Shqipëria 1961 dhe sporti e futbolli i saj…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2020 | 23:59

Shqipëria 1961 dhe sporti e futbolli i saj…

 BESNIK DIZDARI
Besnik-Dizdari
Përse viti 1961… …

Sepse është një vit ndarës, por po aq edhe një vit rifillues edhe për sportin e futbollin shqiptar.

Më 1961 për Shqipërinë merrte fund edhe përvoja sovjetike në sport e në futboll dhe thuajse rrufeshëm Shqipëria dëshiron të devijojë (të mënjanohet) edhe me futbollin. Ndonëse, nuk ka guxim të flakë tej stilin sovjetik të sportit të saj që i ishte ngulitur aq fort, që e kishte ndihmuar jo pak, kur kujtoje se mbas SHBA-së, Bashkimi Sovjetik ishte vendi më sportiv në botë. Natyrisht, jo një sport i sponsorit privat, publicitetit, lirisë, vetëdrejtimit, por një sport shtetëror i një diktature dhe dihet se diktaturat e bëjnë fort mirë sportin. Kjo, sa për interesat e tyre politikë, po aq edhe për një zhvillim social e në rastin në fjalë, edhe për nacionalkomunizëm.
FAQJA E PARE
Kjo është një nga pasqyrimet e fundit të shtypit shqiptar për sukseset e sportit sovjetik. Mbas pak muajve gjithçka do të zhduket…

E pra, çka do të mund të bënte Shqipëria edhe pa afërsinë e sportit sovjetik, të stilit të tij propagandistik, me një tufë emërtimesh dhe titujsh sportivë të kopjuar pa mëdyshje, me emra skuadrash, organizime qeveritare e shtetërore të njëjta, me spartakiada e GPMra? Mbi të gjitha, me takime sportive ndërkombëtare vetëm me vendet e ashtuquajtura “demokraci popullore”, që thuajse çdo muaj mbanin gjallë jetën sportive të Shqipërisë? Dhe, a do të kalonte Shqipëria në izolim edhe në fushën sportive dhe të futbollit? E vërteta është se sa do të kalonte, po aq edhe do të çizolohej, në njëfarë mënyre, prej një pengu tejet varës. Kështu, duke filluar nga viti 1961 apo 1962, Shqipëria do të përpiqej, natyrisht në një mënyrë tejet të cunguar, të shfaqej edhe në Europën sportive. Do të përpiqej, ndonëse pa ia arritur plotësisht të flakte tej pikërisht thelbin e organizimit sovjetik të të gjitha kampionateve sportive që zhvilloheshin, ku beteja më e fuqishme për gjithë ndryshimin përmes këtyre përpjekjeve, do ishte ajo me garën më popullore që dihet se ishte kampionati kombëtar i futbollit.

Viti 1961 do të ishte i fundit që kampionati do të zhvillohej brenda vitit kalendarik. Kjo të dukej se ishte edhe “tradhtia” e parë ndaj modelit sovjetik. Edhe ngaqë një vit më vonë do të niste kampionati i stilit perëndimor në kahun vjeshtë-pranverë, ai 1962-’63. Dhe, me defektin e madh se për sot e kësaj dite do ta linte vitin 1962 pa kampionat kombëtar të fiksuar në histori, pra pa skuadër kampione! Ndërkohë që, ky ndryshim do të bënte që të përfitonte më shumë se askush, Vllaznia e Shkodrës, e cila edhe pse në 1962 bie dhe luan në Kategorinë e Dytë, ajo nuk mungon në kampionatin e radhës pikërisht për shkak të organizmit të tij në kahun 1962- ’63. Ky është favori më i madh që i është bërë ndonjëherë Vllaznisë së Shkodrës, madje duke cenuar jo pak edhe rreptësinë e rregulloreve.

