Nga akademia e Partizanit te goli ndaj Teutës, sulmuesi i ri i Luftëtarit: Dua të arrij kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2020 | 13:54

Nga akademia e Partizanit te goli ndaj Teutës, sulmuesi i ri i Luftëtarit: Dua të arrij kombëtaren

Humbja 1-5 e Luftëtarit në përballjen ndaj Teutës konfirmon edhe një herë krizën e bluzinjve javë pas jave. Si asnjëherë tjetër në historinë e tyre, si pjesë e Kategorisë Superiore, nuk ka ndodhur që Luftëtari të pësojë 68 gola, çka konfirmon krizën e rëndë të gjirokastritëve këtë fundsezoni.
Futbollistet e Luftetarit

Rezultati i fundit 1-5, i vlefshëm për javën e 30-të, i vuri “vulën” shthurjes së gjirokastritëve, pikërisht kur Luftëtari merr “nokautin” e kundërshtarit, avantazhin e kundërshtarit. Për bluzinjtë, hall më vete është edhe numri i golave të realizuar 15 ndaj 20 të vlonjatëve, që mbyllin vendin e fundit, teksa diferenca e golave të pësuar mes dy skuadrave që mbyllin tabelën e klasifikimit flet për 8 gola më pak të pësuar nga ana e Flamurtarit. Kësisoj, përballja direkte mes Luftëtarit dhe Flamurtarit, e cila do të luhet në Vlorë në kuadër të javës 31-të, pritet të vendosë pikën mbi “i” në verdiktin e fundsezonit aktual.
545010-1554647526
RIMAL HAXHIU – Autori i golit të barazimit të përkohshëm në minutën e 57-të në takimin me Teutën pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “U ndjeva shumë mirë për golin e parë në Superiore. E prisja me padurim këtë moment dhe më në fund erdhi. Shpresoja që ndeshja të merrte tjetër rrjedhë pas barazimit, por besoj se ndikoi eksperienca duke qenë se ne jemi një ekip i ri në moshë dhe e vuajtëm këtë pjesë. Tani vëmendja kalon te ndeshja e radhës ku shpresojmë të bëjmë më të mirën për të arritur një rezultat pozitiv dhe pse jo të vazhdoj me ecurinë e golave”, u shpreh fillimisht Haxhiu.

KARRIERA – Haxhiu u bë pjesë e Luftëtarit merkaton e janarit dhe falë lojës së mirë në repartin ofensiv është përdorur nga trajneri Neritan Novi ndeshjet e fundit si një forcë më shumë. “Unë vij nga akademia e Partizanit dhe erdha këtu për të provuar aftësitë e mia në Superiore. Punoj çdo ditë si me ekipin, por edhe në mënyrë individuale për të arritur sa më lart të jetë e mundur dhe Luftëtari si një ekip me traditë, që gjithmonë ka nxjerrë lojtarë të shkëlqyer, të më shërbejë si një trampolinë për të shkuar dhe më lart. Ëndrra e çdo futbollisti është që të luajë në nivel kombëtar dhe unë kam qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U-19. Do të punoj fort që një ditë të arrij në Kombëtaren e madhe”, përfundoi Haxhiu.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"