Dopingu i Velit apo e arta e Gegës, cila është fytyra e vërtetë e sportit shqiptar?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2022 | 15:56

Dopingu i Velit apo e arta e Gegës, cila është fytyra e vërtetë e sportit shqiptar?

Ditën e shtunë (20 gusht), sporti shqiptar përjetoi emocione të mëdha, dhe, për çudi, ato ishin me kahe të kundërta. Fillimisht sporti ynë u trondit nga lajmi se peshëngritësja Evangjelia Veli, kampione e dyfishtë e Europës (si dhe një e argjendtë) në maj të këtij viti, doli pozitive me doping. Një lajm i rëndë, që rikthen hijet e dopingut te sporti i shtangës, që muajt e fundit me të drejtë mburrej për sukseset e tij.

Veli

Një lajm që mbushi të gjitha portalet dhe mediat televizive, që shkundi sërish sportin tonë nga themelet (presim ende rezultatin e testit B, që shpresojmë të dalë negativ). Nga themelet shkundi edhe drejtuesit tanë të sportit, në të gjitha rangjet, që heshtën dhe nuk folën për këtë ngjarje të rëndë. Madje, shumë pak kanë folur deri më sot, duke harruar fotot e pak muajve më parë. Për fat të mirë, kaluan vetëm pak orë që një tjetër lajm i sportit të pushtojë mediat shqiptare, madje edhe më gjerë.

luiza gega 3

Atletja Luiza Gega shpallet kampione e Europës në 3000 metra me pengesa, me rekord të kampionatit, duke marrë medaljen e artë. Jehonë e jashtëzakonshme, plotësisht e merituar, për një sportiste që gjithnjë ka qenë me këmbë në tokë, që ka luftuar e vuajtur më shumë se kushdo për të arritur deri në majë. Urime Luiza dhe Taulant! Urimet për sakrificat tuaja, pasi e di sa keni vuajtur. Çuditërisht, ata që pak orë më parë heshtën në mënyrë të turpshme për dopingun e Evangjelia Velit u ringjallën dhe bashkë me lajmin e të artës së Gegës “pushtuan” edhe ata mediat, duke falënderuar atleten. Me të drejtë e bënë këtë gjë, pasi Luiza meriton gjithçka për sakrificën që ka bërë në gjithë këto vite, por përse ajo heshtje për dopingun. Edhe Veli u prit nga Ministrja Kushi, Kryebashkiaku Veliaj, presidenti i KOKSH-it, Ylli, ndoshta edhe nga Kryeministri Rama etj., që për disa orë u fshehën, duke mos reaguar. Deri në momentin që Gega mori të artën dhe na shpëtoi të gjithëve nga sikleti me dopingun. Pse, apo kanë frikë të marrin pas fjalët që thanë disa muaj më parë për shtangisten? Pra, në pak orë ndodhi gjithçka në sportin shqiptar, duke na lënë në mëdyshje se cila është fytyra e vërtetë e sportit tonë:

Ajo e dopingut apo ajo e medaljes së artë? Të dyja sportistet u shpallën kampione të Europës dhe ngritën lart flamurin kuqezi, por harruam skandalin për të festuar të artën. Gjithsesi, të mos harrojmë se të dyja këto ngjarje janë në anët e kundërta të peshores, e cila qëndron ende në ekuilibër dhe nuk anon nga suksesi. Të nderuar zotërinj politikanë e drejtues të sportit, që jeni në ato karrige për të bërë politika për sportin dhe jo ta shfrytëzoni atë për politikë, me parada e flamuj. E patë vetë se sa i brishtë është ende sporti ynë, me dy fytyra, ku ligësia e mirësia u shfaqën haptazi sa hap e mbyll sytë. Mos e përdorni sportin për “show” dhe për fotografi, por ndihmojeni atë duke bërë sa më shumë pista vrapimi, sa më shumë palestra, salla dhe fusha futbolli. Ndihmojeni si Luizën ashtu dhe Evangjelinë, bilardon e xhudon, të gjithë e gjithçka që ka lidhje me sportin, duke investuar çdo ditë për të.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"