Iu kushtova këtij dossier-i historik, natyrisht me rastin e 90-vjetorit të themelimit të kampionatit të Shqipërisë që quhej i Kategorisë së Parë. E të paditurit e sotëm që kanë guxuar ta drejtojnë disi me prepotencë futbollin kombëtar, ia kanë falë këtë titullim kampionatit të sotëm të Kategorisë së Dytë, duke i shkaktuar një shtrembërim të dënueshëm ecurisë historike të futbollit shqiptar! Dhe, askush nuk i ndalon, a thua se e kanë historinë kombëtare të kësaj fushe, pronë të tyre me të cilën mund të bëjnë deri dhe lojna të palejueshme emërtimesh.

E, po e përshkruaj paksa këtu Shqipërinë sportivo-social-politike të vitit 1961, edhe për të risjellë sadopak në skenën e historisë mjedisin e jetës në atë vit 1961. Pa mëdyshje them se nuk ka pasur ndonjëherë Shqipëria një kampionat me aq shumë futbollistë të rinj sa dhe si ky i vitit 1961. Nuk ka pasur më shumë se në këtë vit futbollistë që vinin nga gjimnazet e qyteteve, shumica e të cilëve janë moshatarë e shokë të brezit tonë. Për fat, kjo nuk ngjet sot, sepse është tejet e vështirë që gjimnazet e sotme të prodhojnë futbollistë.
KAMPIONATI
Fragment nga faqja e parë e “Sportit Popullor” që pasqyron fillimin e kampionatit 1961. Poshtë është fotoja e famshme e fotografit tonë të madh Petrit Kumi, nga ndeshja 17 Nëndori – Besa. Kjo është fotoja e parë që ka fituar një çmim ndërkombëtar (Moskë 1961) për çka kemi shkruar me kohë dhe prapë ia vlen

Kampionati i vitit 1961 është kampionati që do ta bënte Shqipërinë, përveç të tjerave, edhe shpikësen e atij që do të njihej si i titullit përmes “golden goal”. Po mbushen 60 vjet, por për mua e shokët e mi, për brezin tonë, ai na duket se është aty, fare pranë. Dihet, asokohe kampionati i futbollit ishte një nga katër evenimentet a dukuritë që mbanin fort gjallë një popull të tanë: ishin kinemaja, teatri, leximet dhe futbolli. Këto ishin për ne asokohe. Tjetër vështirë të kishte.

Vitet do të kalonin, ndërkohë. Mund të them me bindje të plotë se të gjithë ata protagonistë të fushës së blertë e të këndeve sportive të basketbollit, të volejbollit, të pistave e pedanave të atletikës së lehtë, sa ishin shokët tonë, ata ishin dhe idhujt tonë. Pa harruar se po të tillë, ndoshta edhe më fort, ishin më të vjetrit, teksa vit mbas viti ne i bëmë shokë dhe miq edhe ata. Sidomos kur fatet e profesionit disa prej nesh na çuan te penda e kronika e tregimeve për to pëmes gazetarisë. Kemi luftuar fort që ata të mos harrohen. Edhe ngaqë në thjeshtësinë, mirësinë, sakrificat dhe sportin e një cilësie të lartë që demonstruan, ata nuk përfituan thuajse asgjë. Megjithatë, diçka përfituan. Përfituan popullaritetin.

Në fund të këtyre radhëve disi teorike apo “ideologjike”, pohoj se viti 1961 ishte një vijë demarkacioni i dy epokave sportive dhe futbollistike të Shqipërisë. Do të përpiqem ta risjell atë përmes veprimtarisë më të madhe sportive të tij, që është kampionati kombëtar i futbollit, të cilin Partia, e cila mohonte gati gjithçka që i përkiste para vitit 1944, e quante të 17-tin, kur më e pakta ai ishte i 24-ti.

KISHTE MBËRRITUR VITI 1961
Në sipërfaqe besoj se e dinë edhe gjimnazistët e sotëm që ky ka qenë viti i “ndarjes” së Shqipërisë nga kampi i botës së njësuar komuniste, i ashtuquajtur socialist, për t’u mbyllur fort mes vedi deri më 1991. Por, viti ’61 është viti kur krejt papritmas do të mbërrijë në Tiranë i pari klub futbolli i një vendi kapitalist, siç ishte pra edhe Turqia: Fenerbahçe e Stambollit, histori e rrallë që e kemi treguar jo pak, por që mund t’i kushtojmë një ritregim më të thelluar.

