Nga Tirana në Spanjë, Berisha: Klubi bardheblu donte të më bllokonte si Dokën, ja si u largova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2017 | 23:14

Nga Tirana në Spanjë, Berisha: Klubi bardheblu donte të më bllokonte si Dokën, ja si u largova

Elvi Berishës i mjaftuan 34 minuta me Tiranën në Europë për të hedhur hapin e madh të karrierës. Mesfushori i talentuar aktualisht ndodhet në Spanjë, ndërsa ka firmosur kontratë me Leganesin. Do ta nisë tek ekipi B, megjithatë 18- vjeçari është i sigurt që do ia dalë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, fieraku zbulon ëndrrat e tij dhe transferimin në Madrid.

Berisha

Pak minuta në Europë me Tiranën dhe kaluat te Leganes. Elvi, si u realizua ky transferim?

E prisja në fakt. E dija që do ikja, por që do përfundoja në Spanjë s’e kisha menduar. Lidhja erdhi nëpërmjet një menaxheri, pasi fillimisht mendoja se do shkoja diku tjetër. Ishte rastësi në fakt. Më thanë “të kanë parë dhe të kanë pëlqyer”. Në ato kohë kisha disa variante, por shkova dhe e provova.

Dhe si shkoi prova?

Fillimisht shkova në ekipin e parë dhe kjo ndodhi dy ditë pas ndeshjes se dytë që luajtëm me Makabi tel Aviv. Bëra rreth 13-14 ditë stërvitje më ta dhe trajneri i Leganesit më dha notë kaluese. Por, duke qenë se kisha pasur ngarkesë atë kohë, duhet të pushoja. Kësisoj, u ktheva në Shqipëri. Kur u rinisa për në Spanjë, më çuan tek ekipi B. Duke qenë se jam i ri në moshë, më thanë që më mirë të luaja te Leganes B dhe pasi të marr minuta dhe të fitoj siguri, do kaloj tek ekipi i madh.

Pse po vonohet prezantimi, Leganes ende nuk ju ka zyrtarizuar?

Pasi kam mbyllur kontratën, e cila është 2+2, do vijë edhe prezantimi. Erdhi vonesa edhe prej faktit që isha i grumbulluar nga Kombëtarja.

A keni shqiptarë të tjerë në ekip?

Po, është Kleando Lleshi.

Tirana ishte një “trampolinë” për Elvin?

Më ndihmoi, mbase jo 100%, por ishte një shtysë e madhe. Dashur pa dashur, të kesh minuta në Europë është një “bonus”.

elvi Berisha

Jeni formuar tek akademia e Apolonisë dhe e Tiranës, ndaj të dyja pretendojnë që të përfitojnë diçka nga ky transferim. Janë diskutuar këto çështje në kontratën tuaj?

Kam dijeni vetëm që Apolonia nuk merr gjë, pasi është paguar kompensimi i trajnimit prej babait tim. Pastaj se çfarë ndodh, realisht nuk e di. Janë terma që i diskutojnë vetë klubet, unë kam vetëm kontratën time dhe kaq.

Ishit i grumbulluar me Kombëtaren U-19, i zhgënjyer për rezultatet?

Rezultatet nuk kanë vend për koment. Megjithatë, mendoj se jemi një grup që do pësojmë rritje. Dihet që me moshat, prioritet nuk janë vetëm rezultatet, por paraqitjet dhe garancia që jep për të ardhmen. Duhet të fitonim, por ky është futbolli.

Ëndrra e çdo futbollisti është Kombëtarja e madhe, mendoni se do jeni dhe ju pjesë e saj?

Sigurisht! Por, Kombëtarja fitohet me punë dhe jo me fjalë. Ndaj po ia lë të ardhmes.

Si është të jetosh në Spanjë?

Po më pëlqen shumë në fakt, edhe pse s’kam filluar ende që ta shijoj siç duhet. Kam menduar që të marr edhe familjen me vete, pasi në moshën time kam nevojë për mbështetje. Me ta, do e kem më të lehtë.

tirana makabi berisha

Jetoni në Madrid?

Jetoj në një lagje të Madridit dhe qendrën e qytetit e kam 10 minuta larg. Jeta është shumë e ngarkuar, është intensive dhe nuk ke kohë të marrësh frymë. Mbi të gjitha, të bëhesh futbollist atje nuk është e lehtë. Duhet të kesh egon e shqiptarit për t’ia dalë.

Dhe Berisha e ka?

Normalisht që po. Në mendje kam vetëm këtë fjali, “do bëhem dhe pikë”.

I kënaqur me përfitimet?

Deri tani mirë. Shifra s’po them (qesh…). Për një 18- vjeçar si unë, kam një pagë realisht të kënaqshme.

Si ju kanë pritur shokët e ekipit, pasi pjesa dërrmuese janë vendës?

Tani mirë. Në fillim nuk janë shumë miqësorë dhe sidomos kur shohin që vjen një i ri, që do t’u zërë vendin. Por me kalimin e kohës, kur e shohin që ti bëhesh grup me ta, situata ndryshon.

Me gjuhën si e keni marrëdhënien?

Mirë, por të mos thënë keq (qesh…). Më ka ndihmuar shumë, po shumë italishtja. Për fat janë të ngjashme. Kam filluar të kuptoj shumë mirë, edhe pse në të folur po vuaj ende.

Veç futbollit, cili është pasioni më i madh i Berishës?

Pasionet… jo në fakt, nuk kam. Gjatë gjithë jetës sime jam përqendruar te futbolli.

elvi berisha leganes

Djemtë janë të “fiksuar” pas makinave, as ato nuk ju pëlqejnë?

Jam fiksuar vetëm pas futbollit dhe e gjithë bota ime rrotullohet rreth topit.

Duke qenë se jetoni në Madrid, a ju ka rastisur që të shikoni ndonjë figurë të rëndësishme?

Unë kam bërë stërvitje me figura të rëndësishme, paçka se për publikun shqiptar nuk janë shumë të njohur. Kristiano Ronaldon është e vështirë që ta hasësh në rrugë, por derisa do jetoj këtu, edhe mund të më rastisë.

Kur mendon Elvi që do të kalojë tek ekipi i madh?

Shumë shpjet. Këtu në Spanjë kam vënë re diçka, nëse stërvitesh shumë dhe ke cilësi nuk kanë frikë të të japin një mundësi. Nuk është si në Shqipëri, ku e kanë bërë të udhës të thonë “të presim të formohet edhe pak”. Nëse atje bën diferencën, bëhesh titullar.

Do keni edhe “derbi”, pasi edhe Merveil ka kaluar te Getafe…

Po, po. Getafe është vetëm 10 minuta larg meje. Do kemi një “derbi” në distancë dhe shpresoj që t’i ecë mbarë, pasi është lojtar i mirë.

Berisha

Me Tiranën si janë marrëdhëniet pas largimit?

Shumë mirë, vazhdoj të flas me disa nga lojtarët. Kanë bërë një sezon të mirë dhe mendoj se do rikthehen shpejt në Superiore. Në klub pastaj u mërzitën, pasi prisnin që të unë të qëndroja. Sikundër “bllokuan” Dokën, do vepronim edhe me mua.

Por ju u treguat i zgjuar, pasi nuk firmosët kontratë?

I zgjuar, është fjalë e madhe. Por unë nuk është se i kërkova gjërat, më erdhën natyrshëm.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"