Shteti nuk mund të jetë pronar i klubeve sportive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2020 | 14:35

Shteti nuk mund të jetë pronar i klubeve sportive

FIDEL YLLI 

fidel

Në ditët e sotme, njerëzit kërkojnë dhe duhet të kenë një cilësi më të mirë jete. Ne do ta ndryshojmë këtë realitet të zymtë, për t’i dhënë njëherë e përgjithmonë fund këtij realiteti që ka prekur çdo qelizë të sportit shqiptar. Ne do të ofrojmë modelet më të mira europiane, me qëllim që vlerat europiane t’i ndërtojmë edhe këtu në Shqipëri. Ne jemi të vetëdijshëm se aseti më i madh i sportit shqiptar janë sportistët elitarë, të cilët qenë të parët që e çuan Shqipërinë në rrugën europiane.

  maxresdefault

Ata janë ambasadorët tanë më të mirë dhe kërkojnë nga ne mbështetjen e munguar në vite.

Sporti është një nga fushat e veprimtarisë shoqërore me një impakt të shumanshëm në jetën e çdo individi.

Prioritetet kryesore të Programit të Qeverisë për sportin janë: hartimi i politikave, të cilat synojnë promovimin e vlerave të një stili jetese aktive dhe promovimin e arritjeve në sportin elitar, sigurimi i mbështetjes së qëndrueshme financiare dhe shtimi i infrastrukturës sportive.

Në këto gjashte vite të qeverisjes socialiste, fondi i harxhuar për investime nga ana e saj arrin vlerën e 30 milionë eurove. Këto fonde janë përdorur për ndërtimin e stadiumit “Elbasan Arena”, në Shkodër për ndërtimin e stadiumit “Loro Boriçi”, stadiumin e Kukësit, stadiumin “Air Albania”, një investim ky me Partneritet Publik Privat, si dhe për ngritjen e dy qendrave olimpike siç janë Tirana Olimpik Park dhe Qendra Olimpike e Korçës. Gjithashtu, janë ndërtuar 64 palestra në të gjithë Shqipërinë.

Pavarësisht arritjeve të deritanishme, përsëri ndihet e nevojshme që të bëhen përmirësime. Megjithëse ligji për sportin u përgjigjet kërkesave të kohës, për rregullimin dhe normalizimin e marrëdhënieve juridikocivile midis aktorëve në fushën e sportit, situatës së sportit në përgjithësi dhe gjendja e infrastrukturës sportive në vend, janë aktualisht ende shumë larg pritshmërive. Fenomenet e dhunës në stadiumet tona janë ende prezente.

Ndërtimi i një infrastrukture sportive që t’u përgjigjet kërkesave kërkon investime dhe financime më të mëdha dhe jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga sektori privat, i cili mund dhe duhet të mbështetet më mirë me iniciativa financiare.

Sportistët elitarë kanë nevojë për mbështetje dhe motivim më të madh dhe më e rëndësishmja është se, pjesa më e madhe e strukturave, e klubeve sportive në terren janë ende shtetërore dhe nuk kanë një formë juridike në respektim të legjislacionit në vend, por edhe të standardeve ndërkombëtare për mënyrën e organizimit të tyre.

Ndryshimet që u bënë në ligjin e sportit 2020 kanë për qëllim përcaktimin më të qartë të misionit të veprimtarisë sportive, e cila është shumë e gjerë dhe përfshin dimensionin social, imazhin kombëtar, ekonomik, edukativ e shëndetësor.

Për këto arsye, sporti është veprimtari me interes publik dhe pjesë e rëndësishme e politikave shtetërore në këto fusha.

Rregullimi i mëtejshëm i statusit ligjor të organizatave sportive anëtare të federatave sportive vjen si domosdoshmëri, pasi, duke qenë se një pjesë e madhe e klubeve sportive, kryesisht klubet shumësportëshe, janë ende pa status ligjor dhe një pjesë e tyre në organikën e pushtetit vendor, ato bien në kundërshtim me parashikimet e bëra në ligjin për sportin.

Duke pasur parasysh këtë gjë, ndryshimet e bëra do të disiplinojnë procesin e anëtarësimit në federatat sportive, si një detyrim për shndërrimin përfundimtar të klubeve sportive, (kryesisht ato shumësportëshe) nga klube shtetërore, në format e detyruara sipas standardeve ndërkombëtare, në organizata jofitimprurëse ose shoqëri tregtare.

Referuar analizës së praktikave më të përshtatshme ndërkombëtare, në asnjë vend (të analizuar) nuk ekziston forma shtetërore e klubeve sportive, të cilën ne vazhdojmë ta ruajmë të paprekur si një “trashëgimi” të keqe të historisë komuniste të vendit tonë.