Shqipëria e vitit 1961 do të shkonte te kjo ndeshje e pangjashme futbolli përmes një ecurie sa absurde aq dhe festive, sa “atdhetare” aq dhe politike, sa komuniste aq dhe jokomuniste në dukje të jashtme.

Ndërkaq, Shqipëria kishte nisur fushatën për kongresin IV të PPSH, kur si në një sfidë e zbehtë, befasuese properëndimore, për çudi volejbollistët e Partizanit merrnin avionin për në Vjenë në Kupën e Kampioneve. Për historinë tonë kjo përbën veprimtarinë e parë të një klubi sportiv shqiptar në Europë. Nën drejtimin e trajnerit tonë të madh, Enver Maçi, Partizani kthehet nga Vjena me një fitore të thellë 3-0 ndaj OMV Blau Gelb, falë lojës së sigurt të Fatmir Mekës, Petrit Murzakut, Napoleon Llallës, Masar Agës, Jorgji Konës, Pëllumb Pelivanit, Vasil Bingës, Fatmir Sharofit e Ali Llullollit. Të dukej se Shqipëria po shihte më në fund drejt Perëndimit Sportiv dhe katër-pesë vjet luftë me zbatimin apo moszbatimin e vijës së gjithë kthesës që kishte blatuar me kohë kongresi XX i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, mund të bindnin pra, edhe Shqipërinë e Enver Hoxhës. Duhet thënë se deri në këtë ditë të Vjenës, sporti shqiptar i klubeve ishte i vetmi prej atyre të vendeve komuniste që nuk merrte pjesë në Kupat e Europës. Në Tiranë, në ndeshjen e kthimit, 3-0 përsëritet, dhe kështu, Partizani i volejbollit, kalon i sigurt turin. E kemi treguar këtë histori dhe janë përpjekur ta ritregojnë edhe të tjerë, por mjerisht me një tufë shtrembërimesh…

Më 13 shkurt 1961 kongresi IV i Partisë nis punimet e tij dhe tashmâ dritëhijet e prishjes së madhe me Bashkimin Sovjetik, pak a shumë nisin të kuptoheshin edhe më qartë. Në raportin e Enver Hoxhës, pavarësisht nga pohimi i tij në fjalën në kongres: “Kush do të guxojë ta cënojë këte miqësi, ai do të jetë armiku ynë”, me sa dukej gjithçka mund të kuptohej vetëm me shtesën befasuese: “Partia jonë do të punojë për forcimin e miqësisë, të dashurisë dhe të bashkëpunimit të Partisë dhe të popullit tonë me popullin e madh kinez dhe Partinë e tij Komuniste të lavdishme”. Gjithçka merrej vesh edhe më tej me vendin e pakët që i jepet njoftimit të përshëndetjes që mban në kongresin e Tiranës, Pospjellovi, kryetari i delegacionit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Nuk kishte për të zgjatur dhe ndërkohë, Shqipëria po bëhej gati të mbyllte përfundimisht edhe marrëdhëniet me sportin sovjetik, ndër më të fuqishmit në botë, i cili kishte ndikuar jo pak pra.

