Nga Kameruni në Ballsh, mbrojtësi rrëfen zgjedhjen e veçantë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2018 | 17:01

Nga Kameruni në Ballsh, mbrojtësi rrëfen zgjedhjen e veçantë

Jules Yves Samnda është mbrojtësi nga Kameruni që u bë pjesë e skuadrës së Bylisit në sezonin e shkuar. Pas një viti “stazh”, Samnda është titullar dhe një nga lojtarët e rëndësishëm të mallakastriotëve. Kamerunasi 22- vjeçar po luan si qendërmbrojtës mjaft mirë, ndërsa në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport” tregon aventurën në Ballsh dhe synimet e së ardhmes.

Samnda

MBROJTËSI

Samnda tashmë ëndërron që skuadra e tij të ngjitet në Superiore dhe të vijojë karrierën në Ballsh. “Kur erdha një vit më parë, nuk e njihja futbollin shqiptar dhe Ballshin. Por, tashmë jam rritur shumë dhe jam perfeksionuar duke luajtur në çdo ndeshje. Unë i jam shumë mirënjohës presidencës që beson shumë te ne lojtarët e rinj. Te Bylisi shumë lojtarë afrikanë kanë treguar nivelin e tyre më të mirë dhe janë shitur në kampionate të njohura.

Bylis Smnda

Personalisht, dua që të qëndroj në Ballsh, madje ky sezon do të më vlejë shumë sepse skuadra po luan mirë, kemi pasur rritje në katër ndeshjet e fundit. Vrapojmë të gjithë dhe futemi në fushë me një synim, të fitojmë ndeshjen. E treguam në Lushnjë, morëm një fitore me zemër”, tha Samnda. “Ky është sezoni im i dytë në Ballsh dhe në Shqipëri. Jam i bindur që Bylisi do të ngjitet në elitë dhe unë do të vijoj që të luaj në Ballsh.

Po më pëlqen shumë klima dhe ambienti, një trajner i huaj që na stërvit shumë mirë. Karriera ime në Europë sapo ka nisur dhe kam bindjen se unë në Ballsh do të lë gjurmë”. Bylisi luan ndeshjen e radhës me Pogradecin. “Do të luajmë vetëm për ta fituar ndeshjen. Objektivi ynë është i qartë, ngjitja në elitë”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"