Detyrimi për të bërë këtë rregullim është gjithashtu edhe një nga rekomandimet e dhëna nga Komisioni Europian për fushën e sportit në kuadër të nisjes së negociatave për integrim.

Qartësimi dhe saktësimi përfundimtar i mënyrave të vetme të organizimit ligjor të sportit në të gjitha nivelet, (sipas legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, ose për organizatat jofitimprurëse, si dhe të drejtës që institucione të ndryshme me personalitet publik kanë për të organizuar sport amator, për t’i dhëne më shumë mundësi dhe hapësirë zhvillimit të sportit amator, referuar përfshirjes në sport pa dallim moshe, gjinie apo niveli të përgatitjes fizike etj., në respektim të rekomandimeve të dhëna nga Komisioni Europian për zhvillimin e sportit amator).

Shkëputjen përfundimtare të organizimit të sportit nga forma e trashëguar, kur të gjitha klubet sportive ishin shtetërore. Nisja e një reforme të plotë, referuar organizimit të sportit, e cila pritej prej shumë vitesh është e kërkuar me ngulm si një nga kërkesat kryesore për integrim europian në fushën e sportit.

Edhe pse kanë kaluar 30 vite nga ndryshimi i sistemit politik dhe ekonomik i vendit, përsëri pjesa më e madhe e klubeve sportive (kryesisht shumësportëshe) vazhdojnë të jenë pjesë e organikave dhe sistemit buxhetor të njësive të pushtetit vendor, duke mos pasur ende një formë ligjore të statusit të tyre dhe, më e keqja, duke u organizuar prej afro 30 vitesh nën mungesën e vazhdueshme të një mbështetjeje financiare të qëndrueshme.

Edhe sot, këto klube pa formë ligjore vazhdojnë të përdoren si struktura për punësim dhe favore pa lidhje me politikat e zhvillimit të sportit.

Referuar shoqërive aksionere sportive (kryesisht klube futbolli në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, të cilat u formuan në mënyrë krejt anakronike nga një kërkesë e menjëhershme penalizuese e UEFA-s për Federatën e Futbollit dhe për “interes” vazhdojnë të ekzistojnë të tilla), ndryshimet e bëra në këtë ligj do të mundësojnë shkëputjen e menjëhershme të kësaj lidhjeje të pakuptimtë të shtetit me pronësi mbi shoqëritë sportive.

Shteti nuk mund të jetë pronar i një veprimtarie jofitimprurëse (si në rastin e klubeve sportive sha), ekzistencën e së cilës duhet ta sigurojnë me anë të parave të taksapaguesve dhe duke bërë në këtë mënyrë diskriminim në mbështetjen e organizatave të tjera sportive, që veprojnë në qytet.

Politikat shtetërore për sportin mund të përmbushen nga shumë organizata të tjera dhe shumë më mirë se shoqëria që financohet nga bashkia apo klubi në përbërje të organikës së bashkisë. Parashikimet në këtë ligj janë e vetmja mundësi për të rregulluar teorikisht dhe ligjërisht të gjithë sistemin sportiv kombëtar, si e vetmja hallkë që lidh sportin në bazë me federatat dhe shtetin.

Ky aspekt ka qenë prej vitesh i parregulluar, duke sjellë vështirësi në sistemin teknik e legjislativ të strukturës kombëtare të organizimit të sportit.

Respektimi i kërkesave të vazhdueshme të komunitetit të sportit, për t’i dhënë pavarësi të plotë drejtësisë sportive, nëpërmjet sigurimit të pavarësisë së organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv, si i vetmi organ kolegjial përgjegjës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çështjet e lidhura me sportin. Pavarësi totale nga shteti dhe e organizmave të tij (në respektim edhe të mënyrës së organizimit të KAS-it ndërkombëtar dhe Kartës Olimpike), është një qëndrim i qartë i shtetit në respektim të parimit të demokracisë dhe sigurimin e mosndërhyrjes së politikës në zgjidhjen e konflikteve sportive.

Kategorizimin e qartë të nivelit të sportistëve dhe trajnerëve, që përfitojnë statusin e sportistit dhe trajnerit elitar dhe përfitimet që vijnë nga ky status për çdo kategori, për t’i dhënë meritën dhe vlerësimin e duhur çdo sportisti apo trajneri, për rezultatet dhe mundimin, për t’i arritur ato në nivel kombëtar në sporte individuale e kolektive.

