Nga pankina te merkatoja, Bylisi ka plane pas “dehjes”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2022 | 23:44

Nga pankina te merkatoja, Bylisi ka plane pas “dehjes”

Në Ballsh janë ende nën efektin e “kurorëzimit”. Festa nuk ka mbaruar dhe të drejtë kanë, pasi mbyllën një sezon kryekëput të suksesshëm. Kurrë nuk e diskutuan ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe vetëm dy herë e lanë kreun (ndonëse kishin pikë të barabarta me Erzenin).

Bylis festa

Morën titullin dhe kanë në organikë “bomberin” e Kategorisë së Parë. Eridon Qardaku u shpall “Këpuca e Artë” e Kategorisë së Parë me 20 gola. Skuadra nuk është shpërndarë ende ama, pasi tashmë duan që të marrin edhe një tjetër trofe: atë të U21, që e luajnë sot me Partizanin. Jashtë vëmendjes nuk mbetet as U-19, kur elementë si Beqaj, Kastrati, Preka, Skënderaj, Alimerkaj po përgatiten për “play off”-in.

Klubi në anën tjetër, po mendon për të ardhmen. Pretendimet e Besnik Kapllanajt janë të mëdha në elitë, ndaj në merkato nuk do të kursehet. Do të ruhet sigurisht një pjesë e mirë e organikës, por do të ketë edhe përforcime. Kjo verë do të jetë “e nxehtë” për ballshiotët.

BYLISI

Lëvizjet mund të nisin nga porta e deri në sulm, pasi plani është që të ndërtojnë një ekip dinjitoz dhe mbi të gjitha të mos mungojë konkurrenca. Nuk dihet se ku do të veprohet në tregun vendës dhe të huaj, por lëvizjet konkrete do të nisin nga qershori. Një tjetër temë është pankina. Jeton Beqirit i skadon kontrata dhe palët do të ulen për të folur për rinovimin. Trajneri pati deklaruar se ka marrë oferta nga ekipe të tjera, por prioritet ka Bylisin.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"