Notat e skuadrave/ Luftëtari shkëlqen, Flamurtari me fytyrë të re. Shkodranët prekin fundin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2018 | 20:35

Notat e skuadrave/ Luftëtari shkëlqen, Flamurtari me fytyrë të re. Shkodranët prekin fundin

Vlerësim i “Panorama Sport”

luftetari

Luftëtari 8 – Lojë, gola, fitore dhe vendi i tretë në Shkodër. Bluzinjtë kanë siguruar tri pikë të arta në transfertë ndaj Vllaznisë. Dy golat e Abazajt dhe Bregut ishin të jashtëzakonshëm. Tashmë, gjirokastritët kanë më shumë moral për takimet e mbetura të sezonit.

Skënderbeu 7.5 – Në kryeqytet ndaj Partizanit nuk është aspak e lehtë që të fitosh, por korçarët tashmë e kanë bërë zakon që sigurojnë trepikëshin edhe kur nuk luajnë mirë. Një gol në minutat shtesë mjafton që bardhekuqtë të hedhin një tjetër hap drejt zyrtarizimit të titullit kampion.

Flamurtari 7 – Me trajner të ri në stol dhe shumë ndryshe nga javët e fundit të kampionatit, vlonjatët kanë gjetur fitoren, e cila i largon nga fundi i klasifikimit. Por, më shumë se kaq, ky triumf është një ogur i mirë për vazhdimësinë.

Kamza 7 – Të fitosh ndaj Lushnjës nuk është e vështirë në këto javë të fundit të kampionatit, por për Kamzën nuk rezultoi edhe aq e lehtë. Gjithsesi, skuadra e Ahmatajt siguroi fitoren dhe ruan distancën me vendet e fundit në klasifikim.

Laçi 6.5 – Kurbinasit janë të fortë në shtëpi dhe kjo nuk është e panjohur, por përballë Kukësit çdo skuadër e ka të vështirë. Kështu që barazimi mund të konsiderohet si rezultat pozitiv, edhe pse për bardhezinjtë nuk është i vlefshëm për objektivin që kanë në renditjen e përgjithshme.

Kukësi 6.5 – Verilindorët luanin pa presion në Laç, pasi diferenca me ndjekësit në klasifikim është relativisht e madhe. Megjithatë, u treguan të kujdesshëm të mos pësonin. Mund të kishin dalë edhe me fitore në rast se arbitri do të kishte akorduar penalltinë e rregullt në favor të tyre.

Partizani 5 – Një humbje e ardhur në minutat e fundit të takimit nuk mund ta zbehë lojën e mirë të skuadrës së drejtuar nga Dalipi përballë Skënderbeut. Të kuqtë, sidomos në pjesën e parë, i vunë në presion korçarët, por nuk mundën që të ruanin të paktën barazimin deri në fund.

Lushnja 4.5 – Një gjysmënote më shumë për rezistencën që myzeqarët kanë bërë në transfertën ndaj Kamzës. Edhe pse të rënë nga Superiorja, ata nuk u dorëzuan në asnjë moment, madje arritën të barazonin edhe shifrat, por e patën të pamundur të dilnin me pikë.

Teuta 4 – Minimalisht, Teuta duhet të kishte marrë një barazim në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Durrsakët kaluan të parët në avantazh, por nuk arritën ta ruanin atë dhe u dorëzuan totalisht, duke pësuar tre gola.

Vllaznia 4 – Shkodranët kanë prekur fundin dhe tani nuk po shfrytëzojnë dot as faktorin fushë. Disfata në shtëpi kundër Luftëtarit i ka zhytur ata në vendin e parafundit në renditje, çka bën që të rrezikojnë mbijetesën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"