Duke iu kthyer ndeshej së volejbollit, shtoj se në turin e dytë Partizani duhet të ndeshej me kampionen e Francës “Stad de France”, por ky nuk vjen në Tiranë, dhe në stadiumin e lojërave me dorë “Studenti”, një amfiteatër tejet piktoresk mû në mes të Tiranës (në fillim të Rrugës së Elbasanit), sot i shkatërruar edhe ai, ne bëhemi dëshmitarë të një episodi të rrallë në historinë sportive të Shqipërisë. Madje, dhe të Europës. Them kështu, sepse edhe pse të gjithë e dinim se nuk do të luhej, të gjithë ishim në tribunat e “Studentit”. Partizani del në fushën e lojës, francezët nuk kanë ardhur në Tiranë dhe gjyqtari jugosllav Borivoje Lecic, vërshëllen, zbret nga kulla dhe firmos fitoren 3-0 të kampiones së Shqipërisë për mosparaqitje të francezëve. Federata Shqiptare e Volejbollit urdhërohet të kujtojë se me kaq, Partizani ka siguruar kualifikimin, dhe nuk shkon në Francë për ndeshjen e kthimit, që i jepet po 3-0, kësaj radhe francezëve. Federata Ndërkombëtare e Volejbollit cakton një ndeshje të tretë në Bukuresht dhe kampionia e Shqipërisë me një farë fobie të çuditshme ndaj “Stade de France”, nuk lejohet prej shtetit të vet të shkojë në Paris. A ishte punë sporti apo politikë kundërperëndimore dhe frikë nga vizita e volejbollistëve shqiptarë në Francë? Kështu apo ashtu, Partizani eliminohet për mosparaqitje. Me këtë episod niste një histori e llojit shqiptar po politike, për të mos pranuar skuadra sportive të shteteve “armike”. Është një histori më vete që meriton një libër po më vete.

Megjithatë, për çudi, ajo është ende një Shqipëri më sportive se kurrë.

Në Tiranë mbërrin ekipi i shkëlqyer i atletikës, Dukla e Pragës, që mahnit publikun. Sokol Morina thyen rekordin kombëtar në 1500 metra dhe në vrapimin e 800 metrave zhvillon një duel të papamë me Odlozhil të Çekosllovakisë, i cili shumë shpejt do të bëhet një nga më të mirët e botës. Morina i Shqipërisë mbetet mbas vetëm për 7 të dhjetat larg çekut të madh. Për takimin e dytë Dukla shkon në Shkodër dhe unë, djalë i ri, me disa shokë udhëtojmë për në Qytetin e Veriut mbrapa atletëve të Çekosllovakisë për në Stadiumin “Vojo Kushi” të Shkodrës. Atje atleti Sabaudin Ramku kalon i pari në historinë e Shqipërisë 7 metrat në kërcimin së gjati: 7.04 dhe për herë të parë një atlet shqiptar, fenomeni Hysni Bebeziqi – rekordmeni shqiptar në së gjati, trehapësh dhe së larti – synon të kërcejë, por pa e arritur, lartësinë 1.90 metra. Nga kampi tjetër, Jirzi Skobla, kampion i Europës në gjyle, e çon sferën e rëndë në 17.52 metra, që sot e kësaj dite në terrenet shqiptare e ka mbërritur vetëm një njeri: rekordmeni ynë i përmasave ndërkombëtare, Adriatik Hoxha i Teutës së Durrësit.

17 Nëntori i Tiranës, ndërkohë, shpallet kampion i Shqipërisë në basketboll për femra e meshkuj. Emrat janë të paharrueshëm, ndonëse brezi ynë i ri i sotëm për shkak harrese tipike të historive shqiptare, nuk i njeh assesi: Llaci, Dule, Sojli, T.Radoja, Kazazi, Hanxhari me trajner Q.Shalësin; Dh.Papa, K.Papa, Lahi, Bumçi, Golemi, Guraziu, Radoja, Shehu, Shaka, Lahi, Gjurba, Shundi me trajner të paharrueshmin Feti Borova. Gjëja më e rrallë është se në skuadrën e meshkujve të 17 Nëntorit ishin pesë basketbollistë nga Shkodra: Bujar Golemi, i cili në 1992 do të bëhej ish-sportisti i parë deputet i demokracisë; Filip Guraziu, i cili do të bëhej kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës po në demokraci mbasi për luftë të pamëshirshme biografike, i qe ndaluar deri të luante basketboll; Renato Radoja – legjendari i basketbollit shqiptar, si dhe të mirënjohurit Agim Lahi dhe Vladimir Gjurbaj. Gjashtë vjet më vonë, më 1967, nën drejtimin e pedagogut tonë të shquar të gjimnazit të Shkodrës, Esat Haxhi, ata do ta shpallnin Vllazninë për herë të parë kampione të Shqipërisë.

