Një sulmues amerikan për Apoloninë, priten edhe dy ekuadorianë. Branica shtyn firmën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2019 | 11:02

Një sulmues amerikan për Apoloninë, priten edhe dy ekuadorianë. Branica shtyn firmën

Apolonia ka ruajtur pjesën dërrmuese të kontingjentit të vjetshëm, me pak ndryshime.

klejdis branica

Gjatë kësaj vere janë larguar lojtarë si Andi Prifti, Endri Braka, Dejan Andoni dhe Orgest Buzi, ndërkohë që janë bërë dy përforcime në mesfushë: Erisildo Smaçi, i ardhur nga Laçi, dhe Gelando Sharavolli, i ardhur nga Tomori. Është rikthyer nga huazimi tek Albpetroli portieri Andrea Shumeli, si

dhe po kryejnë fazën përgatitore tek Apolonia mbrojtësi Brunild Naçi dhe mesfushori Sokol Ymeraj. Në këtë start të fazës përgatitore, problemi më kryesor për bardhejeshilët mbetet përforcimi i grupit. Në një projekt shumë ambicioz, Apolonia është në linjë intensive në këtë merkato vere në të gjitha pistat e mundshme, brenda dhe jashtë vendit.

SULMUESI AMERIKAN – Kështu, sot pritet të mbërrijë në Fier një qendërsulmues amerikan, 27 vjeç, i cili ka një përvojë të konsiderueshme në Europë, kryesisht në kampionatin belg dhe atë lituanez. Është një futbollist cilësor, sipas të dhënave paraprake të servirura nga menaxherët e klubit, por që do të testohet për disa ditë nga trajneri Artan Mërgjyshi dhe asistentët e tij, për të marrë më pas një vendim definitiv.

EKUADORIANËT – Veç këtij lojtari, priten edhe dy ekuadorianë, me njërin prej të cilëve është rënë parimisht dakord dhe mund të quhet gjithçka e mbyllur. Është 23 vjeç dhe luan në gjithë linjën e majtë, një lojtar që bën diferencën sipas videove të studiuara nga fierakët. Ndërkohë, futbollisti tjetër po nga Ekuadori, 22 vjeç, mund të luajë në çdo pozicion të prapavijës, por ndryshe nga bashkatdhetari i tij, do t’i duhet të marrë së pari OKin e trajnerit të Apolonisë.

BRANICA – Ka sinjale pozitive më në fund edhe nga sulmuesi Klejdis Branica, për të cilin pritej të firmoste dje me fierakët. Për arsye objektive të futbollistit, nuk është nënshkruar marrëveshja, por kjo pistë mund të quhet çështje e mbyllur, pasi vetë peqinasi, sipas burimeve nga klubi fierak, është shprehur se do të nënshkruajë për Apoloninë dhe duket se gjithçka mbetet thjesht formalitet. U krijua përshtypja e një amullie në merkaton fierake, por gjërat po fillojnë të lëvizin pozitivisht në drejtim të përforcimit të skuadrës, që pretendon të jetë forcë kryesore e Grupit B të Kategorisë së Parë.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"