Nuk e kualifikoi Italinë në Botëror, Ventura i thotë të gjitha: Më vrau sistemi, gabova që nuk ika

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2018 | 21:45

Nuk e kualifikoi Italinë në Botëror, Ventura i thotë të gjitha: Më vrau sistemi, gabova që nuk ika

Nuk arrij t’i jap një kuptim asaj që ndodhi, por një shpjegim e kam. Jam marrë me futboll për 35 vite në fushë e jashtë saj, por kurrë nuk jam bërë pjesë e politikës sportive apo pjesë e ndonjë grupimi. Kam besuar gjithnjë se të prodhosh, vlen me shumë sesa të premtosh. Projekti që kisha nisur ishte në rrugën e duhur”. Me këto fjalë e nis intervistën e tij ish-tekniku i kombëtares italiane, Xhian Piero Ventura, për të përditshmen sportive “La Gazzetta dello Sport”.

Ventura

Ventura, cili është shkaku që la Italinë jashtë Botërorit?

Kisha trashëguar skuadrën me moshën mesatare më të madhe të 50 viteve të fundit, por sërish ishim në rrugë të mbarë me integrimin masiv të të rinjve premtues dhe me kualitet në organikë. Unë isha njeriu që u dha mundësinë e debutimit 14 lojtarëve të rinj dhe, nëse do të ishim kualifikuar në këtë Botëror, do të ishim ndër skuadrat më premtuese në këtë kompeticion. “Rusi 2018” duhet të ishte një trampolinë që ne të  ishim favoritët e “Euro 2020″. Gjithçka kishte një sens dhe plani funksiononte deri në sfidën me Spanjën, por pikërisht pas këtij takimi gjërat nisën të shkonin keq, si kurrë më parë”.

Spanja, pra, ka qenë shkaktarja e disfatës “axurre”?

“U kryqëzova si i vetmi fajtor për gjithë të këqijat që ndodhën, ndërkohë që federata mori rolin e spektatorit, duke më lënë gjithë barrën e fajit mbi supe, pa më mbështetur. Deri para takimit me Spanjën, unë isha tekniku i kësaj kombëtareje, më pas u ktheva në një thes boksi”.

Po nëse e ndienit që rreth jush toka po “digjte”, përse qëndruat?

“Nuk e di nëse ishte për pasion, afeksion apo për inat, unë nuk arrij ta shpjegoj saktësisht, por di që isha në një vorbull mendimesh dhe emocionesh në atë kohë. Sidoqoftë, lidhjen më të ngushtë me këtë kombëtare e kam ndierë pikërisht në ato kohë të vështira. Kjo kombëtare ishte gjithçka për mua. Besoj akoma brenda meje se do t’ia dilnim dhe ky është faji im, pasi në të vërtet duhet të isha tërhequr pikërisht atëherë”.

Po tani, si ndiheni? I mposhtur?

“Nuk jam i mundur, jam i nervozuar në maksimum. Energjia është veçoria ime dhe pres me padurim çastin që të kem në duar një skuadër. Kam dëgjuar shumë të pavërteta dhe spekulime prapaskenash, por tashmë jam lodhur. E përsëris, jam lodhur së qëni thesi i boksit ku gjuan gjithë Italia ndrydhjen e saj. Kam 35 vite në këtë sport dhe nuk e pranoj dot që gjithçka të thjeshtëzohet brenda tre muajve, duke më konsideruar nga një mjeshtër i futbollit në monstrën Ventura. Është e vërtetë që në futboll ndodh gjithçka, por kjo është e tepërt për mua, sidoqoftë mbetem optimist se e ardhmja më rezervon ditë më të bukura”.

Përgatiti: ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"