Nga A te Zh, “alfabeti” i një sezoni tek Elbasani. 36 ngjarjet që kanë lënë shenjë te verdheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2018 | 21:12

Nga A te Zh, “alfabeti” i një sezoni tek Elbasani. 36 ngjarjet që kanë lënë shenjë te verdheblutë

Elbasani e ka një “al fabet” të vetin këtë sezon në Kategorinë e Dytë, nga “A”-ja te “Zh”-ja, me 36 ngjarjet interesante të verdhebluve. Çdo germë ka domethënien e saj, teksa tregohet ajo që po ndodh me elbasanasit këtë vit në të gjitha aspektet.

“Panorama Sport” mundohet t’ua sjellë më ndryshe ecurinë e një klubi traditë si Elbasani, që këtë sezon i duhet të luajë në një kategori gati amatore.

elbasani-470x353

A – Aksionet kanë qenë një temë e nxehtë gjatë dy viteve në skuadër. Ato u janë shitur pronarëve të huaj anglezë, por ende nuk është ndier dora e tyre në klub.

B – Besimi në forcat e tyre se do t’ia dilnin të ngjiteshin menjëherë në Kategorinë e Parë pas rënies ka qenë një nga anët më të forta në aspektin psikologjik të Elbasanit.

C – Cilësia bën diferencën dhe te verdheblutë ka shumë cilësi në krahasim me ekipet e tjera të kësaj kategorie.

Ç – Çudi u konsiderua në fund të sezonit të kaluar rënia e Elbasanit në Kategorinë e Dytë. Në këtë rast, çudia nuk zgjat tri ditë, por të paktën një sezon.

D – Dëshira për të qenë thjesht kalimtarë në këtë kategori ka qenë shumë e madhe. Deri më tani, kjo dëshirë nuk u ka munguar për të ecur përpara.

DH – Dhuratat janë të pranueshme në futboll dhe elbasanasit e presin ndonjë të tillë nga rivalët, ku një hap fals i tyre mund t’ua bëjë më të lehtë ngjitjen.

E – Ecuria ka qenë mbresëlënëse deri më tani për verdheblutë, pasi nga fillimi i kampionatit nuk e kanë lëshuar vendin e parë.

Ë – Ëndrra e verdhebluve këtë sezon është që ta mbyllin kampionatin pa humbje. Deri më tani janë në rrugë të mbarë.

F – Fitoret të dërgojnë drejt realizimit të objektivave dhe këtë sezon Elbasanit nuk i kanë munguar ato.

G – Gabimet kanë qenë me pikatore deri më tani, nëse mund të quhen gabime katër barazimet e vetme këtë kampionat, dy në shtëpi dhe dy në transfertë.

GJ – Gjykimi në tërësi ka qenë i mirë këtë sezon për verdheblutë, për aq kohë sa nuk janë ankuar për ndonjë padrejtësi.

H – Historia u qëndron në krah elbasanasve, pasi në kategorinë ku bëjnë pjesë janë absolutisht skuadra me më shumë histori në futbollin shqiptar.

I – Interesimi për ecurinë e verdhebluve këtë kampionat ka qenë i pakët, kjo edhe për faktin se luajnë në një kategori gati amatore.

J – Jugu konsiderohet ndryshe Grupi B, ku bën pjesë Elbasani, për shkak të ndarjes gjeografike që aplikohet prej disa sezonesh.

Elbasani

K – Kategoria ku bën pjesë nuk i shkon për shtat emrit që mbart klubi, por në futboll janë gjëra që ndodhin, sidomos kur nuk ke para.

L – Lojtarët janë të gjithë vendës, kjo edhe për shkak të rregullores, ku nuk lejohen futbollistë jashtë prefekturës.

LL – Llogaritë u kanë dalë deri më tani verdhebluve, për aq kohë sa janë në vendin e parë. Por, më të sakta ato bëhen kur të mbyllet sezoni.

M – Mbrojtja dhe mesfusha e kanë bërë mirë punën e tyre deri më tani. Skuadra pëson pak dhe nga ana tjetër mesfushorët shënojnë edhe gola.

N – Ndryshimet e bëra në skuadër këtë sezon duket se i kanë bërë mirë, pasi janë arritur rezultatet që kërkohen.

NJ – Njohuritë për Kategorinë e Dytë kanë qenë të pakta për Elbasanin, por kjo nuk e ka penguar për t’ia dalë me sukses deri më tani.

O – Organizimi i një klubi nuk ka qenë perfekt, por për një skuadër të Kategorisë së Dytë kjo gjë nuk është aq primare.

P – Pikët janë ato që vlejnë më shumë në futboll dhe në një garë. Për fat, Elbasanit nuk i mungojnë ato.

Q – Qyteti më i madh që militon në këtë kategori është pikërisht Elbasani. Madje, aq banorë sa ka qyteti i Elbasanit mund t’i kenë skuadrat e tjera bashkë.

R – Rezultati më i thellë që kanë marrë elbasanasit këtë sezon ka qenë pikërisht në transfertë, kur mundën 0 me 4 Përmetin.

RR – Rrugëtimi që kanë bërë elbasanasit deri më tani në këtë kategori ka qenë brenda pritshmërive, duke mos bërë asnjë humbje.

S – Stadiumi “Elbasan Arena” ka qenë një “mollë e ndaluar” për Elbasanin këtë sezon, ku është detyruar të luajë në kompleksin “Shefqet Lamçja”.

SH – Shëtitjet kanë qenë disa sfida këtë sezon për Elbasanin. Disa skuadra kanë treguar një nivel shumë të dobët karshi verdhebluve.

T – Tifozët i kanë munguar Elbasanit këtë sezon. Kjo edhe për faktin se mungon një stadium i mirëfilltë për ta ndjekur skuadrën.

TH – Themelet për rindërtimin e skuadrës janë hedhur, ku ka një bazë lojtarësh të rinj, por ende nuk ka një plan të qartë për ringritjen e klubit.

U – Uria për sa më shumë rezultate pozitive nuk u ka munguar verdhebluve këtë sezon. Mbetet për t’u parë nëse do të “ngopen” në fund.

V – Verdiktet e këtij sezoni me shumë gjasa do të ndahen në ndeshjen direkte në Orikum. Një barazim atje mund t’u siguronte ngjitjen elbasanasve.

X – Xixë (pastër) shpresohej të ishte ky kampionat deri më tani për Elbasanin, por nuk kanë munguar rastet kur kundërshtarët e kanë akuzuar për favorizim nga gjykimi.

XH – Xhevahireve, që mund të jenë e ardhmja e skuadrës, po u jepet mundë- sia këtë sezon. Kanë spikatur në formacion Arsen Lleshi dhe Enis Dishani.

Y – Ylli i kësaj skuadre ose më saktë lojtari nga ku janë varur më shumë shpresat është Renato Hyshmeri. Në Sarandë shënoi edhe një gol “alla Maradona”.

Z – Zot i kësaj kategorie ka qenë Elbasani deri më tani. Jo më kot janë skuadra për t’u mundur ende në kampionat.

ZH – Zhgënjimi më i madh i këtij sezoni do të ishte mos ngjitja e skuadrës në Kategorinë e Parë.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"