Njëra skuadër përfiton 500 mijë paund bonus, tjetra nga 600 mijë në 1 milion. Ja sekretet e finales Siti-Çelsi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2021 | 13:29

Njëra skuadër përfiton 500 mijë paund bonus, tjetra nga 600 mijë në 1 milion. Ja sekretet e finales Siti-Çelsi

Për herë të dytë, në 3 vitet e fundit (Liverpul-Totenhem në sezonin 2018-‘19) final ja e Ligës së Kampioneve do të flasë anglisht. Mançester Siti-Çelsi konfirmon dominimin e futbollit ishullor në Europë këtë sezon. Për blutë e Londrës do të jetë rasti për të hedhur përfundimisht pas krahëve atë zhgënjim të 2008-ës, pasi humbën me Junajtidin në finale me penallti (rrëshqiti Xhon Terri). Sigurisht që në 2012-ën një pjesë e atij zhgënjimi u fshi me triumfin e Bajernit në Mynih dhe ngritjen e trofeut të parë të Champions-it në histori.

siti clesi

Ndërsa Siti nuk mund të shpërdorojë shansin e parë në histori për të ngritur kupën me veshë të mëdhenj. Kalendari i Premier Ligës do të na ofrojë këtë të shtunë një antipastë të asaj që do të ndodhë në finalen e 29 majit në Stamboll: nëse “Qytetarët” do të mundin londinezët nesër, do të fitojnë titullin e tretë kampion të Premier Ligës në 4 sezonet e fundit. Pep Guardiola mban kështu gjallë ëndrrën e tripletës, duke qenë se ka fituar Kupën e Ligës në finalen me Totenhemin. Por, ai e di mirë se nuk duhet ta nënvlerësojë Çelsin, që në gjysmëfinalen e Kupës FA më 17 prill eliminoi pikërisht Sitin dhe më 15 maj do të luajë trofeun e dytë sezonal kundër Lestërit. Një kuriozitet: Çelsi e arriti finalen e vet të tretë në histori me një trajner që është ulur në stol gjatë sezonit. Në 2008-ën vinte Grant pas shkarkimit të Murinjos, në 2012-ën Di Mateo në vend të Vijas-Boashit dhe këtë herë do të provojë Tuhel në vend të Lampardit. Me finalen e tretë të Champions-it 100% angleze, Premier Liga rikthehet të dominojë mbi Spanjën, e cila për të tretin vit radhazi nuk dërgon asnjë ekip në aktin e fundit.

BONUSET – Skuadra e Çelsit do të përfitojë 11 milionë paund bonus nëse fiton Champions-in dhe Kupën FA. 5 milionë janë akorduar nga klubi vetëm për kualifikimin në finalen e Stambollit. Ata do të mund të përfitojnë edhe 5 milionë të tjera nëse mundin Sitin, ndërsa 1 milion paund është bonusi nëse mundin Lestërin në finalen e Kupës FA. Çdo lojtar pritet të përfitojë 500 mijë paund në rast triumfi në Turqi. Në skuadrën e Sitit, yje si De Bryjne kanë klauzola 1 milion paundëshe bonusi në kontratat e tyre nëse fitojnë Champions-in, ndërsa lojtarët e tjerë do të përfitojnë rreth 600 mijë paund.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"