Notat e Shqipërisë/ Grezda mushkri për Kombëtaren, Roshi një “raketë” e vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2017 | 23:36

Notat e Shqipërisë/ Grezda mushkri për Kombëtaren, Roshi një “raketë” e vërtetë

Vlerësimi i “Panorama Sport” për paraqitjen e futbollistëve të Kombëtares shqiptare në ndeshjen miqësore ndaj Turqisë të fituar me rezultatin 2-3.

kombetarja

ETRIT BERISHA 6 – Shiriti i kapitenit nuk i krijon aspak presion dhe shfaqet si hero sa herë u duhet ndihmë kuqezinjve. Pa faj te golat e pësuar. Bëhet makth për sulmuesin Cenk Tosun.

ELSEID HYSAJ 6 – Sikur ta bënte më shpesh atë shpërthim të fraksionit të dytë të lojës, do të ishte special, por gjithsesi, shfaqet i vendosur në krahun e tij. Ndihmon edhe Roshin, por në të dytën vuan jo pak.

FREDERIK VESELI 6.5 – Ka qetësinë e një veterani dhe shfaqet gjithmonë në këndin që bllokon ndërhyrjet e kundërshtarëve. Ka kaluar periudhën e testeve dhe me Panuçin duket që do të kthehet në shtyllën e prapavijës, në krahë të Mavrajt.

MËRGIM MAVRAJ 6 – Gjysmë note me hatër. Presioni i turqve dhe numri i madh i lojtarëve për t’u markuar brenda zonës e bën disa herë konfuz, por eksperienca e nderon në jo pak raste me ndërhyrjet vendimtare ndaj sulmuesit Tosun.

ERMIR LENJANI 5.5 – Mungesa për një kohë të gjatë në Kombëtare e bën shumë të lexueshëm në daljet në sulm. Gjithsesi, me Grezdën në krahun e tij që nuk kthehet thuajse fare, është pozicional edhe kur gjendet në situata dy kundër një.

LEDIAN MEMUSHAJ 4 – Nervozizëm i çuditshëm dhe një karton i dytë i verdhë i evitueshëm, për më tepër që rezultati ishte 0-2 dhe nuk ishte aspak e nevojshme të bënte faull në një zonë jo të rrezikshme. Tek i pari vuan kusuret e Lenjanit, teksa arbitri ngatërrohet.

TAULANT XHAKA 6 – Forca nuk i mungon dhe as mushkëritë për të vrapuar pa fund, por me daljen e Memushajt vuan jo pak me topin në këmbë. Grinta që e karakterizon, i hap gjithmonë një vend në formacion, pavarësisht forcës së kundërshtarëve.

SABJEN LILAJ 6.5– Eksperienca e fituar i shërben për të kaluar testin “Panuçi”. Ka qetësinë e duhur dhe manovra me topin e bën të mos bjerë në nivelin e skuadrës. Lufton sa për dy aty në mesfushë, por dje ishte edhe i penalizuari i skemës.

ODISE ROSHI 8 – “Raketa” është pseudonimi më i goditur që i është vendosur një futbollisti si Roshi. I tillë edhe përballë turqve, dy asiste mjeshtërore te Sadiku dhe disa shpërthime.

EROS GREZDA 7.5 – Një lojtar i fituar në Kombëtare. Shënon golin e parë me fanellën kuqezi ndaj Turqisë pas një goditje të kalibruar sikur të ishte sulmues tipik. I jep frymëmarrje skuadrës sa herë ka topin në këmbë, pasi në duelet një për një është gjithnjë fitues.

ARMANDO SADIKU 8 – Dy raste, dy gola. E çfarë mund të bëjë më tepër një sulmues. Di të shënojë nga çdo pozicion. Një bomber i vërtetë, që me këtë ritëm “kërcënon” edhe rekordin e Bogdanit.

KAMER QAKA – Paraqitje pozitive. Bën disa pasime të zgjuara kur kuqezinjtë tentonin të merrnin frymë në minutat e fundit.

ASTRIT AJDAREVIÇ – Panuçi i dha detyra mbrojtëse një lojtari që ka si armë kryesore fantazinë, por sërish ai nuk stonoi në ato pak minuta që luajti.

ANDI LILA – Grinta nuk e lë kurrë në baltë, fiton një faull shumë të rëndësishëm në minutat e fundit, kur Turqia po na sulmonte vazhdimisht.

ARLIND AJETI – Pozicionohet mirë në qendër të mbrojtjes dhe, sa herë i jepet mundësia, largon çdo top të diskutueshëm në zonë.

NASER ALIJI– Luajti afro 30 minuta. Pozicional në krahun e majtë, por i munguan iniciativat drejt sulmit. Nuk mund të presësh më shumë nga një lojtar që ka disa muaj pa luajtur.

KRISTIAN PANUÇI 7.5 – Guxoi me skemën dhe, për më tepër, mposhti një rival si Turqia me 10 lojtarë për më shumë se 50 minuta. Ndoshta nuk ka kujdesin që De Biazi kishte për mbrojtjen, por duket se me udhëzimet e tij, kuqezinjtë janë më të lirshëm në fushë, duke u shprehur më mirë në fazën sulmuese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"