Tymnaja absurde e një “ligji sponsorizimesh”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 22:41

Tymnaja absurde e një “ligji sponsorizimesh”

ARTAN SHYTI

artan shyti

Të dielën nuk u luajt sepse kërkohet nga klubet e Superiores që të plotësohen katër kërkesa. Paraprakisht, tri nga to janë të drejta dhe duhen plotësuar edhe pa qenë nevoja për ekstremin e bojkotit.

Ndërsa kërkesa që të ndryshojë ligji i sponsorizimit dhe të bëhet që 30% e tatimit mbi fitimin t’u jepet klubeve sportive si sponsorizim është një kërkesë legjitime, por e vendosur në kontekstin e gabuar.

Për të kuptuar përse, mjafton të shohësh më poshtë ligjin aktual të sponsorizimit që është në fuqi që nga vitit 1994 dhe që asnjëherë nuk është vënë në përdorim nga biznesi.

L I G J nr.7892, datë 21.12.1994 “PËR SPONSORIZIMET”

I azhurnuar me:

Ligjin nr.8282, datë 21.01.1998

Ligjin nr.9040, datë 27.03.2003

Ligjin nr.9807, datë 20.09.2007

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshilli të Ministrave, KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Ky ligj rregullon mbështetjen me ndihma financiare e materiale, të quajtura në vijim “sponsorizime”, të veprimtarive sociale e publike ku përfshihen veprimtaritë humanitare, kulturore e artistike, sportive, edukative, arsimore, ekologjike dhe vepra letrare, shkencore dhe enciklopedike si dhe botuesve të shtypit. Sponsorizimi me qëllime të përfitimit ekonomik nga sponsorizuesi është i ndaluar.

Neni 2

Sipas këtij ligji, mund të sponsorizohen vetëm veprimtaritë e parashikuara në nenin 1, të cilat kryhen nga ente, institucione, shoqata dhe organizma që janë të njohur me ligj e që janë të regjistruara si subjekte juridike.

Kur analizon dy nenet e para të ligjit, e kupton menjëherë që ky ligj pengon haptas sponsorizimin e klubeve të futbollit që janë ndërmarrje tregtare, sepse sponsorizohen vetëm aktivitete sociale dhe publike dhe jo aktivitete tregtare të klubeve shoqëri tregtare.

Ky ligj arrin edhe në absurdin që pengon përfitimin ekonomik të sponsorizuesit…!?!? Gjithashtu, sponsorizohen vetëm ente, institucione, shoqata dhe organizma, ku nuk hyjnë klubet sportive shoqëri tregtare! Pra, nga njëra anë kërkohet 30% e tatimit të fitimit, por nga ana tjetër nuk jepet mundësia që edhe nëse kjo miratohet, të jepet nga ana e biznesit për klubet tona të futbollit, shoqëri tregtare.

Është absurde që një ligë që ndërmerr bojkotin e kampionatit në emër të kërkesës për të ndryshuar sponsorizimin e klubeve nuk lexon ligjin që kërkon të ndryshojë dhe në vend që të “vendosë vetullat, nxjerr sytë”. Kërkesa duhet të jetë për ndryshimin e plotë të ligjit të sponsorizimit, për marrjen e një modeli të përafërt dhe adaptimin e tij në kushtet tona duke e bërë këtë ligj të vlefshëm e të përdorshëm.

Dhe kjo nuk zgjidhet me bojkot.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"