Nuk e grumbulloi për ndeshjen me Mançester Sitin. Bejl-Zidan nuk flasin me gojë, madje s’shihen më as në sy

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 8:30

Nuk e grumbulloi për ndeshjen me Mançester Sitin. Bejl-Zidan nuk flasin me gojë, madje s’shihen më as në sy

Garet Bejl nuk udhëtoi në Mançester dhe kjo ishte shenja e fundit që marrëdhënia e tij me Zinedin Zidanin është thyer totalisht dhe nuk ka më asnjë shans pajtimi. Reali fitoi titullin pak javë më parë, por uellsiani nuk luajti thuajse asnjë rol në skuadër dhe marrëdhënia e tij me trajnerin vetëm u përkeqësua. “Marca” zbulon se raporti i sulmuesit me trajnerin është aq i nderë, sa ata nuk komunikojnë më, madje nuk e shohin njëri-tjetrin as në sy.
Bejl Zidan
Është e vërtetë që Bejlit nuk i ka munguar respekti ndaj trajnerit të tij, por shumë prej gjesteve të lojtarit këto javët e fundit janë perceptuar keq nga Zizu, i cili e ka krisur raportin me të që pas finales së Champions-it 2018 në Kiev. Pas një sezoni të vështirë atë vit, ku sulmuesi humbi vendin në skuadër, Bejl refuzoi dorën e Zidanit, ndërsa ai i dha një mundësi. Rikthimi i francezit në stol nuk ishte lajmi më i mirë për ish-yllin e Totenhemit dhe verën e shkuar ai ishte shumë pranë largimit, ashtu siç tekniku e pranoi vetë, por sot ata janë ende në një skuadër dhe marrëdhënia sa vjen dhe përkeqësohet. Madje, ka mbërritur deri në pikën sa Zidan nuk e donte as në avionin që fluturoi drejt Mançesterit të premten, një vendim që nuk i ka surprizuar njerëzit në klub.

Drejtuesit e Realit kanë diskutuar të ardhmen e Bejlit në skuadër dhe presin që ai të largohet në fund të këtij sezoni, ashtu si Hames Rodrigez. Klubi shpresonte që të mos mbërrinte në këtë pikë, por situata e tij me trajnerin nuk ka shkuar drejt përmirësimit. Për sa kohë Zidan të jetë në stol, ai nuk do të luajë për Realin. Dhe me dy vite kontratë në “Bernabeu” ky është momenti më i mirë për ta shitur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"