“Nuk e nënvlerësoj Flamurtarin”, Duro: Partizani rivali ynë për titullin, fakti që ata lënë në stol Asanin tregon se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2019 | 8:52

“Nuk e nënvlerësoj Flamurtarin”, Duro: Partizani rivali ynë për titullin, fakti që ata lënë në stol Asanin tregon se…

Shpëtim Duro pret me patjetër fitoren ndaj Flamurtarit, por vlerëson vlonjatët për paraqitjen në javët e fundit.

shpetim duro

Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Kukësit nuk i zë besë krizës së thellë të vlonjatëve, ndërsa nuk ngurron të theksojë se rivali kryesor për titullin kampion është Partizani. Ai flet edhe për Kristal Abazajn dhe Enis Gavazajn, nga të cilët është i kënaqur, ndonëse pret më tepër prej tyre.

Katër pikë në dy ndeshjet e fundit, jeni i kënaqur apo prisnit më tepër?

Sigurisht që vijmë pas dy rezultateve të mira, sepse edhe barazimin me Partizanin jashtë fushës sonë e konsideroj pozitiv.

Luani ndaj Flamurtarit, një ekip që mbyll tabelën e klasifikimit. Është detyrim fitorja?

Normalisht që do ta respektojmë në maksimum Flamurtarin, kjo për shumë arsye. E para, pavarësisht klasifikimit, Flamurtari është skuadër që ka lojtarë me përvojë në përbërje, pra e ka organikën. U ka hapur shumë punë mjaft skuadrave të tjera, pavarësisht rezultateve. Kjo u pa edhe në ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut.

dURO

Mos ndoshta Kukësi këtë kampionat po vuan me ato ekipe të lehta në letër dhe kjo ka ndikuar në renditje?

Me skuadrat kryesore si Partizani dhe Tirana kemi luajtur mirë dhe kemi marrë rezultate pozitive. Kemi vuajtur me skuadrat e tjera, por sigurisht kanë qenë humbje për shumë faktorë dhe unë e kam thënë që duhet shumë impenjim kundër çdo ekipi. Këtë e ka treguar gjithë kampionati. Nuk kemi marrë pikët e duhura, por të gjitha skuadrat kanë bërë gabime. Kjo tregon që rivaliteti është evident.

Ju shqetëson fakti që në këtë takim keni tri mungesa shumë të rëndësishme, si Shkurtaj, Limaj e Obanor?

Po, është fakt që kemi mungesa shumë të rëndësishme, lojtarë bazë si Obanor, Limaj dhe Shkurtaj. Për Vasilin është ndeshja e dytë, pra mungon sulmuesi më i mirë. Këto janë pjesë e kampionatit dhe ata që do t’i zëvendësojnë, shpresoj ta bëjnë mirë punën e tyre.

Fazën e parë e mbyllët me 15 pikë, me sa të tilla parashikoni ta mbyllni të dytën?

Nuk ka parashikime absolute në futboll. Shpresojmë të bëjmë më mirë.

Si i shikoni rivalët? 

Unë e kam thënë dhe më parë, një nga rivalët kryesorë është përsëri ekipi që u shpall kampion, Partizani, për faktin se është një skuadër e konsoliduar. Ka një organikë shumë të pasur. Të lësh jashtë një futbollist si Jasir Asani, tregon luksin që ka skuadra e Partizanit në formacion. Është një skuadër që përkrahet shumë nga tifozët dhe kjo është një anë pozitive e tyre. Por edhe ekipe të tjera që po bëjnë një kampionat shumë të mirë, në veçanti Bylisi, që nuk mund ta quaj më surprizë, është klub që e meriton këtë vend. Ka lojtarë jashtëzakonisht të talentuar, por dhe me përvojë në mbrojtje, sidomos portieri Isli Hidi, i cili ka qenë një nga pikat më të forta në këtë pjesë të kampionatit.

Pas 10 javësh kampionat, Abazaj, Gavazaj apo ndonjë afrim tjetër, mendoni se ka ardhur momenti të shpërthejnë?

Sinqerisht, unë nga Abazaj e Gavazaj jam i kënaqur me punën që bëjnë në stërvitje. Për sakrificat dhe impenjimin që shfaqin në ndeshje, patjetër që janë dy lojtarë cilësorë. Duhet thënë se jo vetëm unë, por e gjithë skuadra dhe vetë ata presin më shumë nga vetja. Por mungesat e shumta, problemet që kanë pasur sezonin e kaluar, nuk është e lehtë të gjejnë ritmin e duhur. Mirëpo, nga impenjimi dhe ajo çfarë japin në fushën e lojës, unë jam i kënaqur.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"