Një Botëror i vakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2022 | 21:20

Një Botëror i vakët

Nga ARTAN SHYTI

artan shyti

Fillon një Botëror, ai i “Katarit 2022”, i cili pady shim është më kontradiktori dhe më i përfoluri në historinë e Kampionateve Botërore të Futbollit. Botërori i Katarit, ende pa filluar, do të mbahet mend për shumë ngjarje të rëndësishme që kanë karakterizuar dhe portretizuar FIFA-n, menaxheren e futbollit botëror.

BOTERORI KATAR KATAR 2022

Caktimi i Katarit si organizator i Botërorit 2022 shënon padyshim evidentimin në dritën e diellit të korrupsionit skandaloz që kishte mbërthyer këtë organizatë. Faktet shkatërrimtare për reputacionin e kësaj organizate dhe drejtuesve të saj, për përfshirje në afera korrupsioni që quheshin normale, dolën qartë përpara opinionit botëror.

Drejtues që korruptohen në mënyrë banale për të votuar një vend organizator që nuk kishte asnjë parakusht të plotësuar për të përballuar një eveniment të këtij kalibri dëshmuan se formula e funksionimit të një organizate jashtë kontrollit dhe monitorimit objektiv është një formulë e dështuar. Prandaj u desh “trashja e zullumit” dhe prekja e interesave dhe dinjitetit të një superfuqie si SHBA-ja, për të kuptuar se kjo gjë nuk mund të vazhdonte kështu.

Ndaj dhe u ndërhy fuqishëm nga organet ligjzbatuese derisa dolën në dritë “pisllëqet” e një kaste drejtuese e cila në vend që t’i shërbente futbollit, e ktheu këtë sport në një mall pazari për përfitime personale, në një çiflig individësh që mund të bënin ç’të donin pa u hyrë gjemb në këmbë. Mjafton të shohësh në “Netflix” dokumentarin “FIFA uncovered” (“FIFA e zbuluar”) për të kuptuar të vërtetën rrëqethëse të këtij realiteti.

Ky Botëror është i vakët për shumë arsye. Jo vetëm se zhvillohet në një vend që ka pak lidhje me futbollin. Jo vetëm se zhvillohet në një periudhë të çuditshme. Jo vetëm sepse, në vend që të jetë një moment emancipimi, bashkimi dhe tolerance, është kthyer në një vend ballafaqimi dhe imponimi të kulturave që e mendojnë ndryshe alkoolin, praninë e femrave në stadium apo shumë elementë të tjerë…

E megjithatë ky Botëror një të mirë të madhe e ka bërë tashmë: sepse ai shërbeu pikërisht për të hequr kapakun e gjërave të pista të futbollit botëror. Me shpresën që ky do të jetë fillimi i pastrimit të futbollit. Sepse, në fund të fundit, futbolli fiton mbi të gjitha pisllëqet që bëhen në kurriz të tij. Botëror të mbarë të gjithëve!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"