Nuk kanë regjistruar asnjë fitore në Rrogozhinë, Vllaznia për të thyer tabunë ndaj Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2022 | 10:41

Nuk kanë regjistruar asnjë fitore në Rrogozhinë, Vllaznia për të thyer tabunë ndaj Egnatias

Vllaznia nuk ka fituar asnjëherë në fushën e Rrogozhinës!

VLLAZNIA 3

Mund të duket e çuditshme, por në historinë e përballjeve të dy skuadrave në Kategorinë Superiore, nga katër takime të luajtura në transfertë ndaj Egnatias, rezulton se shkodranët kanë humbur dy herë dhe kanë barazuar po kaq.

Për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar, Egnatia priti Vllazninë në stadiumin e Rrogozhinës më 20.11.2004, teksa ndeshja përfundoi 1-0 për vendësit.

Për shkak se më shumë rrogozhinasit kanë qenë pjesë e kategorive inferiore, duhet të kalonin plot 16 vite që kjo përballje të rikthehej dhe pikërisht në sezonin e kaluar.

Kujtimet e fundit të shkodranëve në këtë fushë janë të hidhura, madje në fazën e tretë të kampionatit të fundit, Vllaznia pësoi humbjen më të thellë në Rrogozhinë, pikërisht 3-0 falë tripletës së brazilianit Pedro.

Të shtunën të besuarit e Mirel Josës kanë shansin të thyejnë një tabu në këtë fushë, për më tepër ndaj një skuadre që ka ditur të ndalë Vllazninë edhe kur ka luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”.

Kuqeblutë vijnë pas dy fitoreve radhazi në kampionat dhe një e tretë të shtunën ndaj Egnatias do t’u shtonte besimin për të marrë kreun e renditjes.

STËRVITJA

Liridon Latifi ishte mungesa e vetme e Vllaznisë në seancën e djeshme. Siç dihet, kosovari vuan prej dëmtimit në pulpë dhe gjasat janë që të qëndrojë edhe një javë jashtë. Për shkak kartonësh do të mungojë në ndeshjen e radhës edhe Herald Marku.

Ndërkohë, dje mbrojtësi i majtë Esin Hakaj ka kryer vetëm vrapime, duke qenë ende larg stërvitjes me grupin.

Lojtari vuan nga një dëmtim në thembër dhe nuk dihet nëse deri të shtunën do të jetë i gatshëm.

Trajneri Josa ka paralajmëruar skuadrën që të jetë e kujdesshme ndaj Egnatias, duke bërë edhe një analizë, pasi ka studiuar bashkë me stafin pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit.

Kjo transfertë vlerësohet në maksimum nga Josa, duke u konsideruar si një prej më delikateve të kësaj faze.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"