“Nuk i kemi shkelur rregullat”, mbrohet Pogradeci, Gusho: Janë foto të mëparshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2020 | 19:27

“Nuk i kemi shkelur rregullat”, mbrohet Pogradeci, Gusho: Janë foto të mëparshme

Drejtuesit e Pogradecit janë munduar të mbrohen, pas shkrimit të publikuar në numrin e djeshëm të “Panorama Sport”. Vetë klubi liqenor kishte publikuar në faqen e tij në “Instagram” foto nga stërvitja e ditëve të fundit, ku lojtarët shfaqeshin në fushën e stadiumit duke u stërvitur kolektivisht, të gjithë grup dhe në kundërshtim me rregullat e vendosura nga qeveria për situatën që po jetojmë.

POGRADECI66

Pas shkrimit të djeshëm ka reaguar një nga drejtuesit e klubit pogradecar, sekretari Kopi Gusho, i cili ka dashur të justifikohet me faktin se fotot janë të një kohe tjetër të mëparshme dhe se janë postuar për nostalgji. Në fakt, kuptohet qartë se bëhet fjalë për foto të ditëve të fundit, të sqaruara edhe me komentin përkatës nga administratori i faqes. Teknologjia në kohët e sotme të nxjerr “zbuluar”, megjithatë pogradecarët kanë versionin e tyre.

Gusho

“Nuk janë foto stërvitore të kësaj periudhe karantine, janë foto të disa muajve më parë dhe futbollistët për nostalgji i kanë hedhur në qarkullim. Për asnjë moment nuk kemi shkelur rregullat e përcaktuara”, shprehet sekretari Gusho, duke mos dashur ta komentojë më gjatë për këtë çështje.

EKIPI – Pogradeci, sipas Gushos, po zbaton planin stërvitor të stafit teknik. Grupi i futbollistëve, duke qenë thuajse i gjithi vendës, kontrollohet më lehtë nga trajneri Abazaj. Vetëm dy korçarët Dramolli dhe Osmanllari nuk mund të udhëtojnë drejt Pogradecit për momentin.

pOGRADECI2

Drejtuesit pogradecarë, në pritje të vendimit zyrtar për rikthimin në fushë, po punojnë në stadium për plotësimin e të gjitha kushteve higjienike për të mos pasur probleme. “Jemi duke punuar në ambientet e brendshme të stadiumit për të pasur kushte optimale për të qenë gati. Po respektojmë rregullat që do të na vendosen.

Punonjësit po merren me pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve, po krijojmë sa më shumë hapësira për të mos pasur grumbullim futbollistësh kur të fillojë stërvitja. Futbollistët, sipas planit të trajnerit Abazaj, po bëjnë kryesisht vrapime, por po përfitojnë edhe nga fakti se Pogradeci si qytet ka hapësira që mund të shfrytëzohen. Ka futbollistë që vrapojnë nga liqeni, të tjerë që vrapojnë në parkun me gjelbërim, ka dhe ndonjë që vrapon në stadium, pasi e ka shtëpinë afër”, ka përfunduar drejtuesi pogradecar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"