Kjo personifikon në të vërtetë statusin e sportistit dhe trajnerit elitar. Ndryshimet e bëra në ligjin e sportit pasojnë një sërë ndryshimesh të rëndësishme në mbështetje, respektim të sportistëve elitarë, si p.sh., Ndryshime në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për përfshirjen në kategorinë e personave që përfitojnë pensione të posaçme që jepen nga shteti dhe personat që kanë arritur rezultate të larta në sport. Ndryshime në ligjin 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, nëpërmjet të cilit synohet formalizimi i treguar në industrinë e sportit dhe incentivimi, duke përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale pagat dhe shpërblimet e sportistëve dhe trajnerëve me kontratë të rregullt me klubet sportive, si dhe formalizimi i klubeve sportive dhe pasqyrimi i pagave dhe i shpërblimeve reale që përfitojnë sportistët dhe trajnerët.

Ndalimin përfundimtar të tendencave për privatizimin e objekteve sportive shtetërore, që historikisht ka sjellë edhe ndryshimin e destinacionit të tyre. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të humbjes pa kthim të shumë objekteve e terreneve sportive gjatë dekadave të fundit.

Mjafton të përmendim rastin flagrant të klubit sportiv me një histori të jashtëzakonshme në sportin shqiptar – Klubin Partizani – ku brenda një nate u vendos që në vend të tij (të një pasurie të jashtëzakonshme e të pazëvendësueshme sportive), të kishim disa pallate.

Mungesën e tij e vuan jo vetëm sporti elitar, por edhe komuniteti i thjeshtë, fëmijët, të rinjtë, të cilët nuk kanë se ku të ushtrohen, edukohen e argëtohen nëpërmjet sportit. A thua e kemi luksin që ta rindërtojmë përsëri?

Nëse ka individë sportdashës, që duan vërtet të investojnë në sport, le ta nisin këtë gjë duke ndërtuar objekte sportive të tyre private, sepse pikërisht në ndihmë të tyre do të vijnë incentiva shumë të mira financiare, p.sh.: ndryshime në ligjin 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, i cili parashikon incentivë financiare për personat, bizneset që do të financojnë, sponsorizojnë veprimtarinë sportive nëpërmjet lehtësimit të barrës fiskale.

Parashikimi i përfitimit 100% nga shitja e së drejtës televizive për organizatat sportive, jo vetëm si organizatorë të vetëm, që e monitorojnë këtë përfitim, por edhe sigurimin e një burimi financiar shumë të dobishëm për vazhdimin e veprimtarisë së tyre.

Vendosjen e protokolleve të detyrueshme higjieno-sanitare, si masa parandaluese për përhapjen e sëmundjeve infektive gjatë zhvillimit të veprimtarisë sportive, si një masë e “nxjerrë” nga situata e jashtëzakonshme e krijuar nga Covid-19.

Zgjerimin e institucioneve përgjegjëse për sigurimin e rendit dhe shërbimeve në ndeshjet e futbollit dhe veprimtari të tjera sportive, jo vetëm për të mos ua lënë “barrën” e ruajtjes së rendit vetëm organizatorëve dhe Policisë së Shtetit, por përfshirjen në këtë proces edhe të Policisë lokale, shoqatave vullnetare dhe agjencive të specializuara për organizime eventesh të tilla sportive.

Këto ndryshime janë diktuar jo vetëm nga ndryshimet, vështirësitë ekonomike që po kalon sporti shqiptar, reflektuar në pamundësinë financiare të organizatave (federatave) sportive për mbulimin e shpenzimeve të mëdha që kërkon sigurimi i rendit dhe shërbimeve në ndeshjet e futbollit dhe veprimtaritë e tjera sportive, por janë bërë dhe nisur edhe nga parashikimet e Konventës së Këshillit të Europës, për një qasje të integruar të masave të sigurisë në ndeshjet e futbollit dhe aktiviteteve të tjera sportive.

Një akt ligjor, VKM, shoqëron parashikimet, nëpërmjet së cilës të bëhet përcaktimi i qartë i institucioneve organizatore, i institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe rendin, si dhe detajimin e rëndësishëm të formave të ndryshme të organizimit të masave të sigurisë në varësi të llojit dhe nivelit të rëndësisë së aktivitetit sportive.

Këto ndryshime pasojnë ndryshime të rëndësishme të bëra në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për vepra penale gjatë veprimtarive sportive. Të gjitha këto ndryshime për sportin janë një hap më tej në përmirësimin e politikave qeveritare në fushën e sportit dhe, mbi të gjitha, parapritje të një reforme të qenësishme financiare të Qeverisë për sportin, e cila do të rrisë fondet nga buxheti i shtetit, të dedikuara federatave sportive, për të siguruar mbështetje më të madhe për pjesëmarrjen në veprimtaritë kualifikuese për Lojërat Olimpike “Tokio 2021”, por edhe rritjen e buxhetit të dedikuar për sportin në njësitë e qeverisjes vendore, për të mbështetur më mirë nevojat komunitare për infrastrukturën sportive dhe për mbështetjen e sportistëve elitarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"