Nga Premier Liga në Europë, ja 10 rekordet qe Haland mund të thyejë këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 20:55

Nga Premier Liga në Europë, ja 10 rekordet qe Haland mund të thyejë këtë sezon

Erling Haland e ka nisur karrierën me Sitin duke vendosur disa rekorde këtë sezon. Në Premier ka shënuar 11 gola në 7 ndeshjet e para, ndërsa në total ka shënuar 14 gola në 10 ndeshje. Derbi i parë i Mançesterit është në prag, ndërsa norvegjezi do të tentojë të lërë edhe aty gjurmën e tij. Por cilat janë 10 rekordet që ai mund të thyejë deri në fund të sezonit?

haland

GOLAT NË PREMIER – Endi Kol në 1993-’94 dhe Alan Shirer një sezon më vonë vendosën rekordin e 34 golave gjatë një sezoni, por atëherë Premier Liga kishte 42 ndeshje dhe jo 38 sa sot. Haland duhet të shënojë 24 gola në 31 ndeshjet e mbetura për ta thyer këtë rekord.

GOLAT E SALAH – Rekordin e golave në një sezon të Premier Ligës me 38 ndeshje e mban Mohamed Salah. Sulmuesi i Liverpulit e tundi rrjetën 32 herë gjatë 2017-’18. Por Haland, nëse vazhdon të shënojë me këtë mesatare, do ta ketë një formalitet këtë shifër (do ta mbyllë me 59).

5 LIGAT KRYESORE – Një nga rekordet më të vështira, por jo të pamundura për Halandin, është ai i rekordit të golave të 5 kampionateve kryesore. E mban Lionel Mesi, i cili shënoi 50 herë në La Liga gjatë 2011-’12.

GOL PËR NDESHJE – Asnjë lojtar nuk e ka fituar “Këpucën e Artë” të Premier Ligës duke shënuar mesatarisht një gol çdo ndeshje. Herri Kejn iu afrua kur realizoi 29 herë në 30 paraqitje në 2016-’17. Me ritmin aktual, Haland mund të shënojë 60 gola.

GOLAT E SITIT – Tomi Xhonson mban një rekord të vjetër te Siti. Ai shënoi 38 gola në të gjitha kompeticionet në fundin e viteve 1920. Haland mund ta thyejë këtë rekord gati 1-shekullor.

GOLAT NË CHAMPIONS – Kristiano Ronaldo mban rekordin e numrit më të madh të golave gjatë një sezoni në Champions: 17 në 11 ndeshje në 2013- ’14. Haland deri tani ka 3 në 2 ndeshje.

GOLAT KALENDARIKË – Numrin më të lartë të golave të shënuar gjatë një muaji kalendarik në Premier Ligë e mban Luis Suarez në dhjetor 2013. Sulmuesi i Liverpulit shënoi 10 herë dhe Haland iu afrua me vetëm një gol më pak në muajin gusht.

GOLA NË NDESHJE RADHAZI – Xhemi Vardi vendosi një rekord të pabesueshëm kur shënoi në 11 ndeshje radhazi gjatë sezonit 2015-’16 me Lestërin që fitonte titullin. Haland është aktualisht në shifrën e 5 ndeshjeve.

TRIPLETAT – Alan Shirer mban rekordin e 5 tregolëshave në Premier Ligë gjatë një sezoni, kur luante për Blekbërnin në 1995-’96. Haland ka shënuar dy tripleta në vetëm 7 ndeshje.

30 GOLAT E PARË NË CHAMPIONS – Haland i ka shënuar 25 golat e parë në Champions më shpejt se të gjithë në histori (20 ndeshje). Rud van Nistelroi i arriti 30 golat e parë në Champions në vetëm 34 ndeshje, ndërsa 35 golat në 42 ndeshje. Nëse Haland shënon 9 gola të tjerë ai do ta thyente këtë rekord.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"