Në sfera të larta botërore, Valeri Brumel i BS fiton duelin sportivo-politik me kërcyesin amerikan, John Tomas, dhe arrin rekordin botëror 2.23 metra. Jolanda Balash e Hungarisë mbërrin deri në 1.91 metra për femra dhe sporti i kampit komunist thuajse nis e sundon botën. Shqipëria nga ana e saj, mbush faqet e gazetave me këto suksese të përbotshme, ndonëse prishja me BS-në është te pragu i derës.

Ndërkaq, Vllaznia e basketbollit fiton 56- 51 në këndin “Spartak” të Shkodrës me BVSC të Budapestit, çka përbën fitoren e parë ndërkombëtare të një klubi shqiptar në basketboll. Emrat janë të pashlyeshëm: Vehbi Ademi, Luan Shatku, Skender Osmani, Valter Kalaja, Zyhdi Çoba, Petrit Osmani, tre të fundit shokët e mi të gjimnazit, asokohe vetëm 18-19-vjeçarë, çka përbënte një sensacion të plotë përballë basketbollistëve të sprovuar hungarezë, me në krye Banna-n e kombëtares së Hungarisë. Nga ana e tij, Ramazan Driza, sa elegant aq dhe stilist i përkryer, kalon i pari në historinë e Shqipërisë 15 metrat në hedhjen e gjyles: 15.15 metra rezultat tejet nderues për sportin shqiptar të asokohe.

Dhe befasi: në Shqipëri mbërrin skuadra e futbollit të Pekinit, shêj ndër të parat e rivalitetit Kinë-BS mbi sundimin e Shqipërisë. Sensacioni vazhdon me Pekini – 17 Nëntori 3-0, Pekini – Partizani 2-1, humbje që nga ne, që nuk kishim dëgjuar asnjë fjalë për vlera të futbollit kinez, na dukeshin thuajse të turpshme. Assesi nuk na ngushëllonte fitorja e vetme, ajo në Dinamo – Pekini 2-1!

Në Tiranë mbërrijnë boksierët e mundësit e Honvedit të Budapestit me të cilët Shqipëria korr një sukses të përmasës europiane e me ta edhe futbollistët hungarezë të Vasas të Diosgjorit; dhe kur shton edhe hungarezët e basketbollit të sipërcituar, sot e kësaj dite nuk mund të merret vesht përse gjithë këto sportistë të mrekullueshëm hungarezë janë në të njëjtën kohë në Shqipëri! Do të ishin ndër “revizionistët” e fundit që shkelnin tokën shqiptare para mbylljes së madhe. Nuk vonon dhe Ramazan Driza bëhet kampioni i parë ballkanik në historinë e Shqipërisë: atletikë e lehtë, gjyle për të rinjtë, 15.03 metra. Kluzh i Rumanisë. Një sportist i parival.

Nga kronikat e jetës tjetër, bota mbetet e shtangur kur mëson se sovjetiku Juri Gagarin bëhet kozmonauti i parë në historinë e njerëzimit tek fluturon mbi hapësirat ndërqiellore. Kina dhe Shqipëria firmosin “Marrëveshjen” mbi dhënien e një kredie për Shqipërinë, çka i vë vulën pragut të prishjes së famshme me Bashkimin Sovjetik. Kryetari i parë në histori i Komitetit Olimpik Shqiptar, i nderuari Vasil Konomi, dekorohet me rastin e 50-vjetorit të lindjes në një ceremoni të posaçme qeveritare. Dhe, mbërrin fillimi me bujë për festimet e 20-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, prej kohësh PPSH.

Siç e kam treguar pak a shumë edhe një herë tjetër, ritheksoj se rrallë në historinë e Shqipërisë së shekullit XX, kronika ishte kaq e pasur, kaq misterioze, kaq gjeopolitike, natyrisht në ngushtësinë e punëve të vendit të vogël, fanatik të shoqërisë komuniste të kampit socialist. E gjitha kjo të dukej si në një fantazi të tejskajshme…

Ndonëse politikisht, jetën e vendit sikur e mbyste pra, mbajtja e kongresit të 4-t të PPSH me praninë enigmatike të deleguarve të PK (b) të Bashkimit Sovjetik, të mirënjohurit P.N.Pospjellov dhe J.Andropov. Për një çast njoftimet sportive gati bien në asgjë. Mrëpo, kur kongresi mbetet mbas me “të fshehtat” e tij, që nuk i tregohen ende publikut, më në fund njoftohet se Partizani fiton Kupën e Komitetit Shqiptar për Mbrojtjen e Paqes, Besa e Kavajës kupën e gazetës “Sporti Popullor”, Skënderbeu atë të gazetës “Zëri i Rinisë”, Tomori atë të gazetës “Puna” dhe Erzeni i Shijakut atë të gazetës “Bashkimi”.

