“Nuk na intereson se çfarë do bëjë Kukësi”, Novi: Ta mbyllim kampionatin me nder

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2020 | 12:41

“Nuk na intereson se çfarë do bëjë Kukësi”, Novi: Ta mbyllim kampionatin me nder

Me ndeshjen e sotme ndaj Kukësit, Luftëtari i jep fund aventurës në Superiore pas katër sezonesh pjesë e saj. Kalendari u ka rezervuar për mbyllje të kampionatit një kundërshtar të fortë gjirokastritëve, që vijnë pas plot nëntë humbjesh radhazi. Gjithsesi, bluzinjtë do të kërkojnë rezultatin pozitiv përballë kualiteteve të verilindorëve. Ky është edhe mendimi i trajnerit Neritan Novi në bisedën para sfidës së fundit për “Panorama Sport”.
novi

Luftëtari do të ketë disa mungesa për shkaqe dëmtimesh në ndeshjen e sotme, por gjithsesi Novi ka menduar të hedhë në fushë një formacion dinjitoz me futbollistët që ka në dispozicion. Pritet që si titullar të rikthehet pas shumë kohësh jashtë fushave kapiteni Aurel Demo. “Është ndeshja e fundit dhe duke parë renditjen, Kukësit i duhet fitorja, sepse nuk e ka siguruar vendin e dytë. Por, neve nuk na intereson fare se çfarë do të bëjë Kukësi. Do bëjmë lojën tonë me shpresën për të marrë një rezultat pozitiv në këtë fundkampionati. Të them të drejtën, kemi shumë mungesa për arsye dëmtimesh, duke filluar nga Erald Hyseni dhe Aldrit Oshafi. Po ashtu do mungojnë Enes Isufi që dëmtoi klavikulën në ndeshjen me Skënderbeun dhe Amer Duka për tërheqje muskulore. Janë katër lojtarë që kanë qenë në formacion dhe kështu që jam i detyruar të bëj ndryshime ndaj Kukësit”, ka thënë fillimisht Novi, i cili në ndeshjet e fundit u ka dhënë hapësira edhe të rinjve nga akademia.

Lojtarë si Sadik Basha, Bastri Malaj, Klaus Alinani, Muharrem Malaj apo edhe gjirokastritët Alvi Ahmetaj dhe Stiven Puci, mund të jenë baza e skuadrës në sezonin tjetër. “I kam aktivizuar çunat e rinj edhe në ndeshjet e tjera dhe sot do të bëj të njëjtën gjë. Të rinjtë kanë mundësinë të tregojnë cilësitë e tyre. Do mundohemi të bëjmë lojë të hapur për të arritur te goli, pasi kemi shumë defekte në këtë aspekt”, theksoi Novi, i cili pret të takohet me presidentin Halilaj për të vendosur të ardhmen. “Do ulem pas ndeshjes me presidentin dhe do vendosim për sezonin e ardhshëm”, sqaroi në fund trajneri bluzi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"