“Nuk mund ta linim garën kur ishim në fund”, kapiteni i Pogradecit: As virusi nuk na largon nga “froni”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2020 | 13:10

“Nuk mund ta linim garën kur ishim në fund”, kapiteni i Pogradecit: As virusi nuk na largon nga “froni”

Marrin fund dilemat edhe për Kategorinë e Parë. Pas mbledhjes së zhvilluar dje në FSHF, Pogradeci mësoi se më 14 qershor do të rikthehet në fushë për të luajtur të parën ndeshje pas Koronavirusit. Liqenorët janë në krye dhe nuk kanë në plan që ta dorëzojnë fronin në fund këtij rrugëtimi. Kapiteni Miklovan Pere është shumë i lumtur për vendimin e marrë për rinisjen e aktivitetit. Në një bisedë me “Panorama Sport” mbrojtësi sqaron se ata janë më shumë se të etur për të zbritur në fushë dhe për të përmbyllur me sukses misionin “Superiore”.pere

“Këtë lajm të mirë e kemi pritur me padurim. Nuk mund të linim në mes garën prej virusit kur ishim shumë pranë fundit. Si ekip mbajmë vendin e parë në klasifikim dhe duam t’i bëjmë një mbyllje sa më dinjitoze kampionatit. Tashmë mund të themi se kjo është koha e duhur për t’u rikthyer edhe më të fortë”, u shpreh fillimisht 28-vjeçar.

Pogradecarët janë duke u dhënë dorën e fundit seancave individuale dhe besohet se java e ardhshme do t’i gjejë në fushë si grup. “Pavarësisht se kemi punuar individualisht, kjo nuk e zëvendëson aspak stërvitjen kolektive. Na ka munguar shumë kjo dhe unë shpresoj se shumë shpejt do të arrijmë të rifitojmë nocionin e lojës në grup. Kuptohet që stërvitja tekniko-taktike është përcaktuese”, theksoi lojtari, i cili këtë sezon numëron 15 ndeshje në fushë.

Për ekipin e drejtuar nga Ardjan Abazaj, sezoni do të rifillojë në transfertën e Kavajës. Vetë mbrojtësi mendon se tashmë çdo ndeshje duhet të llogaritet si finale, ndaj do të merren me seriozitet. “Të gjitha ndeshjet tani konsiderohen si një finale.pogradeci

Ne kemi theksuar se Besa është ekip me kualitete dhe do të kërkojë më të mirën në fushë. Por, me gjithë respektin që kemi për kavajasit, ne jemi të destinuar të fitojmë dhe këtë do të bëjmë. Nuk na lejohet asnjë hap fals, ndaj nuk kemi pse shohim kundërshtarët që na ndjekin”, ka përfunduar Miklovan Pere.

Mësohet se pas njoftimit për rinisjen e kampionatit, drejtuesit e klubit po përgatiten për të zbatuar protokollin e përpiluar për rinisjen e stërvitjes dhe ndeshjeve.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"