Nga Amerika e Jugut në Azi, Elbasani bëhet kontinental. Zbulohet afrimi “in extremis” nga Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2021 | 17:11

Nga Amerika e Jugut në Azi, Elbasani bëhet kontinental. Zbulohet afrimi “in extremis” nga Superiorja

Elbasani ka bërë një afrim “in extremis”. Verdheblutë kanë arritur marrëveshjen me mbrojtësin Franci Lena, i cili vjen në formë huazimi nga Kastrioti. 20-vjeçari është vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Anxhelo Suta dhe shihet si një përforcim i rëndësishëm për prapavijën, pozicion në të cilin elbasanasit kishin më shumë nevojë për të bërë ndërhyrje.

ELBASANIIIIIIIII

Me këtë përforcim, merkatoja mund të konsiderohet e mbyllur. Drejtuesit kanë qenë shumë aktivë gjatë janarit dhe numri i të afruarve në ekip shkon në shtatë. Ribeiro, Andre, Juto, Kalu, Elezi dhe Marku janë futbollistët që i janë bashkuar grupit.

ELBASAN KONTINENTAL

Për të siguruar mbijetesën në Kategorinë e Parë, verdheblutë kanë bërë merkato në tri kontinente. Elbasanasit morën brazilianët Ribeiro dhe Andre nga Amerika e Jugut, për të vazhduar në Afrikë me nigerianin Kalu e për ta mbyllur me kontinentin e Azisë, pasi në skuadër është edhe japonezi Juto. Për të kompletuar Elbasanin e përhapur në katër kontinente, duke përfshirë këtu edhe Europën, vjen edhe “anglezi” Marku, një shqiptar që është lindur dhe rritur në Britani. Problemi i vetëm për momentin mbetet gjuha. Por, duket se ajo ndërkombëtare, anglishtja, po ia lehtëson disi punën trajnerit dhe ekipit për të dhënë udhëzimet për këta lojtarë. Gjithsesi, ndryshimet e bëra duan kohën e tyre të për t’u përshtatur, por shtyrja e kampionatit u dha mundësinë që të harmonizohen disi me njëri-tjetrin.

SITUATA DHE KALENDARI

Elbasani e mbylli fazën e parë në vendin e fundit dhe pa asnjë pikë. Objektivi minimal i verdhebluve është arritja në zonën “play out” që për momentin mbahet nga Flamurtari në kuotën e shtatë pikëve. Duket një mision jo i lehtë, por elbasanasit janë bërë ekspertë të mbijetesës këto sezonet e fundit, ndaj nuk i kanë humbur shpresat. Ndeshjen e parë të këtij viti do ta nisin me një “malore”, pasi do të përballen në transfertë me kryesuesen e grupit, Egnatian.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"