Kur vjen 26 shkurti, tingëllimet e kampionatit thuajse rrufeshëm nis e dëgjohen deri në “fortissimo”…

NISTE KONFIRMIMI I RI I SUNDIMIT PARTIZANI – DINAMO

Kishte mbërritur kampionati i vitit 1961. Është 24 shkurt 1961. Dinamo fiton 3-1 me Tomorin e Beratit në stadiumin “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”). Duke ardhur si kampione në fuqi, ajo ka thuajse të njëjtët lojtarë, por kësaj radhe ka shtuar një emër të madh, Nikolla Bespallën, rrëmbyer prej Partizanit. Ai përurohet me golin e tij të parë dinamas në një 3-1 që nuk lë asnjë mëdyshje për forcën ende të pazbehur të kampiones në fuqi.

DOSSIER

Ndërkaq, Partizani i kundërpërgjigjet me një 1-0 krejt të ngushtë në Lushnjë me Traktorin me golin e Panajot Panos. Një Traktor disi i pafat, kur kujton se të famshmit vëllezërit Sherifi tronditin tri herë shtyllën e Maliqatit. Në ndeshjet e tjera spikasin fitoret e Skënderbeut, Flamurtarit dhe 17 Nëntorit. Në takimin e kësaj të fundit me Besën, ka madje dhe acarime e lojë të ashpër të dyanshme, çka merr kritikën e ashpër të shtypit. Pa e zgjatur fort, fati i bukur i kësaj jave është “pasuria” e çmueshme e skedave të të gjitha ndeshjeve.

Duke i botuar sot këtu të përmbledhura, i gëzohem vetëm faktit se arrij të bashkoj në këto skeda të mundimshme, pjesëmarrësit e paharrueshëm të këtij kampionati. Midis tyre janë të rinj të pambarim, 18, 19, 20, 21- vjeçarë, njeri më i talentuar se tjetri: S.Halili, Zaho, A.Pilika, E.Ibërshimi, Frashëri, Kasmi, O.Mema, Xhaçka, Ishka, Gogoni, H.Haxhiu, Pano,Thomaj, Saraçi, Z.Dani, Çapaliku, R.Rragami, Rakiqi, Zaganjori, Preza…

Kësisoj, sa për të veçuar vetëm disa prej tyre, ku në mënyrë të veçantë 17 Nëndori (shkruhej në gegnisht me “d’) – Sportklub Tirana – dhe Vllaznia janë të mbushur me 17 e 18-vjeçarë njeri më i talentuar se tjetri. Ishte një rinim i pashoq, sidomos i këtyre dy skuadrave madhështore për historinë tonë sado modeste ajo qoftë, vepër e trajnerëve të mëdhenj Myslym Alla të kryeqytetit dhe Rifat Rusi të Shkodrës.

Dinamo merr kryesimin e kampionatit në këtë javë të fillimit, por më mbas gjithçka do t’i lëkundet. Edhe pse në javën 2 ajo fiton përsëri, kësaj radhe 1-0 në Shkodër me golin e Duros 4 minuta para mbarimit, përballë një Vllaznie e cila me në krye 19-vjeçarin Selami Dani, zhvillon një ndeshje të shkëlqyeshme. Është një lloj apatie e Dinamos dhe fitorja e saj nuk bind askënd. Sidoqoftë, dukej se një gjë nuk kishte lëvizur as në 1961: sundimi i palëkundur i Partizan-Dinamos, sundim që do të mbërrinte në kulminacion, çka do të tregojmë në pjesët në vijim…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"