Njëzet futbollistë në provë, futbollisti pogradecar vijon me Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 23:27

Njëzet futbollistë në provë, futbollisti pogradecar vijon me Tomorin

Tomori vijon në mënyrë sistematike testimin e futbollistëve që janë paraqitur si kandidatë të mundshëm për t’u bërë pjesë e ekipit të drejtuar nga trajneri Klodian Arbëri.

tomori korabi

Si rrallëherë më parë, në këtë periudhë kur skuadra kërkon të plotësohet me elementë cilësorë nëpërmjet merkatos, te Tomori kanë mbërritur një numër relativisht i lartë futbollistësh që i janë nënshtruar provës. Në seancat stërvitore janë parë mbi 20 lojtarë, shumica e të cilëve janë ende duke u testuar. Stafet pretendojnë për të pasur një ekip konkurrues me plot rivalitet edhe brenda grupit, ku çdo rol duhet të dublohet, si dhe për t’i krijuar mundësinë çdo njërit prej kandidatëve që mbart vlera të bëhet pjesë e beratasve.

Midis të testuarve dominojnë futbollistët e huaj. Fundjavën e kaluar në fushë u pa edhe një japonez. Tekniku Arbëri e ka shfaqur hapur objektivin për të pasur në skuadër futbollistë të rinj, të cilët duhet të kenë brenda tyre, jo vetëm talentin, por edhe të shfrytëzojnë sa më mirë shansin që ai do t’i japë çdokujt për të veshur fanellën e Tomorit në sezonin e ri. Një prej lojtarëve të skuadrës të skuadrës së sezonit të shkuar është mbrojtësi Paulo Kasmollari, i cili ka vendosur t’i qëndrojë besnik Tomorit.

Sa i përket konkurrencës, ai thotë me bindje se e mirëpret, pasi gjithçka u shërben interesave të skuadrës, por edhe rritjes së tij profesionale. “Për mua nuk kishte dyshime mbi qëndrimin në Berat. Sa u përket testimeve të shumta në ekip, duhet të pranojmë se konkurrenca i shërben mjaft mirë organikës së skuadrës, si dhe pretendimeve që do të kemi sezonin e ri.

paolo kasmollari

Punën e bërë te Tomori në këto katër javë të para unë e vlerësoj me nota pozitive. Ne të gjithë kemi besim se së bashku do të bëjmë më të mirën për skuadrën dhe do ta përfaqësojmë atë me dinjitet”, u shpreh Kasmollari për “Panorama Sport”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"