Nga sulmi në mbrojtës krahu, Dushkaj i Luftëtarit: Luaj ku më kërkojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2019 | 20:11

Nga sulmi në mbrojtës krahu, Dushkaj i Luftëtarit: Luaj ku më kërkojnë

Ka ardhur pak ditë para mbylljes së merkatos, por i ka mjaftuar afro një muaj që të përshtatet me grupin. Flasim për Jurgen Dushkjan, sulmuesin e dytë që po bën edhe mbrojtësin e linjës së djathtë dhe të majtë në Gjirokastër.

jurgen dushkaj

Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari shprehet i lumtur për zgjedhjen që ka bërë dhe nuk ngurron që të paralajmërojë se ndaj Laçit po llogarisin veçse fitoren.

“Te Luftëtari ndihem shumë mirë, kam gjetur atmosferën që kërkoja. Ndonëse nisja e këtij sezoni nuk ka qenë perfekte, mendoj se po rritemi dhe në ndihmë na kanë ardhur sigurisht tifozët. Fillimi ishte pak i vështirë, sepse jemi të gjithë lojtarë të rinj dhe nuk njiheshim me njëri-tjetrin. Me kalimin e kohës po përshtatemi. Me ardhjen e trajnerit grek gjërat po shkojnë në vendin e duhur. Marnatas di si të na motivojë dhe punon me shumë pasion për këtë ekip. Është shumë i përqendruar në çdo detaj dhe po nxjerr maksimumin nga çdonjëri prej nesh.

Sa i përket ndeshjes me Laçin, e respektojmë për shpirtin dhe grintën që tregon nga minuta e parë e deri në fund të ndeshjes. Këtë gjë na e ka kërkuar trajneri në çdo seancë stërvitore. Detyra jonë si lojtarë është të shprehim më të mirën në fushë, pavarësisht pozicionit natyral. Unë jam sulmues i dytë, por po përshtatem mirë edhe me rolin e mbrojtësit të djathtë. Jo vetëm ndaj Laçit, por në çdo ndeshje si lojtarë kemi për detyrë të japim maksimumin. Objektivi ynë nesër është fitorja. Të bëjmë më të mirën për veten, stafin drejtues dhe tifozët”, përfundoi lezhjani.

Luftëtari pas pesë javëve të luajtura ka “hipotekuar” 4 pikë, ndaj tashmë kërkohet vazhdimësi. Skuadra e ka kryer stërvitjen e djeshme në stadium, për t’u përshtatur me terrenin para përballjes me Laçin. Jorgos Marantas më së shumti u përqendrua në aspektin taktik dhe disa herë u tërhoqi vëmendjen të tijve derisa të kryheshin në perfeksion ushtrimet që kërkonte.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"