“Nxehet” merkato/ Apolonia “peshkon” në Vlorë, fierakët nisin kontaktet me mbrojtësin dhe mesfushorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2021 | 9:05

“Nxehet” merkato/ Apolonia “peshkon” në Vlorë, fierakët nisin kontaktet me mbrojtësin dhe mesfushorin

Merkatoja e verës sa vjen dhe bëhet më e nxehtë. Apolonia mbetet mjaft aktive, duke vëzhguar dhe kërkuar lojtarë si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Së fundmi, fierakët duan të “peshkojnë” në Vlorë. Nisur nga fakti që skuadra bregdetare është rrëzuar në Kategorinë e Dytë, ata kanë shfaqur interes dhe kanë nisur kontaktet për dy futbollistë të Flamurtarit. Bëhet fjalë për mbrojtësin Mateo Qarri dhe për mesfushorin Kenviol Kreshpa.

mateo-qarri

QARRI – Mateo Qarri, i datëlindjes 5 maj 1999, me gjatësi 1.81 m, është nga Fieri, por i rritur në akademinë vlonjate të futbollit. Luan si qendërmbrojtës, por mund të spostohet edhe në të djathtë të repartit defensiv. Në dy sezonet e fundit, Qarri ka qenë një titullar i padiskutueshëm i Flamurtarit, duke u aktivizuar 3553 minuta në 41 ndeshje. Apolonia është skuadra e qytetit të vendlindjes së Qarrit dhe ai do të plotësonte boshllëkun e krijuar nga largimi i qendërmbrojtësit Eljon Sota, që këtë sezon pritet të jetë pjesë e Partizanit.

kreshpaa

KRESHPA – Kenviol Kreshpa është vetëm 20 vjeç, por luan prej tri sezonesh tek ekipi i parë i Flamurtarit. Lojtari i datëlindjes 14 tetor 2000 numëron 1953 minuta në total në fushë nga 41 prezenca. Mund të luajë në të gjitha pozicionet në mesfushë dhe fierakët e pëlqejnë lojën e tij. Realisht, sektori i mesfushës është nga më të populluarit tek Apolonia dhe ardhja e Kreshpës do të rriste konkurrencën në këtë repart.

TË TJERËT – Veç Qarrit dhe Kreshpës, fierakët nuk kanë hequr dorë dhe nga mesfushori Aldo Qoshku, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e Lushnjës. Gjithashtu, ende në bisedime janë me një mbrojtës të majtë nga Maqedonia e Veriut dhe me një qendërsulmues kroat, sikurse është rikthyer pista e një tjetër mbrojtësi nga Gana, i ndërmjetësuar te fierakët nga ana e Benjamin Agiares. Ajo që vihet re në të gjithë lojtarët e synuar nga Apolonia, është mosha e re dhe që nuk i kalon maksimumi 22-23 vjeç, çka vazhdon të mbetet një ndër pikat kryesore të filozofisë së klubit fierak.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"