“Nuk do të nxitohemi në merkato”, trajneri Sinella: Erdha me mision në Berat, duam Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2020 | 23:59

“Nuk do të nxitohemi në merkato”, trajneri Sinella: Erdha me mision në Berat, duam Superioren

Tomori gjen më në fund trajner. Bledar Sinella do të jetë në krye të beratasve për sezonin 2020-2021. Vendimi është marrë dje, pas një mbledhjeje të zhvilluar në bashki. Pas takimit që zhvilloi kavajasi me presidentin Ervin Demon, është arritur direkt akordi dhe u bë zyrtarizimi.

Sinella Tomori

Në zyrën e kryebashkiakut është folur jo vetëm për kushtet e kontratës e caktimin e pjesës tjetër të stafit teknik, por mbi të gjitha, për objektivat. Si zv/trajner është përzgjedhur ish-sulmuesi Klodian Arbëri, ndërsa Madrid Muxhaj do të jetë përgatitës i portierëve. Menjëherë pas firmës, tekniku i ri ka vizituar ambientet e stadiumit dhe bashkë me administratorin Ajazi e krahun e tij të djathtë, Arbëri, janë ulur për të hartuar strategjinë e punës.

DEKLARATA – Bledar Sinella është i lumtur për këtë rikthim dhe e thotë hapur që ngjitja do të jetë objektiv i beratasve. Në deklaratën e parë të dhënë për “Panorama Sport”, ai nuk ngurron që të flasë edhe për planet e merkatos. “Dua të falënderoj kryebashkiakun Demo dhe administratorin Ajazi, që besuan në aftësitë e mia profesionale. Nuk kam hezituar dhe me kënaqësi e kam pranuar këtë përgjegjësi.

Unë e njoh shumë mirë skuadrën dhe ambientin e nxehtë beratas, pasi kjo do të jetë eksperienca ime e dytë këtu. Dua të përmbush misionin e lënë përgjysmë herën e parë dhe t’i shkojmë deri në fund projektit ambicioz për rikthimin e Tomorit me shumë histori në futbollin shqiptar, në vendin ku i takon. U kërkoj tifozëve të na mbështesin fort, pasi i konsideroj ata si lojtarin e 12-të. Nuk kemi kohë për të humbur, por as duam të nxitohemi. Nga puna zyrtarisht do të fillojmë të mërkurën pasdite. Në fushë do të jetë e gjithë skuadra që mbylli sezonin e kaluar.

Po kështu, ju bëj me dije se, merkatoja nuk do të bëhet as e bujshme dhe as e nxituar. Skuadra dhe unë do të mbështetemi tek elementi vendës, që në mënyrë të veçantë janë edhe e ardhmja e Tomorit. Faza përgatitore do të zhvillohet e gjitha në qytetin e Beratit. Mendoj se kushtet këtu do të jenë optimale, por edhe do të kursejmë shpenzimet e panevojshme jashtë qytetit, pra do të miradministrojmë edhe buxhetin me këtë rast. Nuk ka asnjë dyshim që edhe unë, si të gjithë kolegët e mi dhe specialistët e njohur të futbollit, e konsideroj Grupin B ku do të jemi pjesë, si një ‘aneks’ të Superiores.

Kam bindjen që gara e ndezur në sezonin e ri do të jetë po aq e ndjekur sa dhe vetë elita dhe ndoshta do të kemi fatin e mirë dhe shpresën e madhe që sezoni i ri të mund të luhet me tifozë, që të vërtetonim shkallën e lartë të interesimit të tifozerive në qytetet respektive ku do të luajmë. Megjithatë, objektivi i Tomorit do të jetë pozicionimi në pesë ekipet e para të grupit, pastaj në fazën e tretë do të zërë vend shprehja: ‘Oreksi vjen duke ngrënë’. Pra, qëllimi të jetë ngjitja në elitë”, përfundoi Sinella.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"