dhe 6 prej tyre: Veseli, Abrashi, T.Xhaka, M.Basha, Mavraj, Gjimshiti më parë kanë luajtur me kombëtaret e moshave deri në 21 vjeç të atyre shteteve. Madje njëri, Mërgim Mavraj, ka luajtur deri me kombëtaren e 21-vjeçarëve të Gjermanisë!

Kujt mund t’ia kishte marrë mendja ndonjëherë se me Kombëtaren e Shqipërisë, do të luante një kombëtaras i superfuqisë botërore të futbollit që është Gjermania!… Shqipëria në njëfarë mënyre nuk është thjesht Shqipëria. Është Kombëtarja e Republikës së Shqipërisë e përbërë kryesisht prej bashkëkombësve europianë të jashtë Shqipërisë. Dhe dihet, duke ardhur prej vendeve me futboll më të zhvilluar, ata sollën një profesionalizëm më tepër, njohuri më të mëdha, më moderne të futbollit, duke kulmuar me “Euro 2016” – Shqipëria finaliste në 24-she të Europës, madje duke u renditur e 18-ta. Kaq për të mbyllur “Shqipëria ç’ka qenë dhe çfarë është”. E tash, Shqipëria “çka mund të jetë?”…

Duket se ende ajo është në mëshirën e Kosovës, e cila duket se nuk do të ketë aspak mëshirë. Ka formuar Kombëtaren e saj, madje sapo ka shpërthyer në Europë, duket pretenduar shumë më tepër se Shqipëria për të shkuar në finalet e “Euro 2020”. Djemtë e saj europianë parapëlqejnë Kosovën e tyre martire në vend të Shqipërisë. Ndërsa kësaj gjithnjë e më fort do t’i shterojnë djemtë nga Kosova, çka të bën të pyesësh fort: Çka do të jetë Shqipëria, mbasi e pamë shumë shpejt se çka ishte dhe se çka është?… Dy janë rrugët: të mbështetet kryesisht te shqiptarët jokosovarë të cilët luajnë me klube jashtë Shqipërisë. Dhe ajo çka është më e rëndësishme: të forcojë kampionatin e saj për të përfituar prej tij lojtarë për Kombëtaren.

Duke e parë edhe një herë 27-shen e trajnerit Reja, është interesant se në të gjejmë plot 10 emra të Shqipërisë të cilët as ata nuk i ka lindur e formuar kampionati i Shqipërisë: Hysaj, Strakosha, Ndoj, Kaçe, Qose, Gjasula, Memushaj, Mane, Balliu, Mihaj! Madje, edhe prej atyre të cilët as nuk kanë lindur në Shqipëri. Kombëtarja e Shqipërisë në 25-shen e këtyre dy ndeshjeve të fundit, kishte vetëm 6 lojtarë të cilit kishin lindur, ishin formuar në kampionatin e Shqipërisë: Cikalleshi, Sadiku, Balaj, Roshi, Uzuni, A.Hoxha. Shqipëria e sotme është një Kombëtare me pakicë të skajshme të lojtarëve të prodhimit të futbollit të brendshëm të saj.

Vërtet, çfarë do të mund të jetë Kombëtarja e Shqipërisë? Tash për tash kjo mund të duket një pyetje e parëndësishme. Në të vërtetë është shumë e rëndësishme… Deri aty saqë shtron pyetjen tjetër: A do të dalin burra në tokën e Republikës së Shqipërisë që do të ndërtojnë kryesisht (jo tërësisht) një Kombëtare e cila do të ketë si bazë lojtarët që lindin, rriten dhe formohen nga kjo tokë? Edhe kjo është një pyetje disi enigmatike, sepse në mënyrë po disi enigmatike, po drejtohet futbolli në Shqipëri.

Ky raport që mpak talentet shqiptare të futbollit të niveleve të larta, nuk ka ndodhur kurrsesi kësisoji në futbollin e Kombëtares së Shqipërisë e cila prej do kohësh ka fituar statusin e një Kombëtareje me shqiptarë të cilët edhe nuk kanë lindur në Shqipëri. Sidoqoftë, “kërcënimi” kosovar do ta detyrojë t’i kthehet futbollit të talenteve të tokës së Republikës së Shqipërisë. Talente të cilët ajo nuk ka ndalur asnjëherë së formuari. Në të vërtetë për të shkoqitur enigmën se “çfarë do të jetë” Kombëtarja e Shqipërisë tani e mbrapa, është pak për të dhënë alarmin. E kemi të keqen te Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, i cili këto vite ka rënë deri aty ku nuk e kishim menduar kurrë. Kaq edhe për kësaj radhe. Në numrin e nesërm të “Panorama Sport”, do të kemi kapitullin e fundit të këtij vështrimi…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"