“Nuk ka asgjë të keqe të mendosh për të ardhmen”, projektohet kalimi i bujshëm i Hamilton te Ferrari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 9:58

“Nuk ka asgjë të keqe të mendosh për të ardhmen”, projektohet kalimi i bujshëm i Hamilton te Ferrari

Pas fitimit të titullit të gjashtë kampion në Formula 1, si dhe pasi arriti ta mbyllte triumf edhe garën e fundit në Abu Dabi, Luis Hamilton rikthehet të flasë për të ardhmen. Britaniku konfirmon zërat e para disa ditëve, ku në mediat italiane u fol për takime mes tij dhe presidentit të Ferrarit, Xhon Elkan.

Hamilton1

“Nuk shikoj asgjë të keqe”, kështu iu përgjigj piloti i Mercedesit pyetjes për takimet e mundshme me bosin e “Kokëkuqes”. Hipoteza që e shikon Hamiltonin në vitin 2021 në radhët e Ferrarit, me sa duket është e mundshme, pasi edhe vetë piloti nuk e mohon diçka të tillë, ndonëse 34-vjeçari ka pranuar gjithashtu se bisedimet për rinovimin e kontratës me Mercedesin po ecin përpara. Vetë shefi i “Shigjetës së argjendtë”, Toto Volf, të dielën u shpreh se është i qetë lidhur me rinovimin e kontratës së kampionit të botës.

hAMILTON

TAKIMI I FSHEHTË

Ndonëse në skuadrën Mercedes duken të qetë për sa i përket të ardhmes së kampionit të tyre, në Itali vazhdojnë të besojnë se gjithçka mbetet e hapur. Kjo për vetë faktin se 6 herë kampioni i botës nuk i ka mohuar takimet me Xhon Elkanin dhe se kriteri i vetëm i zgjedhjes për të ardhmen ka të bëjë me të pasurin e një makine fituese.

Hamilton

“Natyrisht, gjithçka ndodh me dyer të mbyllura, mbetet private, – do të shprehej Hamilton, – ashtu sikurse personi që takohesh për të biseduar. Për shumë vite nuk jam ulur dhe nuk kam parë asnjë opsion tjetër, pasi kam ecur drejt gjithnjë në të njëjtën rrugë. Mendoj se jam sërish në të njëjtin drejtim dhe nuk ka mundësi shumë të mëdha për ta ndryshuar këtë, por gjithashtu mendoj se nuk ka asgjë të keqe të shikosh edhe mundësi të tjera”, deklaroi Hamilton, duke lënë gjithçka hapur për të ardhmen.

URIA PËR TË TJERA FITORE 

Hamilton kërkon të fitojë edhe për shumë kohë: “E di që edhe Toto Volf po shqyrton opsionet për të ardhmen dhe vetëm ai e di se çfarë është më mirë për të. Kështu që le të presim. Adhuroj vendin në të cilin ndodhem dhe sigurisht që nuk kam arsye urgjente për të cilat duhet të nxitohem. Por nga ana tjetër mendoj se është diçka inteligjente për mua që të mendoj edhe për të ardhmen, pasi mund të jetë edhe periudha e fundit e karrierës ku do të kem mundësinë ta bëj diçka të tillë. Unë dua të vazhdoj të fitoj dhe të jem në gjendje për të luftuar me këta djem të rinj.

Hamilton Fetel

Por vërtet nuk mund t’ju them se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Luis Hamilton duke lënë kështu të hapur mundësinë e një prej transferimeve më të bujshme në Formula 1. Kujtojmë se piloti britanik ka kontratë me Mercedesin edhe për sezonin e ardhshëm, nga e cila përfiton rreth 50 milionë dollarë në sezon.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"