Nga grupi me CR7 te Seria A, rrëfehet Kaka: Milani të imitojë Leiçesterin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2018 | 15:05

Nga grupi me CR7 te Seria A, rrëfehet Kaka: Milani të imitojë Leiçesterin

Rikardo Izekson Dos Santos Leite, i njo hur si Kaka, është një tjetër emër që mund t’i bashkohet dallgës së rikthimeve te Milanit. Pas Leonardos, lajmin e ka konfirmuar edhe vetë ish-fantazisti, që në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” ka folur jo vetëm për martesën e mundshme me kuqezinjtë, por është thelluar edhe në sezonin e klubit dhe parashikimet mbi “Topin e Artë”.

kaka milan

E nisim nga e ardhmja, cilat janë planet e Rikit?

Përparësi në këtë moment kanë Luka dhe Izabela, fëmijët e mi që jetojnë në San Paolo. Për momentin nuk mund të largohem prej tyre, ndaj nuk po kërkoj një detyrë rregullt. Më duhet të mësoj ende shumë dhe kam vendosur të bëj një kurs për drejtor sportiv në Brazil. Sapo të më jepet mundësia, do të ndjek edhe kursin për trajner të Koverçanos, në mënyrë që të jem sa më i kompletuar, sepse nuk e shoh veten duke stërvitur një skuadër.

Keni vendosur të jeni drejtues praktikisht?

Po, dhe modeli është Leonardo. Për mua është një pikë referimi. Puna që po bën te Milani ka rënë menjëherë në sy. Ai ka kontakte ndërkombëtare me FIFA-n, UEFA-n dhe klubet e mëdha. Është një njeri inteligjent që e njeh mirë botën e komunikimit dhe di sesi menaxhohet një klub i rëndësishëm.

Një si Maldini çfarë mund t’i japë më shumë Milanit?

Paolo është historia, flamuri. Ai është idhulli i Milanit, sepse nëse flet për klubin, flet për Maldinin dhe anasjelltas. Paolo është simbol besnikërie. Nuk dua të flas për pronarët kinezë me të cilët pata edhe kontakte, por mund të them që me këta aktualë gjërat duken se kanë ndryshuar. Amerikanët kanë kthyer ADN-në kuqezi, duke risjellë karakteristikat bazë të klubit dhe ndjenjën e përkatësisë. Leo dhe Paolo sapo kanë ardhur, ndërsa Gatuzo është në krye të ekipit. Rino është një njëri me karakter sepse ka shpirtin e dikujt që nuk tërhiqet kurrë. I tillë ishte si futbollisti dhe po ashtu është edhe tani. Kjo karakteristikë është shumë e nevojshme.

Si ju duket Milani aktual?

Është një skuadër që kërkon të rimarrë vendin që i takon në Itali dhe jashtë saj. Liga e Europës është një turne magjepsës kur bashkohen ekipet e eliminuara nga Champions-i dhe fitimi i saj mund të rezultojë thelbësor.

Milani na kishte mësuar ndryshe kur luante në Europë…

E di dhe i kuptoj tifozët duke qenë se jam njëri syresh, por objektivi kryesor janë sukseset. Duke fituar Ligën e Europës, krijohet mundësia e Superkupës. Atletiko, për shembull, mundi Realin, ndaj kurrë nuk duhet thënë kurrë.

A mund të synojë Milani titullin që këtë sezon?

Objektivi në pikëpamje racionale duhet të jetë rikthimi në Ligën e Kampioneve. Juvja ka shumë cilësi, është mësuar të fitojë dhe teorikisht është skuadra më e fortë e Serisë A. Në një kampionat ka shumë të papritura dhe Milani e ka në ADN synimin e objektivave madhorë. Futbolli është i bukur sepse dhuron surpriza, mjafton të kujtojmë Leiçesterin.

Në 2009-ën mbërrinit në Madrid së bashku me Kristiano Ronaldon. Si është portugezi?

Vitet në Madrid kanë qenë shumë të bukura dhe unë jam ende shumë i lidhur me Kristianon, një djalë miqësor dhe shumë i dashur. Ishim një grup futbollistët që flisnim portugalisht dhe ishim të afërt. Sa i përket Ronaldos, energjia e tij është ngjitëse dhe Juventusi ka bërë një lëvizje të madhe. Edhe futbollit italian një si Ronaldo do t’i sjellë vetëm benefite, si sponsorët dhe shikueshmëria. Tani e tutje një kampion mund të zgjedhë Italinë.

Nuk ka rrezik që imazhi i tij të rëndojë mbi të tjerët në ekip?

Edhe mund të ndodhë, por unë jam mësuar të shoh anën pozitive të gjërave. Ronaldo është shumë konkurrues dhe kërkon gjithmonë të fitojë, por të luash me të është diçka shumë e bukur. Për shokët mund të jetë edhe një stimul, pasi mjafton ta shohësh si kujdeset për fizikun. Sipas meje, aq profesionist sa është, mund të qëndrojë akoma disa vite në majë.

Jeni lojtari që ka fituar i fundit “Topin e Artë”, përpara hegjemonisë CR7- Mesi. Kujt do t’ia jepnit këtë vit?

Botërori ka pak që ka mbaruar, por të gjithë e pamë se çfarë bëri Franca. Mbape është një lojtar që e pret një e ardhme e ndritur, por e tashmja i përket akoma Mesit dhe Ronaldos. Duke vazhduar ta fitojnë ata, mua do të më kujtojnë akoma si i fundit që u shpall “Topi i Artë” përpara tyre (qesh). Nëse duhet të them një emër tjetër, atëherë zgjedh Luka Modriçin. Champions, finale Botërori duke komanduar lojën. Rezultatet e tij sezonale janë të frikshme. Nuk e di nëse do të vinte tek Interi, por edhe pa të Seria A më duket interesante.

Kush e fiton kampionatin dhe Ligën e Kampioneve?

Juvja është një shembull për mënyrën sesi u ringrit pas Serisë B, por si milanist dua ta fitojë Milani. Këtë vit ekipet italiane duhet të përballen edhe me dallgën që prodhoi zbarkimi i Ronaldos. Edhe në Champions e shoh Juven favorite, së bashku me Realin e Madridit, Barcelonën, PSG-në që me Mbapenë ka një armë të fortë, fundja të gjithë po e shohim potencialin e djaloshit.

Ku e shikoni veten te ky Milan?

As që e kam idenë. Siç thashë, dua të qëndroj me fëmijët. Në Itali do të vij së shpejti për arsye personale dhe, përveçse do të shoh ndonjë ndeshje të Milanit, do të përfitoj për të testuar terrenin e kuqezinjve, sepse në të ardhmen dua të bëj diçka për klubin. Është thjesht çështje kohe…

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"