Fenomenali Erkand Qerimaj!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2022 | 22:53

Fenomenali Erkand Qerimaj!

Nga BESNIK DIZDARI

Duket si e tepërt, apo jo? “Fenomenal”! Fjalë e një peshe tejet të rëndë, e bujshme, e jashtëmase. Mirëpo, ja që të paktën unë nuk mendoj kështu, kur kujtoj kuptimin e vërtetë të përcaktimit “fenomenal”.

QERIMAJ

Kuptimi është shumë i thjeshtë: do të thotë i jashtëzakonshëm, fakt, ngjarje që veçohet për shkak të karakteristikave të jashtëzakonshme të një njeriu dhe arritjeve të tij. Asgjë më tepër se kaq. Kësisoj, mund të përcaktoja edhe krejt shqip:

“I jashtëzakonshmi Erkand Qerimaj”. Mirëpo, kur kujtoj rëndesën e pamatë që ka marrë përdorimi “fenomenal” edhe në të folmen tonë, me synim për ta theksuar edhe më fort veprën e Erkand Qerimajt, titullova kështu: “Fenomenali Erkand Qerimaj! Fillimi i tij fenomenal i përket gushtit të vitit 2002.

Pra plot 20 vjet më parë, çka do të thotë se kufijtë e këtij 20-vjetori të përmasave botërore për çdo sportist, janë këto: 2002. Shqiptari Erkand Qerimaj shpallet kampion i Europës në peshën 50 kilogramë në dygarësh me 177.5 kilogramë të Kampionatit Europian të 17- vjeçarëve në Nice të Francës. Por fiton edhe medaljen e vendit të tretë (bronz) në stilin e shtytjes.

Merr pjesë me 17- vjeçarët, por është vetëm 14 vjeç! Ky është “fëmija” i parë shqiptar që ka pasur trimërinë e një burri që të bëhet kampion i Europës! Dhe mbërrijmë te 20 vjet më vonë: Maj 2022. Në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të rritur që zhvillohet në Tiranë (28 maj – 5 qershor 2022), 33-vjeçari Erkand Qerimaj fiton titullin e kampionit të Europës të peshës 73 kilogramë për të rritur të stilit të shkëputjes me 150 kilogramë.

Përmbledhja lakonike është kjo: në 20 vjet rresht 2002-2022 Erkand Qerimaj është medalist europian, po dhe botëror pa ndërprerje. E për disa vite edhe rekordmen i Europës. Deri më sot këtë nuk e ka arritur asnjë shqiptar në të gjitha llojet e sporteve.

Tash le “të vrapojmë” së bashku në 20 vjetët fenomenalë të Erkand Qerimajt:

2002: Kampion i Europës “NËN17” në dygarësh (ar) dhe bronz në shtytje. 2003: Kampion i Europës “NËN17” në të tria garat, dygarësh, shkëputje dhe shtytje.

2005: Nënkampion i Europës “NËN17” tri herë, pra në të tria disiplinat.

2005: Nënkampion i Europës në dy disiplina, tash një shkallë më lart: për të rinjtë.

2006: Kampion i botës për të rinjtë në shtytje dhe nënkampion i botës në dygarësh. I dyti kampion i botës për Shqipërinë mbas Ymer Pampurit më 1972.

2007: Kampion i botës për të rinjtë për herë të dytë rresht në shtytje dhe po përsëri nënkampion i botës në dy garësh.

2008: Kampion i trefishtë (në tri stilet) i Europës për të rinj. Këtu fillon sulmi i tij në Kampionatet e Europës apo të Botës me të rriturit.

2009: Kampion i Europës për të rriturit në shtytje si dhe nënkampion i Europës në dygarësh.

2009: Kampion dhe nënkampion i Lojërave të Mesdheut.

2010: I treti (bronz) i Europës në stilin e shtytjes.

2011: Nënkampion i Europës në stilin e shkëputjes.

2014: Kampion i dyfishtë i Europës: në dygarësh dhe në stilin e shtytjes, por edhe bronz në shkëputje.

2017: Nënkampion i Europës në shtytje dhe medalje bronzi në dygarësh dhe shkëputje.

2017: I treti (bronz) në Kampionatin Botëror.

2022: Kampion i Europës në stilin e shkëputjes. Kjo do të thotë se ky njeri ka fituar 31 medalje EuroBotërore të podiumit të nderit, ar, argjend dhe bronz pa ndërprerje në 20 vjet rresht. Fenomenale! Nga mosha 14 vjeç deri në moshën 33 vjeç, mbas pak 34 vjeç! E nuk e dimë nëse do të vazhdojë më tej. Ndonëse merret me mend, Erkand Qerimaj nuk di të ndalet. Një herë, më 2012, kur në Kampionatin Europian mbasi ishte shpallur kampion i dyfishtë i Europës në dygarësh dhe shtytje, por edhe argjend në shkëputje, papritmas u përcaktua me doping dhe iu hoqën medaljet, e kam parasysh portretin e tij me sytë thuajse të lotuar, pa e ditur as ai vetë se si i kishte ndodhur.

