Me këmbë (top) të mbarë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2019 | 16:09

Me këmbë (top) të mbarë!

ARTAN SHYTI

Artan Shyti

Më në fund futbolli i luajtur kombëtar po fillon. Aktiviteti më i rëndësishëm sportiv i Shqipërisë nis këtë javë dhe, pa dyshim, do të zërë menjëherë “vendin e luanit” në tryezën e vëmendjes sportive. Ky vend është më se i merituar për një sport që në Shqipëri është më i përhapuri, më cilësori, më i organizuari.

Ky realitet është produkt i impenjimit të vazhdueshëm e intensiv të mijëra njerëzve, specialistëve, sportistëve, drejtuesve për të cilët shkon fillimisht urimi që ky sezon të jetë mundësia e realizimit të të gjithë objektivave të tyre sportivë, individualë e kolektivë. Futbolli shqiptar ka patjetër shumë gjëra që mund të bëhen më mirë. Por njëkohësisht, ka edhe plot vlera pozitive, të cilat duhen evidentuar, përforcuar e mbështetur.

Në këtë kontekst edhe kritikat apo sugjerimet që bëhen për përmirësimin e tij duhet të vendosen në shërbim të përmirësimit të tij teknik e organizativ. Në fund të fundit, të gjithë ata që merren me sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti kanë apo duhet të kenë, një qëllim të përbashkët: ta shohin sportin shqiptar dhe futbollin brenda tij sa më mirë, sa më cilësor, sa më të ndershëm e sa më të ndjekur nga futbolldashësit e gjithë Shqipërisë e jashtë saj.

Kategoria Superiore

Natyrisht, secili ka të drejtën dhe detyrimin të kontribuojë siç e mendon ai të arsyeshme, por ajo që mbetet si orientim i përgjithshëm është që t’i vendosim kontributet tona në dobi të sportit, në dobi të zhvillimit të tij, në funksion të rikthimit të vëmendjes së spektatorëve, sponsorëve dhe gjithë shoqërisë së futbollit dhe sportit në përgjithësi.

Futbolli është si një skenë ku kanë hipur të gjithë: lojtarë, trajnerë, drejtues, media, të të gjitha niveleve dhe “japin shfaqje” përpara spektatorëve dhe telespektatorëve. Kjo është një shfaqje kolektive ku secili duhet të bëjë me ndershmëri pjesën e vet. Pa u tërhequr në asnjë rast nga roli i tij, por pa protagonizma individualë në dëm të shfaqjes në tërësi. Nuk duhet harruar në asnjë rast se ata që janë shumë të rëndësishëm për futbollin, spektatorët, nuk kanë interes të jenë pjesëmarrës në protagonizma individësh, por duan të shohin një “shfaqje” dinjitoze dhe cilësore.

Starti i Superiores

Dhe nuk duhet harruar se ata nuk duan as teatër, as komedi, por futboll cilësor e garë të ndershme. Nëse u japim këtë spektatorëve, do të marrim vlerësimin e tyre, praninë e tyre. Nëse bëjmë teatër dhe estradë apo edhe sherr me futbollin, do të marrim braktisjen. Është në dorën e të gjithëve të kontribuojnë në drejtimin e duhur: lojtarë, trajnerë, drejtues dhe, pastaj, mediat e të gjitha llojeve, gazetarët e opinionistët. Që nesër të kenë të drejtë të thonë: edhe unë bëra aq sa munda për të rritur cilësinë e tij, për të rifituar zemrat e spektatorëve dhe riafruar ata me futbollin që duan.

Futboll të mbarë të gjithëve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"