Ngjitja në Kategorinë e Parë, trajneri beratas del hapur: Gati për Tomorin në çdo situatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 15:09

Ngjitja në Kategorinë e Parë, trajneri beratas del hapur: Gati për Tomorin në çdo situatë

Tomori, i kthyer në Kategorinë e Parë, pritet të nisë përgatitjet e sezonit të ri sapo kryebashkiaku-president Ervin Demo të vendosë për stafin e ri teknik. Interesimi i tifozëve beratas është mjaft i madh, aq më tepër që ky sezon përkon me 100-vjetorin e themelimit të klubit dhe synimi pritet të jetë ngjitja në Superiore. Pritshmëritë në Berat janë shumë të mëdha dhe tashmë të gjithë presin hapin e parë, që ka të bëjë me trajnerin e Tomorit.

Kristaq-Mile (1)

MILE

Trajnerit Kristaq Mile, i cili e ngjiti skuadrën në të Parën, i ka përfunduar kontrata me klubin. Ai e përmbushi me sukses objektivin sezonal dhe në Berat e kanë vlerësuar me nota maksimale, por ende nuk ka një konfirmim nga ana e klubit për qëndrimin e tij. “Panorama Sport” ka kontaktuar me trajnerin Mile sa i takon sezonit të ardhshëm dhe pozicionit të tij. Trajneri beratas e shpreh hapur gatishmërinë për të vazhduar, duke e kaluar “topin” në fushën e drejtuesve të klubit.

“Dëshira për vazhdimësinë me Tomorin sigurisht që është shumë e madhe tek unë për sa kohë bëhet fjalë për skuadrën e vendlindjes. Tomorin do ta drejtoja në çdo kohë dhe në çdo situatë, është detyrimi i madh që kemi për historinë e skuadrës dhe tifozërinë tonë. Sa e mundur është kjo në situatën aktuale? Dua të bëj me dije se kontrata ime ishte 1-vjeçare dhe tashmë ka përfunduar. Jam duke pritur një takim zyrtar ose miqësor me kryebashkiakun dhe presidentin e skuadrës, Ervin Demo.

tomori

Pasi të jem takuar dhe të, mund të flasim për projekte dhe objektiva, tani mendoj se është logjike të mos flasim për aspekte të punës. Sezonin e kaluar kishim një marrëdhënie të shkëlqyer bashkëpunimi me presidentin Demo. Falë punës së përbashkët, skuadra realizoi objektivin e kthimit në Kategorinë e Parë, ndaj dhe shpresoj të vijojmë bashkë në të ardhmen për t’i shërbyer Tomorit. Takimi me presidentin do të jetë përcaktues. Nëse konfirmohet bashkëpunimi, mund të flasim me detaje për riorganizimin e skuadrës dhe objektivat e Tomorit”, u shpreh trajneri beratas, Kristaq Mile.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"