“Nuk më pëlqen që i pësojnë lehtë golat, mjaft më me lojtarë që vrapojnë 6 km”, Gilman Lika: Ju tregoj pengun tim me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 18:15

“Nuk më pëlqen që i pësojnë lehtë golat, mjaft më me lojtarë që vrapojnë 6 km”, Gilman Lika: Ju tregoj pengun tim me Vllazninë

Gilman Lika i dha fund karrierës 16-vjeçare dhe tashmë ka nisur rrugën e trajningut. Në ndeshjen Vllaznia-Teuta, luajtur të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi”, ish-mesfushori u përshëndet me tifozët kuqeblu, teksa shkelmoi edhe topin e parë në prag të nisjes së lojës.

pjimage (16)

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 34- vjeçari tregon për emocionet që përjetoi, pengjet që ka nga karriera, si e sheh Vllazninë dhe kritikat që ka për mënyrën se si punohet në Shqipëri.

Gilman, prej një viti i keni thënë “stop” futbollit të luajtur, por së fundmi u zhvillua edhe ceremonia e lamtumirës suaj. Cila ishte ndjesia këtë herë para tifozëve të Vllaznisë në “Loro Boriçi”?

Natyrisht që më erdhi keq që nuk do të luaj më futboll, por në të njëjtën kohë, u ndjeva mirë në stadium për respektin që më bënë. Ishte diçka tejet emocionuese, që nuk përshkruhet dot me fjalë. Kam vetëm falënderime për të gjithë, duke filluar nga klubi i futbollit Vllaznia dhe tifozët shkodranë. Janë momente vërtet të paharrueshme.

Në 16 vite karrierë si profesionist, cili ka qenë pengu juaj më i madh në futboll? 

Fitimi i një titulli kampion me skuadrën e qytetit, Vllazninë, është pengu më i madh i karrierës. Nëse do ta kisha realizuar edhe këtë, atëherë do të kishte qenë si qershia mbi tortë në karrierën time.

Cilat do të veçonit si momentet më pikante në këtë rrugëtim?

Janë disa momente, në fakt, që më kanë lënë kujtime shumë të bukura. Gjithçka nis me fitimin e Kupës me Vllazninë në vitin 2008, më pas me ndeshjen e parë me Kombëtaren shqiptare. Gjithashtu, fitimi i 3 Kupave dhe 2 Superkupave me Tiranën. Edhe fitimi i Kupës me Flamurtarin është një moment i bukur. Përballja në fushë me më të mirët në historinë e futbollit dhe kalimi në Superligën turke janë gjëra që mbeten të paharruara për mua. Lamtumira juaj koincidoi kur Vllaznia luajti kundër Teutës.

Tani që i jeni futur rrugës së trajnimit, si ju duk kjo ndeshje?

Mendoj se Vllaznia ka lënë dy pikë ndaj Teutës. Luajti 45 minuta me një lojtar më shumë dhe nuk mund ta linte pa shfrytëzuar këtë rast për të fituar patjetër. Duhet të kishin shënuar golin e dytë, sepse i kishin të gjitha mundësitë.

Më konkretisht, çfarë nuk shkoi te loja e Vllaznisë?

Vllaznia-Teuta ishte një ndeshje që nuk pati zgjidhje tjetër, veçse skuadra shkodrane të shënonte golin e dytë. Teuta nuk po sulmonte më dhe Vllaznia duhet ta kishte zgjidhur ndryshe situatën. Në një moment u ndëshkuan dhe aty u mbyll gjithçka. Më vjen keq që shkoi kështu.

Si e shikoni garën për titull këtë sezon? Mendoni se Vllaznia është ekip i denjë për të qenë kampion në fund?

Është herët për të folur për titullin, por tani Vllaznia po tregon se ka potencial për të pretenduar këtë trofe

. Cilët mund të jenë rivalët e Vllaznisë?

Vllaznia, Teuta, Tirana, Partizani dhe Laçi mendoj se do të jenë ekipet pretendente deri në fund. Në cilin repart e shikoni skuadrën më deficitare? Është vetëm fillimi dhe s’mund të japësh një përcaktim të saktë. Në Laç më zhgënjeu fakti që pësuam tre gola, ndërsa me Teutën duhej patjetër të shënohej më shumë se një herë.

Ndeshja e radhës është ndaj Partizanit. Çfarë prisni?

Ndeshje shumë delikate, por kam besim se Vllaznia do të marrë më të mirën e mundshme nga ky takim.

Tashmë që jeni në rolin e trajnerit, ku do ta shikojmë Likën në një të ardhme të afërt?

Për momentin kam filluar tek akademia Basania, duke drejtuar ekipin U-15, që këtë sezon militon në Superiore. Kam dëshirë t’i ndihmoj ata djem të rriten, por edhe unë kam nevojë të marrë pak eksperiencë në drejtim.

Drejtimi i Vllaznisë është një ëndërr?

Po, natyrisht. Të drejtosh Vllazninë besoj është ëndërr për çdo trajner, por tani shpejt nuk besoj se mund të realizohet, sepse kam nevojë për eksperiencë. Mendoj se futbolli shqiptar ka nevojë për ndryshim rrënjësor në drejtim të trajningut.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Me kushtet që kanë ardhur sot është e pafalshme për mua që futbollistët të vazhdojnë të vrapojnë nga 5-6 kilometra në ndeshje. Kam ëndërr dhe dëshirë që të kontribuoj në këtë drejtim, që është e sigurt që do të bëhet një ditë e mundur.

ADMIR URUIÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"