“Nuk duhet ta kisha goditur penalltinë”, Canka bën autokritikë: Vija pa… përgatitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2022 | 21:21

“Nuk duhet ta kisha goditur penalltinë”, Canka bën autokritikë: Vija pa… përgatitje

Penallti humbet gjith kush, por pakkush bën autokritikë. Mikel Canka nuk e ka të vështirë ta pranojë që gaboi dhe sidomos kur ndien rrezikun që i kanoset Lushnjës së tij. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni pranon që nuk duhet ta gjuante ai 11-metërshin, pasi nuk kishte përgatitjen e duhur fizike pas një muaji mungesë.

canka

“Nuk duhet ta kisha goditur unë atë penallti, duke ditur që nuk kam qenë i mirëpërgatitur. Ky është gabimi që ekipi po bën ndeshje pas ndeshjeje, tërhiqet sikur nuk ka besim në vete. Nuk e kuptoj çfarë nuk shkon. Por, duhet bërë autokritikë nga unë i pari. Kishim mundësi të fitonim. Nuk do të na i falë kush ato pikë që lamë. Lojtarët duhet të tregohen këmbëngulës dhe të hyjnë për të marrë rezultatet e plota në çdo fushë.

Ka disa javë që shënojmë të parët dhe në fund kënaqemi me një pikë. Nuk është kjo që ekipi duhet ta pranojë. Duhet të japim maksimumin të gjithë, jo vetëm disa. Shoh shumë mosbesim dhe tension. Kështu ndodhi përballë Turbinës. Ne po ua falim pikët kundërshtarëve tanë. Kjo ndodh sepse po humbim besimin. Nuk kemi rrezikuar në asnjë moment. Sado që kundërshtari ishte me 10 lojtarë, na vuri në vështirësi. Dhe kishte mundësi për ta fituar takimin. Jam shumë i pakënaqur nga kjo ndeshje. Shokët e mi duhet të tregojnë vlerat që kanë për të ngritur sa më lart ekipin e Lushnjës”, tha fillimisht në analizën e tij lushnjari.

RREZIKU

Lushnja nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në stadiumin “Nexhip Trungu”. Një rezultat që i mbajti verdhejeshilët +5 nga zona e rënies. Por nëse situata nuk ndryshon në 7 javët e mbetura, verdhejeshilët janë një ndër skuadrat më të kuotuara për të luajtur një ndeshje shtesë në fund të sezonit.

“Lushnja duhet të thellojë ende diferencën e pikëve me katërshen e fundit. Dhe ka akoma ndeshje të forta, që nuk duhen gabuar. Nëse do të vazhdojmë të lëmë pikë me të tilla ndeshje, rrezikojmë shumë. Prandaj duhet të mbledhim forcat për të mos shkuar deri në atë pikë”, evidentoi sulmuesi, duke dhënë një “SMS” për ekipin.

KTHESA

Këtë javë Lushnja luan në shtëpi me Pogradecin dhe Canka kërkon që ndeshja të merret seriozisht, pasi tani nuk tolerohen më hapa falsë. “Ndeshja me Pogradecin është finale për ne. Duhet vlerësuar në maksimum dhe të tregojmë në fushën e lojës se jemi ne që do ta fitojmë këtë 90- minutësh.

Nuk duhet nënvlerësuar kundërshtari, përtej situatës që po kalon. Ata luajnë bukur futboll. I kanë dhënë provat, kanë ardhur dhe kanë marrë pikë të plota në Lushnjë. Përtej problemeve të brendshme, nuk duhet të vihemi në ‘gjumë’. Ka ardhur momenti të mos falim më”, e mbylli kapiteni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"