“Nuk është ende skuadra e Dobit”, trajneri i Kukësit i shmanget euforisë: Nuk mund të flasim për titull se kemi fituar tre ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2022 | 17:38

“Nuk është ende skuadra e Dobit”, trajneri i Kukësit i shmanget euforisë: Nuk mund të flasim për titull se kemi fituar tre ndeshje

Enkelejd Dobi duket se për momentin ka gjetur atë që i nevojitej Kukësit, pasi skuadra verilindore prej tre ndeshjesh radhazi në kampionat ka gjetur fitoret, duke iu bashkuar grupit të skuadrave që pretendojnë për titull. Por pas fitores me Erzenin, vetë trajneri i verilindorëve ka theksuar se ekipi nuk duhet të përfshihet nga euforia pas këtyre rezultateve.

dobi

“Në situatën që kemi qenë, kanë qenë të rëndësishme pikët. Loja ka qenë momentale, duhet të respektojmë Erzenin. Ka mënyrën, stilin e mënyrën e vet, na vuri në vështirësi, vuajtëm e mbajtëm presionin dhe filluam pak nga pak e dolëm para, goli i dytë na dha më shumë qetësi. Por duhet të jemi më të rafinuar pasi kemi mundësi të dalim më mirë në kundërsulm, me topa të qartë e saktë, që të mos rrimë deri në minutat e fundit. Por duhet t’i jap respektin e duhur Erzenit se i ka fituar në fushë pikët dhe na vuri në vështirës, i jap meritë ekipit që e përballoi presionin dhe me golin e dytë ia doli që të merrte pikë.

Punojmë mënyra të ndryshme që loja të na tregojë vlerat, por ndonjëherë vetë ekipi e ndjen situatën dhe kërkon të jemi të kujdesshëm, kompakt, mbi të gjitha të mos kemi shumë hapësira. Kishim mënyrën tonë, kemi punuar, jo të gjitha dalin, luajmë me një ekip që ka vetëbesim dhe ka mënyrën e vet dhe këtu thuajse nuk ka humbur pikë. Por e menaxhuam dhe treguam pak më shumë maturitet në lojën tonë.

Nuk mund të themi ende që është skuadra e Dobit, është skuadra e Kukësit. Unë mundohem që të gjithë mekanizmat që më kanë dhënë, t’i vais, të vendos kushinetat që të funksionojë si mekanizëm i përbashkët. Unë nuk shoh larg, shoh ndeshjen e radhës dhe aty fokusohemi. U kam thënë çunave t’i shohim ndeshje pas ndeshje, nuk kemi komoditet të shohim lart edhe pse pretendimet e Kukësit kanë qenë gjithmonë.

Egnatia me Duron në pankinë? Probleme kemi çdo ditë e duhet t’i zgjidhim, dihet që do të japë frymë e entuziazëm të ri te ekipit se çdo lojtar shtrohet me një trajner të ri, se ka mënyrën e organizmin e tij.  Por nuk kemi ndikim te puna e profesor Duros, por te loja jonë, ne do të mundohemi të bëjmë çfarë dimë më mirë nga ne, futemi mbi të gjitha te automatizmi, psikologjia e stili i lojës që kemi.

Koha do të tregojë, deri tani kemi marrë pikët, nëse skema do të jetë e duhura apo jo. Se në futboll duhet vazhdimësi. Por deri tani skema po funksionon, në momentin që jo, kur diçka shkon, nuk ke çfarë të ndryshosh.

Nuk është punë frike, të jesh guximtar nuk do të thotë të mos kesh frikë. Nuk është punë frike të flasësh për titull por të shohim ku ishim e ku jemi, duhet të rrimë me këmbë në tokë, me modesti. Nuk mund të flasim vetëm se fituam tre ndeshje. Jemi ende në fillim”, theksoi Dobi për “Oversport” pas duelit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"