“Nuk i kuptoj këta lojtarë dhe pseudomenaxherë”, Gjyla: Jam trajner, s’merrem me letrat e gjetje shtëpish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2020 | 10:50

“Nuk i kuptoj këta lojtarë dhe pseudomenaxherë”, Gjyla: Jam trajner, s’merrem me letrat e gjetje shtëpish

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka bërë me dije se tre futbollistë që kishin kryer fazën përgatitore në Përmet dhe kishin firmosur, kanë kërkuar të largohen. Portieri Samet Bajri, mbrojtësi Igli Doko dhe sulmuesi Kejsion Kumanaku, edhe pse firmosën një kontratë 1-vjeçare me klubin verdhejeshil, kanë kërkuar tashmë largimin nga Lushnja dhe nuk do të jenë më pjesë e saj. Diçka e çuditshme, po të kemi parasysh edhe largimin e mëparshëm të sulmuesit Armando Mezini në të njëjtat rrethana. Trajneri Gjyla tha për gazetën se është në bisedime me një sulmues, ndërsa për sa i përket portës nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të Spahos.
gjyla
Profesor Gjyla, si shkoi faza përgatitore në Përmet?
Shumë mirë, mendoj se u arrit qëllimi për çfarë kishim shkuar, marrja e ngarkesës fizike nga ana e futbollistëve. Jemi në fazën e kolaudimit të skuadrës, në fazën e formatimit, të asaj çfarë do të bëjmë gjatë kampionatit. Në njëfarë mënyre jemi mirë, por, siç e thashë edhe pas miqësores me Përmetin, kemi një problem të sulmuesve. Të dy sulmuesit tanë u dëmtuan, plus që njëri prej tyre, Kumanaku, kërkoi të largohet, kështu që na duhet një sulmues patjetër.

Po repartet e tjera?
Repartet e tjera…, shiko, nuk i kuptoj dot këta futbollistët dhe këta pseudomenaxherët. Kemi marrë një futbollist që kërkoi vetë të vinte te ne, Igli Dokon, një djalë i ri i ardhur nga Greqia. Bën 10 ditë stërvitje dhe na thotë se kërkon të largohet nga Lushnja. Nuk e di, i papërgjegjshëm, siç duket të gjithë futbollistët në të gjithë botën qenkan të papërgjegjshëm, mërzitemi kot me ata që kemi kaluar. Janë të gjithë njësoj. Janë disa pseudomenaxherë që i kalojnë futbollistët sa andejkëndej, i kanë bërë si gurë shahu. Unë jam trajner, jam për t’i përzgjedhur ata.

Dukeni i shqetësuar nga kjo që ju ka ndodhur!
Normal që mërzitesh kur duhet të merresh edhe me punë që nuk të takojnë ty. Kemi problemin e letrave të afrikanëve dhe brazilianit, nuk duhet të merret trajneri me problemin e letrave dhe të gjetjes së shtëpisë së lojtarëve. Kam folur me menaxherin që i solli, ish-futbollistin Abraham, i cili më tha se letrat janë të rregullta, por nga klubi marrim sinjale se nuk i kanë letrat. Nuk e kuptoj, më duket një mbingarkesë në një moment që duhet të jemi të qetë si staf për të formatuar skuadrën, për ta bërë atë sa më kompetitive për kampionatin.

Për momentin, si është grupi në anën sportive?
Për anën profesionale mendoj që ky grup është shumë mirë. Me ndonjë riparim të vogël, që kemi kohë ta riparojmë, do të jemi mirë. Mendoj se edhe problemet e tjera do t’i zgjidhim me kalimin e kohës.

Keni pista konkrete për sulmuesin që kërkoni?
Po shikojmë për një sulmues dhe kemi emra, por nuk kemi pse i themi në një kohë që nuk kemi bërë asgjë konkrete. Xeka është i vlefshëm, ka një dëmtim por i duhet skuadrës.

Po për sa i përket portës, pas largimit të Bajrit…
Nuk e di, unë bëj stërvitje, sakrifikoj për ta, jap bagazh, mundim, energji dhe na ikin. Ndoshta forma e mirë e Kaloshit...Nuk e kuptoj dot, nuk e konceptoj dot. Bajri ishte një portier i mirë. Megjithatë, edhe pse ka ikur Bajri, kemi portierë. Duhet të them edhe një gjë tjetër, rezerva “jabanxhinj” nuk kam për të mbajtur në skuadër.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"