Dhe kur të gjithë e mendonin se këtu mori fund karriera e tij, ai pa kaluar as dy vjet, u rikthye te titujt e Europës. Ky është fenomenali Erkand Qerimaj. Një trim i sportit shqiptar. Një hero i peshëngritjes shqiptare, pa lëvizur nga fronti “i luftës” tash 20 vjet, një sportist i përmasave të larta EuroBotërore, që nuk di të ndalet.

Nuk di nëse edhe ju, por unë për veten time, kurrë nuk kam menduar se Shqipëria e vogël, modeste në të gjitha fushat e jetës, e një populli për vite të tëra të varfër, pse jo, i tillë deri edhe sot e kësaj dite, do të nxirrte një njeri që për 20 vjet me radhë do të ngjitej pa u ndalë në podiumet EuroBotërore. Përherë me flamurin kombëtar gjithnjë shpalosur me duart e tij të fuqishme, nën tingujt e himnit kombëtar, me shqiponjën në gjoksin e tij.

Mandej do të zbriste nga podiumi fitimtar i nderit dhe do të vinte në Shqipërinë e tij përmes thjeshtësisë së tij të pakrahasueshme, duke mos e ndier veten aspak fenomenal, teksa do të ishte kësisoji ngrohtësish midis qytetarëve të Shkodrës së tij po dhe të të gjithë Shqipërisë.

Si një nënshtetas i cili, më shumë se askush tjetër, kryente detyrën e tij prej atdhetari, që sa vështirë po e kanë të jenë e të ndjehen të tillë sa e sa shqiptarë të tjerë funksionesh e postesh, shumë prej të cilëve për fat të keq, pa asnjë meritë. E, kësisoji, ky shkrim iu afrua fundit të tij. Sigurisht, mund të vazhdoja gjatë, garë për garë, rekord për rekord, shifër për shifër, “stil” për “stil”, episod për episod, ngjarje për ngjarje, medalje për medalje, triumf për triumf, gëzim për gëzim, nderim për nderim.

Por jo. Vetëm sa desha të përmblidhja në një “Rekordin Botëror” të shqiptarit Erkand Qerimaj i cili për 20 vjet me radhë ishte dhe është medalist EuroBotëror, medalist i 31 medaljeve, 14 prej të cilave janë të arta. Ndryshe 14 herë Kampion i Europës, i botës, i Mesdheut. Madje, edhe rekordmen i këtyre rangjeve…

“Deri ku do të mbërrijë Erkandi?”, siç pyesja shpesh si në një retorikë, mikun tim dhe mbështetësin e madh të Erkandit e të të gjithë peshëngritësve, Esat Ademin – presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (2001-2012) dhe anëtarin e kryesisë së Federatës Botërore të Peshëngritjes (2009-2013) – teksa ai buzëqeshte pa folur, duke nënkuptuar se rruga e atij djaloshi që sapo niste në fillim të këtij shekulli XXI, nuk do të mund të ndalej më… Nuk po pëlqen ndërkaq, të rri e të shkruaj, se është bërë pak për Erkandin. Dhe jo vetëm për të.

E kam fjalën për shtetin shqiptar, për qeverinë shqiptare, po edhe për zyra funksionale të tyre. Dhe as që guxoj e të pohoj të vërtetën e madhe që na thotë se për atë çka ka bërë për Atdheun e kombin e tij sportisti madhështor Erkand Qerimaj, ka fituar pak. Me të 31 medaljet e tij EuroBotërore. Bie fjala, as përse nuk e kanë nderuar me një vilë apo që nuk ia kanë dhënë një rrogë mujore të lartë, të përhershme.

Shkoni te shembujt e shteteve të tjera! Madje edhe sikur tash e mbrapa, Erkandi të rrijë në kafe e të tregojë historitë e tij të pafund… Ajo që më pëlqeu të tregoja në këtë shkrim ishte vetëm kjo: të tregoja që si rrallë shtete të tjera në botë, Shqipëria ka një njeri fenomenal në fushën e vet. Emri i tij është Erkand Qerimaj. Fenomenali Erkand Qerimaj. Njeriu i cili nuk ndal as përtej 20 viteve rresht me titujt e tij të pafund EuroBotërorë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"