“Nuk do të dëshiroja që kjo ditë të vinte”/ Nga Nadal te Laver dhe Mark Markez, disa nga mesazhet për tërheqjen nga tenisi të Federer

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 10:56

“Nuk do të dëshiroja që kjo ditë të vinte”/ Nga Nadal te Laver dhe Mark Markez, disa nga mesazhet për tërheqjen nga tenisi të Federer

Roxher Federer ka njoftuar dje zyrtarisht tërheqjen nga sporti i Tenisit.

ROGER FEDERER (SUI)TENNIS - THE CHAMPIONSHIPS - WIMBLEDON - ALL ENGLAND LAWN TENNIS AND CROQUET CLUB - ATP - WTA - ITF - WIMBLEDON - SW19 - LONDON - GREAT BRITAIN - 2019

Legjenda Federer ka trishtuar mijëra fansa nëpër botë me lajmin që vetë ai njoftoi duke i dhënë lamtumirën sportit ku u bë i njohur.

Menjëherë pas këtij lajmi kanë qenë sportistë të ndryshëm, duke filluar nga rivali i tij në fushë, Rafael Nadal, deri te disiplinat e tjera si Moto GP, Mark Markez.

Nadal ka shkruar në profilin e tij të rrjetit social “Twitter” se kjo ditë nuk do të dëshironte të vinte kurrë:

“I dashur Roxher, miku dhe rivali im! Është një ditë e trishtueshme për mua personalisht dhe për të gjithë sportistët anë e mbanë botës.

Ishte kënaqësi, nder dhe privilegj për mua që të ndanim kaq shumë vite së bashku, duke jetuar momente të paharrueshme brenda dhe jashtë fushës. Kemi kaq shumë për të kaluar së bashku në të ardhmen.”, ishte mesazhi i Nadal.

“Faleminderit për gjithçka Roger, shihemi së shpejti”, ishte mesazhi i Rod Laver.

“Ai ishte një nga idhujt e mi dhe një burim frymëzimi. Do të doja të luaja përsëri me ty. Të uroj gjithë fat”, shkroi Karlos Alkaraz.

“Faleminderit Roxher për gjithçka që ke bërë për tenisin dhe për mua. Bota e tenisit nuk do të jetë kurrë e njëjtë pa ty.” përshëndetjet e Huan Martin Del Potro, i cili mundi Federerin në finalen e US Open në vitin 2009.

“Federer? Është si Valentino Rosi që u largua vitin e kaluar. Ne flasim për njerëz që bënë diçka ndryshe në sport. Gjithmonë bëja tifo për Nadalin, por klasi i Roxher ishte diçka unike.”, deklaroi Mark Markez.

Kështu, tenisi humbet një ikonë, i cili ka shkruar historinë e këtij sporti me një karrierë të pabesueshme.

Në historinë e tenisit, vetëm Rafael Nadal (22) dhe Novak Xhokoviç (21) kanë fituar më shumë trofe Grand Slam (Australian Open, Roland Garros, Wimbledon dhe US Open) se zvicerani.

Federer debutoi si profesionist që në moshën 16-vjeçare në vitin 1998 dhe fitoi trofeun e parë Grand Slam në Wimbledon në vitin 2003. Në total, e ka fituar 8 herë turneun anglez.

Triumfi i fundit u shënua në vitin 2018 në Australian Open, kur Federer, në atë kohë 36 vjeç, u bë tenisti më i vjetër në moshë që fitonte një nga katër turnetë më të mëdhenj të tenisit.

Kështu në vetëm pak javë, pas tërheqjes së Serena Uilliamsit, tenisi nuk do të jetë më i njëjtë, teksa përshëndetet me një tjetër ikonë.

BRIAN KRISTO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"