Një zbulim në mbrojtje i riu që u rrit te Partizani, Luftëtari “fërkon duart” për Franc Lalën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2019 | 18:36

Një zbulim në mbrojtje i riu që u rrit te Partizani, Luftëtari “fërkon duart” për Franc Lalën

Luftëtari duket i rilindur në dy ndeshjet e fundit, teksa ka grumbulluar katër pikë dhe ka shtuar besimin për t’u ngjitur në tabelën e klasifikimit.

franc lala

Mes shumë ndryshimeve që u bënë në merkaton e verës te bluzinjtë, ai që po spikat më së shumti deri më tani është pa dyshim qendërmbrojtësi 20-vjeçar, Franc Lala. Lojtari është prodhim i akademisë së Partizanit, por në sezonin e titullit kampion, nuk pati hapësira te të kuqtë dhe tentoi të luante në Kategorinë e Parë me Korabin.

Mirëpo, edhe te dibranët gjërat nuk shkuan siç duhet, ndërsa ishte e thënë që Lala të shkelte për herë të parë në futbollin elitar si pjesë e Luftëtarit. Nga pesë ndeshje të luajtura deri më tani, mbrojtësi ka qenë lojtari më i aktivizuar në skuadër bashkë me portierin Paiteris, kapitenin Rapo, mesfushorin Açka dhe sulmuesin Fili. Me paraqitjen e tij i ka dhënë siguri repartit difensiv nga ndeshja në ndeshje, madje duke u përshtatur më së miri edhe me skemën e re që aplikoi trajneri grek në sfidën e fundit në Shkodër, 3-5-2. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Lala foli për eksperiencën e tij të parë në Superiore dhe situatën në ekip para ndeshjes me Laçin.

DEKLARATA

“U bëra pjesë e Luftëtarit në merkaton e verës pas disa viteve në akademinë e Partizanit, ku për herë të fundit isha kapiten i ekipit U-19. Te Luftëtari ndihem shumë mirë, bashkë me grupin e lojtarëve. Çdo ditë punojmë fort për të dhënë maksimumin. Besoj se të gjithë po e shikojnë se përtej startit jo të mirë, tashmë ne si lojtarë ndeshje pas ndeshjeje kemi treguar rritje. Trajneri Marantas na qëndron afër, na jep këshillat e duhura në stërvitje dhe ndeshje. Besoj se deri më tani po shkojmë mirë. Na pret të shtunën një ndeshje e vështirë me Laçin. Duke qenë se luajmë në shtëpi, do të tentojmë të marrim të gjitha pikët e mundshme. Laçi luan fort dhe është i rrezikshëm në goditjet standarde. Duhet të jemi të përqendruar në çdo moment të lojës, me qëllim vazhdimin e serisë së rezultateve pozitive të dy javëve të fundit”, deklaroi mbrojtësi shtatlartë i bluzinjve.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"