Historitë e mallit të madh…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2020 | 0:09

Historitë e mallit të madh…

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Ky shkrim i Filip Guraziut i kushtohet Luan Shatkut, si një kujtim i çmuar i një shoku të sportit, i një kolegu të mësuesisë, i një bashkëqytetari. Paksa edhe të një bashkëvuajtësi në biografi, por që gjithsesi Luan Shatku nuk mund të krahasohet me ate çka vuajti Filip Guraziu. Nuk e kam këtu fjalën, megjithate. E kam fjalën te historitë që të çojnë mall. Është një mall dhimbjeje i basketbollistit të madh Filip Guraziu për basketbollistin e madh Luan Shatku (1937- 1987).

Një mall që papritmas, kushedi sa herë, të ringjallet në shpirt e në mendje. Dhe Filipi është ulur e ka shkruar këto radhë. Vetvetiu i duket se po bisedon me Luanin, teksa po vetvetiu ai shkon te një histori e jashtëzakonshme në të cilën Shatku dhe Guraziu janë dy protagonistë të mëdhenj.

E pra, a qëndrojmë diku përsëmbari në gjithë këte histori për ne epokale, kur në një Shqipëri tejet të vuajtur ndeshjet e basketbollit kishin mijëra spektatorë? Është vërtet e çuditshme se si në të quajturin “Këndi Spartak” të Shkodrës në vitet ’50 a ’60 kishte e pakta 3000 shikues për ndeshje, çka sot nuk arrij ta marr mend se ku rrinin. Këta kanë qenë për ne Filip Guraziu, Luan Shatku e shokët e tyre.

Tirana basketboll 1961

Filipi i bashkëngjit shkrimit të tij fotografi të jashtëzakonshme. Njëra i përket një ndeshjeje të vitit 1962 në Shkodër midis Vllaznisë dhe 17 Nëntorit. Vërejeni me vëmendje sa bukur qëndrojnë basketbollistët midis tyre. Miqësi, sinqeritet dhe respekt për njëritjetrin. Madje ashtu siç janë duke pozuar, ata sikur edhe bisedojnë midis tyre. Fotoja tjetër është një duel i pazakontë midis dy legjendarëve për ne: Luan Shatkut dhe Renato Radojës. “Kompozim në natyrë” i basketbollit shqiptar të asokohe. Tjetra është më historike: Kombëtarja e Shqipërisë.

Filip Guraziu kësisoji na ka dhuruar rrufeshëm një histori që i vjen prej kujtimit, prej mallit, për vitet e shokët e tij, teksa ia ka kushtuar Luan Shatkut të paharrueshëm, që aq shpejt u nda nga jeta.

Po çka ka Shqipëria e sotme që kujton kaq pak? Ose edhe kur kujton, kujton si në rrëmujë?

Kam mbi tryezë një libër të poetit rus por dhe sovjetik, i famshmi Jevgenij Jevtushenko. Ka vetëm 140 faqe. Shumica poezi, por edhe ese të shkurtra kushtuar plot mall sportistëve të mëdhenj të vendit të tij. Arkadiev, Jashin, Fedotov, Bobrov, Strelcov, Nikanarov, Bjeskov, Paramanov, Neto, Simonian, Homiç, Nikollajev, Ponomarjov, Mes-hi, Dementjev, Ilin…

Sigurisht ne nuk kemi poetë të sporteve. Kjo dihet. Po përse nuk kemi institucione që evokojnë dhe nderojnë përsëmbari histori të sporteve dhe protagonistë të tij?…

Këto desha të them në mbështetje të kujtesës fisnike të Filip Guraziut për të paharrueshmin tonë Luan Shatkun, një kujtesë që përtërin historitë e mëdha të mallit që nuk ndal…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"