“Një futboll sa për të thënë”, Kalluci apel FSHF-së për strukturën: Të shtohen ekipet, pa tifozë e kotë që luhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2020 | 13:35

“Një futboll sa për të thënë”, Kalluci apel FSHF-së për strukturën: Të shtohen ekipet, pa tifozë e kotë që luhet

Luftëtari i këtij sezoni është i destinuar për të rënë nga Superiorja, pasi diferenca me vendin që të jep shpresë për të qëndruar është shumë e madhe. Megjithatë, në Gjirokastër është parë si një shans për të qenë mes më të mirëve edhe kampionatin e ardhshëm gjendja e jashtëzakonshme prej pandemisë.

Kalluci

FSHF ka vendosur që kampionati të rifillojë më 3 qershor, ndërsa pritet edhe një vendim zyrtar nga qeveria, që deri më tani ka specifikuar vetëm lejimin e stërvitjeve në terrene të hapura. Ish-trajneri dhe njëkohësisht një prej legjendave të futbollit gjirokastrit, Theodhori Kalluci, mendon se 10 javët e mbetura pa praninë e tifozëve nuk do të kishin asnjë kuptim të zhvilloheshin.

“Kam shprehur mendimin tim edhe më herët, para se të bëhej zyrtare data e rinisjes së kampionatit që u ndërpre prej pandemisë së Koronavirusit. Futbolli pa tifozët është memec, nuk përcjell emocion dhe dëshirë për ta ndjekur. Ndaj, pas situatës që kaluam dhe që ende nuk ka një dritë jeshile për të parë fundin e tunelit, ilaçi më i mirë për shërimin e futbollit është të mendohet për sezonin tjetër.

Unë gjykoj se duhet shtuar numri i skuadrave pjesëmarrëse në se zonin pasardhës. 10 ndeshjet që pritet të luhen për kampionat, në gjykimin tim do të interpretohen sa për të thënë se po luhet futboll. Kjo më duket pa logjikë, për vetë infrastrukturën e futbollit tonë”, deklaroi fillimisht ish-sulmuesi i shquar, i cili krahas Luftëtarit, ka qenë pjesë e Partizanit dhe Kombëtares.

FINANCAT – Pandemia i shtriu “kthetrat” në çdo sektor të jetës, ku pa dyshim më e goditur është ekonomia. Këtu kurrsesi nuk mund të bëjë përjashtim edhe futbolli. Situata financiare është aktualisht në nivelet më të ulëta në klubet shqiptare, që thuajse të gjitha janë përfshirë në një krizë të paparë. Edhe Theodhori Kalluci ka të njëjtin mendim për këtë situatë të pazakontë.

“Pandemia i izoloi lojtarët. Fakti që futbollistët e Luftëtarit, të ardhur nga zona e kuqe, iu nënshtruan tamponëve, është një lajm i mirë dhe drejtuesit e Luftëtarit duhen përshëndetur për këtë. Për momentin kjo është njëra anë e medaljes, por kur të fillojë kampionati, do të nisin edhe problemet për koston që do të ketë kjo situatë. Nuk e di sa janë në gjendje klubet tona t’i zbatojnë rregullat apo do t’i shkelin?! Çdo shërbim në zbatim të protokollit ka kosto”, përfundoi Kalluci.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"