Një 16-vjeçar u shpall më i miri në peshëngritje, flet trajneri: Me Kofshën do “dridh” Europën, është e ardhmja e shtangës shqiptare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 22:09

Një 16-vjeçar u shpall më i miri në peshëngritje, flet trajneri: Me Kofshën do “dridh” Europën, është e ardhmja e shtangës shqiptare

Ekipi i peshëngritjes së Shtërmenit disa ditë më parë u rendit në vend të dytë në kampionatin kombëtar për të rinj që u zhvillua në Durrës. Ndërsa sportisti i talentuar Ertjan Kofsha u shpall sportisti më i mirë i aktivitetit, për moshën U-17.

shtermeni

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, trajneri Leonard Toska është i bindur se e ardhmja shtangës shqiptare i përket Ertjan Kofshës, ndërsa e komenton kështu eventin e zhvilluar në qytetin bregdetar: “Kemi bërë një garë shumë të mirë dhe për këtë gjë jam tepër i kënaqur nga ekipi, por në veçanti nga Ertjani.

Ky i fundit, vetëm 16 vjeç, tregoi edhe një herë se është e ardhmja e peshëngritjes shqiptare. Edhe talentet e tjera të ekipit tim janë për t’u lavdëruar dhe shumë shpejt do arrijnë rezultate të mëdha. Falënderoj shumë Bashkinë Cërrik dhe kryetarin Andis Salla që ishte në garën e Durrësit dhe që na mbështet gjithmonë si moralisht ashtu dhe financiarisht. Ekipi i Shtërmenit në garën për paratërinj dhe të rinj mori 6 medalje.

Mund të kishim marrë më shumë dhe mund dilnim në vend të parë, por Tirana kishte një numër më të madh sportistësh”, deklaron Toska, i cili më pas ndaet te gara e Kofshës: “Për sa i përket Ertjan Kofshës, bëri një superparaqitje, duke i shtangur të gjithë të pranishmit. Ai theu gjashtë rekorde dhe nuk është parë për një djalë të ri, që sa vjen dhe po ecën me hapa të mëdhenj. Të gjithë ndihemi krenarë për këtë sportistë, që do tronditë dhe do dridh Europën dhe do të bëhet një sportist i madh”, thotë trajneri Toska

FLET PESHËNGRITËSI- Ertjan Kofsha është shumë i lumtur për paraqitjen e shkëlqyer që bëri në kampionat, event në të cilin u shpall si sportisti më i mirë: “Jam shumë i emocionuar dhe gjithashtu i gëzuar për këtë rezultat të shkëlqyer që arrita në kampionatin e Durrësit.

Jam stërvitur shumë dhe po eci ashtu siç duhet, duke ngritur lart ekipin e Shtërmenit. Jemi një fshat kampionësh dhe unë dua të jem një i tillë. Mund të kisha ngritur më shumë, por për fat të keq dështova në provat e treta. Megjithatë, duhet të vazhdoj dhe të shoh përpara, pasi suksese të tjera më presin. Falënderoj trajnerin dhe bashkinë për mbështetjen, si dhe familjen time, që më ka qëndruar gjithmonë pranë”, u shpreh 16- vjeçari i talentuar i peshëngritjes.

M.MIRAKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"